Mrekullitë e Profetit Muhamed s.a.s (3)
Shërimi i të sëmurëve dhe i të plagosurve
Siç na përcjellin Buhariu dhe Muslimi, në Hajber, i Dërguari i Allahut pyeti:
“Ku është Ali b. Ebu Talibi?”
Shokët iu përgjigjën:
“O i Dërguari i Allahut, ai është i sëmurë nga sytë!”
“Dërgojini menjëherë fjalë të vijë!” – Urdhëroi i Dërguari i Allahut.
Aliu erdhi. I Dërguari i Allahut ia fërkoi sytë me gishtërinjtë të lagur me pështymën e vet duke i bërë një lutje. Aliut iu shëruan sytë aty për aty! Madje i dukej se s’kishte pasur dhimbje fare!
Osman b. Hunejf tregon:
Te i Dërguari i Allahut erdhi një burrë i verbër dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut, a po lutesh për mua të më hapen sytë?”
I Dërguari i Allahut i tha:
“Po deshe, le ta shtyjmë këtë lutje sepse kjo do të ishte më e dobishme për ty në jetën tjetër, por, po deshe, e bëjmë!”
I verbëri i tha:
“Lutiu Allahut, o i Dërguari i Allahut!”
Dhe i Dërguari i Allahut mori abdest mirë e mirë, fali dy reqate namaz dhe ia mësoi të verbërit lutjen që duhej të bënte gjersa t’i shëroheshin sytë. Ai veproi siç u porosit dhe u shërua.
Njohja e Profetit nga kafshët
Duke u nisur për në hixhret, Profeti qe fshehur në një shpellë së bashku me Ebu Bekrin. Atëherë, një merimangë e kishte mbyllur hyrjen e shpellës duke thurur një pezhishkë që zinte tërë hyrjen. Dhe politeistët që i kërkonin të dy shokët gjithandej, patën ardhur edhe te hyrja e asaj shpelle, por, kur patën parë se hyrja e saj ishte e zënë e gjitha me një pezhishkë merimange, patën kujtuar se aty s’mund të kishte hyrë njeri dhe qenë kthyer.
Xhabir b. Abdullah tregon:
Gjatë një ekspedite ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut dhe ecnim krah për krah. Ndërkaq, deveja ime mbeti pas.
I Dërguari i Allahut u kthye dhe e nxiti devenë time për të ecur më shpejt. Deveja u hodh para dhe nisi të ecte aq shpejt, sa, për t’i dëgjuar fjalët e të Dërguarit të Allahut, tashmë më duhej t’ia shtrëngoja frerët që të ecte më ngadalë, por, prapëseprapë, s’e ndaloja dot!
Enes b. Malik tregon:
Një grua çifute prej Hajberi i solli të Dërguarit të Allahut një qengj të gatuar por të helmuar dhe ai hëngri. Pastaj gruaja u suall para të Dërguarit të Allahut dhe ai e pyeti se pse e kishte bërë këtë.
“Desha të të helmoj që të vdesësh!” – I tha gruaja.
“Allahu s’të lëshon ty mbi mua që të më bësh keq!” – Ia ktheu i Dërguari i Allahut.
Kurse në rrëfimin e Ebu Davudit shënohet se vetë shpatulla e qengjit tregoi se ishte e helmuar.
Hz. Aisheja tregon:
Në dhomën e të Dërguarit të Allahut kishte një zog që, kur dilte ai jashtë, këndonte, luante, lëvizte andej-këtej, por, kur i Dërguari i Allahut hynte brenda, qetësohej dhe nuk bënte zë fare që të mos e shqetësonte.
Enes b. Malik tregon:
I Dërguari i Allahut ishte më i bukuri, më bujari dhe më i guximshmi i njerëzve. Një natë, popullsia e Medines u tremb me të vërtetë dhe disa njerëz shkuan në drejtimin nga vinte zëri. Ndërkaq, i Dërguari i Allahut që kishte shkuar para tyre, po kthehej. Kishte hipur mbi një kalin e pashaluar të Ebu Talhait dhe po u thoshte njerëzve:
“Mos u frikësoni, mos u frikësoni!”
Kurse Ebu Talhait i tha se e kishte kapur kalin në revan. Ai kalë njihej si i pashtruar. Mirëpo atë ditë e pas u bë i urtë e i shtruar.
Dëshmimi i maleve dhe gurëve për Profetin
Hz. Xhabiri tregon: I Dërguari i Allahut na tha: “Njoh në Mekë një gur që, para se të bëhesha profet, më përshëndeste. Unë edhe tani e njoh mirë atë!”
Abdullah b. Mesud tregon: “Kur hanim gjellë bashkë me të Dërguarin e Allahut, dëgjonim se si gjella e madhëronte atë!”
Muslimi na përcjell prej Ebu Hurejres: I Dërguari i Allahut, Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu, Talhai dhe Zubejri ndodheshin në majë të malit Hira. Ndërkaq, mali nisi të dridhej (nga gëzimi ose dashuria).
Atëherë, i Dërguari i Allahut iu drejtua malit me këto fjalë: “Qetësohu, Hira, se mbi ty është një profet, një besnik dhe një dëshmor!”
Mbrojtja e Profetit si një mrekulli
Sipas rrëfimit të Xhabir b. Abdullait që pati marrë pjesë në ekspeditën Dhatur Rika, në kthim, Profeti pati dhënë pushim diku rreth një oazi, pati zbritur nga kali dhe, si të tjerët që ishin shpërndarë nën hijet e pemëve, qe shtrirë nën një pemë për të pushuar pasi e kishte varur shpatën në një degë të saj. Xhabiri thotë se kishin pak që i kishte zënë gjumi kur kishin dëgjuar zërin e Profetit që po i thërriste. Ata ishin ngritur dhe kishin shkuar pranë Profetit. Pranë tij kishin gjetur një arab beduin. Profeti u kishte treguar se ç’i kishte ngjarë me beduinin.
“Kur unë po flija, ky beduin arab kishte ardhur, kishte rrëmbyer shpatën time prej dege dhe, sapo e nxirrte nga milli, mua më doli gjumi. Në dorë mbante shpatën time të zhveshur! Ky më tha:
“A po ke frikë nga unë tani?”
Unë iu përgjigja:
“Jo, nuk kam!”
“Po kush do të të mbrojë tani nga goditja ime?” – Më pyeti ky.
“Allahu do të më mbrojë!” – I thashë unë. Atëherë, Xhebraili e goditi me një grusht në gjoks këtë, kështu që i ra shpata nga dora. Unë e rrëmbeva shpatën dhe i thashë:
“Po ty, kush do të të shpëtojë tani prej meje?”
“Askush s’më shpëton dot!” – Më tha ky beduin.”
Ebu Hurejre tregon:
Duke e pasur fjalën për sexhden, Ebu Xhehli na tha:
“Akoma Muhammedi i juaj e fërkon fytyrën për dheu?”
“Po!” – Iu përgjigjëm ne.
Atëherë ai tha:
“Betohem në Latin dhe Uzën se, po ta shoh duke vepruar kështu, do ta shkel mu në zverk! Ose do t’ia ngul fytyrën në tokë!”
Më pas, Ebu Xhehli i shkoi pranë të Dërguarit të Allahut tek po falte namaz. Sapo do ta ngrinte këmbën për ta shkelur, siç e kishte qëllimin për të cilin i kishte shkuar aty, befas e la dhe u zbraps me ngut duke mbrojtur fytyrën me pëllëmbë. Ata që ndodheshin aty pranë, e pyetën:
“Ç’të ndodhi”?
“Me të vërtetë, mes atij dhe meje u shfaq një hendek i zjarrtë, një gjë e frikshme dhe ca flatra…” – Tha Ebu Xhehli.
Kurse i Dërguari i Allahut tha:
“Po të më afrohej, engjëjt do t’ia kishin këputur gjymtyrët një e nga një!”
Hz. Aisheja tregon:
Gjersa zbriti ajeti që thoshte, “pa dyshim, Allahu do të të mbrojë ty nga njerëzit”, i Dërguari i Allahut mbrohej nga sahabet, shokët e tij. Pas zbritjes së këtij ajeti, ai u tha shokëve: “O njerëz, shpërndahuni, se tani mua më mbron Zoti im!”
( Vazhdon )