Musai (a.s) dhe Çobani

Një ditë teksa Hz. Musai (a.s) ishte duke shëtitur nëpër mal, i zë syri një çoban të varfër dhe të vetmuar. Çobani ishte ulur në gjunjë, i kishte ngritur duart nga qielli dhe po lutej, kjo gjë i pëlqen shumë Musait (a.s), por kur afrohet dhe dëgjon lutjen e tij habitet shumë.
Çobani lutej kështu; “ O Allah të qofsha falë! Sikur ta dish sesa të dua. Unë bëj çfarë të duash, mjafton që Ti të ma kërkosh. E ther delen më të shëndetshme të tufës pa u tutur fare. Mishi i pjekur i deles është shumë i shijshëm, merre mishin e dhjamosur të bishtit dhe gatuaje me pilaf, bëhet shumë i shijshëm atëherë!
Musai (a.s) i afrohet çobanit, por ai përsëri vazhdonte lutjen e tij.
– Të laj edhe këmbët, vetëm më thuaj, të pastroj veshët dhe të largoj parazitët. Ah sa shumë të dua!
Musai (a.s) ishte nxehur shumë nga ato ç’po dëgjonte dhe bërtiti duke ja ndërprerë lutjen çobanit.
– Pusho, o njeri i paditur! Ç’mendon se po bën? A ha Zoti pilaf? A ka Zoti këmbë që do t’ia lashë ti? Ç’lutje është kjo kështu? Ti po futesh në gjynah, pendohu menjëherë!
Çobani skuqet dhe turpërohet shumë nga fjalët e Musait (a.s). Kështuqë betohet se nuk do të bëjë më lutje të tilla sipas kokës së tij. Atë ditë deri në mbrëmje Musai (a.s) i mëson disa lutje kryesore çobanit, pasi përfundon mendonte me vete se kishte bërë diçka të mirë.
Por atë natë Musai (a.s) dëgjon një zë:
– “ O Musa! Ç’bëre sot? Ti je dërguar për të bashkuar apo për të ndarë? E poshtërove këtë çoban të gjorë. Nuk munde ta kuptoje sesa i afërt ishte ai me Mua. Edhe pse ai nuk e dinte çfarë nxirrte nga goja, ai ishte i sinqertë në besimin e tij, zemra e tij ishte e pastër me qëllim të pastër. Ne nuk shohim fjalët, por qëllimet! Nëse do të shihnim fjalët, nuk do të kishte ngelur njeri mbi tokë! Ne ishim të kënaqur prej çobanit, fjalë të cilat për tjetrin janë lavdërim për ty janë ofendim, për të është mjaltë, e për ty helm. Ti i mendove si politeizëm dhe sharje ato që dëgjove, por edhe nëse ato fjalë janë një faj, atëherë sa faj i mirë që janë fjalët e tij.”
Musai (a.s) e kupton gabimin e tij dhe të nesërmen shkon te çobani, i cili nis lutjen, por nuk shihej asnjë emocion dhe përzemërsi si ajo e djeshmja. Mundohej të lutej ashtu siç ishte mësuar tashmë, lutej, belbëzonte dhe djersitej nga frika se mos thoshte ndonjë fjalë të gabuar. Musai (a.s) pendohet për ç’ka i kishte bërë çobanit dhe duke e fërkuar në shpinë i thotë:
– O miku im, gabova, me fal të lutem. Lutu ashtu siç di, sepse kështu është më e vlefshme tek Allahu!
Burimi: Mevlana Xhelale’d Din er-Rumi , Mesnevi.
Përshtati: Marius Tafani

Postime të ngashme

%d bloggers like this: