Myslimani: Njeri besnik dhe i sigurisë

 

Siç kalon edhe në librat më në zë të hadithit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) në një hadith e përshkruan besimtarin mysliman me fjalët: “Myslimani i vërtetë është njeriu prej gjuhës dhe dorës së të cilit myslimanët janë të sigurt.”. Për t’u hapur disi më tej në përmbajtjen dhe formën që ju keni theksuar në pyetje, fillimisht dua të qëndroj për një çast sipër fjalës “el-muslim” në hadith.

Fjala “el-muslim”, e cila në hadith është shprehur me një trajtë të shquar, duket që kërkon të vërë në pah myslimanin ideal dhe të vërtetë. Domethënë, sipas rregullit “përmendja e plotë është ajo që i përgjigjet së përsosurës.”, myslimani i përmendur këtu nuk është njeriu që sillet kështu, apo që flet ashtu, por ai që e pranon dhe e ndjen plotësisht Atë, që i dorëzohet krejtësisht, duke i kryer të gjitha detyrimet e këtij besimi, derisa arrin që ta kthejë në jetë të jetës së tij. Nëse do të na duhej ta shtjellonim disi më tej, sipas kuptimit të tij në fjalor emri veprues “muslim” i buruar prej foljes “esleme”, e cila rrjedh prej rrënjëve “silm” dhe “selamet”, mund ta kuptojmë se përmbajtja semantike e kësaj fjale është “njeri, i cili ia ka dorëzuar vetveten Allahut”, “që të çon në paqe, të fal qetësi shpirtërore, apo që sendërton paqe dhe siguri të ndërsjellë me njerëzit e tjerë përreth”. Nga ky këndvështrim, sa herë që artikulohet fjala “mysliman”, ashtu siç përmbajtja e parë që duhet të vijë ndër mendje duhet të jetë: “Njeri, që i është dorëzuar krejtësisht Zotit, kësodore i kryen me përpikëri dhe delikatesë të gjitha urdhëresat dhe ndalesat e Tij, dhe që bën të mundur atmosferë paqësore dhe mbarëvajtjeje aty ku gjendet.”, kuptimi që duhet të vetëkuptohet natyrshëm është se “edhe të tjerët janë të sigurt prej veprimeve të tij, duke e parë atë si një përfaqësues të paqes dhe sigurisë, me pak fjalë njeri i besuar në besën e tij.”.

Myslimani dhe emrat e bekuar “es-Selam, el-Mu’min

Të qenët e myslimanëve njerëz që flladisin puhiza sigurie në ambientin e tyre përreth është një pasqyrim i të qenit të pajisur me moralin e lartë hyjnor. Sepse emrat e bekuar “es-Selam” dhe “el-Mu’min” janë ndër emrat e Allahut të Madhërishëm. Siç e dini, në fund të sures Hashr thuhet: “Allahu është Zoti i Vërtetë! Nuk ka zot tjetër veç Tij! Ai është Sunduesi, i Shenjti, i Paqti, Garantuesi, Urdhëruesi, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori!”, vërehet se si këta emra janë përmendur njëri pas tjetrit. Emri Selam ka kuptimin e të qenit i pastër prej mangësive, e që u fal paqe dhe pastërti edhe të gjitha krijesave të veta. Ndërsa emri Mu’min mbart kuptimin e krijimit të besimit në zemrat e njerëzve, që fal siguri, e që e mban premtimin për çdo fjalë të dhënë. Prandaj, nëse Allahu u ka bërë një premtim njerëzve, realizimi i tij do besuar medoemos. Që në fakt, edhe ndjenja e shpresës tek njeriu pikërisht mbi këtë besim ngrihet. Kështu që, të gjithë ata që përpiqen për të fituar moral prej moralit të Allahut (xh.xh.), e cila me fjalë të tjera mund të shprehej si njeriu që i ka vendosur vetes si qëllim përfaqësimin, si me botën e jashtme, ashtu edhe me botën e tij të brendshme, të emrave dhe cilësive të Krijuesit. Ai duhet t’u premtojë siguri njerëzve përreth, në mënyrë që askush të mos shqetësohet se prej tij mund t’i vijë ndonjë dëm apo e keqe; duhet ta besojë Allahun me gjithë fuqinë e zemrës së Tij, dhe me çdo fjalë të lëshuar nga goja e vet duhet t’i qetësojë të gjitha zemrat e tjera që i ndodhen rrotull, dhe pa u kapluar prej kurrfarë shqetësimi duhet të dijë se si të largohet syresh.

Besnikëria dhe siguria, duke qenë se janë dy prej cilësive më kryesore që gjenden tek profetët, përbëjnë akoma më tepër rëndësi për kuptimin e kësaj çështjeje. Po, ashtu siç ishte drejtësia ajo që e nxori Profetin tonë të dashur (s.a.s.) në majat e përsosmërisë, ishte gënjeshtra ajo që e hodhi poshtë e më poshtë Musejlemetu’l Kedhabin. Sepse mohimi është një gënjeshtër e madhe, e thënë përballë Allahut të Madhërishëm. Njëkohësisht, ajo është njësoj si të gënjesh të gjithë dëshmitarët e Tij në Univers, të mos e konceptosh dot rendin dhe ekuilibrat e përkryer të gjithësisë, ose të bësh sikur nuk e sheh; poashtu të përpiqesh ta mbulosh përputhshmërinë e madhe që ekziston mes Gjithësisë dhe Kuranit Famëlartë. Nga kjo anë, ky është një krim aq i pafalshëm, dënim për të cilin është përcaktuar vetë Xhehenemi. Në të kundërtën e gjithë kësaj, është Xheneti, i cili është krijuar enkas për njerëzit, të cilët lartësohen drejt tij nëpërmjet besimit. E ajo që i ka ngjitur drejt këtyre majave të gjithë sahabët, me në krye Ebu Bekrin e nderuar (r.a.) është pikërisht kjo drejtësi e buruar prej besimit.

Një tjetër cilësi e profetëve veç drejtësisë është edhe besnikëria dhe siguria. Gjatë gjithë jetës së tyre ata kanë frymuar veç siguri përreth tyre, duke bërë që zemrat e të gjithëve të ndiheshin përherë të sigurta. Më besniku dhe i sigurti ndër ta, i Dërguari i Allahut, Muhamedi (s.a.s.) pati shpërndarë gjithkah një atmosferë të atillë sigurie, saqë të gjithë njerëzit, kur duhet të shkonin diku dhe donin dikë që t’u linin amanet gratë ose vajzat e tyre, i pari që u shkonte ndërmend ishte Ai. Sepse ata ishin të bindur se Ai (s.a.s.) nuk do të ngrinte as kokën për t’i vështruar qoftë edhe njëherë të vetme ato. Në të njëjtën kohë, Ai ishte një përmendore e edukatës. Ballin e Tij (s.a.s.) e patën mbuluar bulëzat e djersës së turpit kur Hatixhja e nderuar (r.a.) i pati propozuar për t’u martuar. Kaq thellë i kishte hyrë në shpirt kjo ndjenja e sigurisë dhe besnikërisë, të cilën Ai duhej medoemos t’ua frymonte të tjerëve përreth. E posaçërisht sepse ishte i mbushur plot prej një ndjenje të këtillë besnikërie, Ai (s.a.s.) pati fituar besimin e të gjithëve.

 

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: