Morali i besimtarit

Morali përfshin të gjithë mënyrën e sjelljes, veprave dhe qëndrimeve të një personi. Ai përfshin karakterin, mënyrën e të folurit, gjykuarit, reagimit dhe deri te mënyra e heshtjes. Morali është një sistem i bukur rregullash, me anë të zbatimit të së cilit njeriu i përfton jetës së tij një kënaqësi të madhe.

Besimtari është gjithmonë në kërkim të këtij thesari kaq të çmuar. Ai e sheh veten të mangët pa këtë moral dhe përpiqet që gjithnjë adhurimeve të tij t`i shoqërojë rregullat e tij të arta. Besimtari është gjithnjë i moralshëm në adhurimet e tij karshi Krijuesit, është i përulur, falënderues, mirënjohës dhe sjelljebutë. Ai që është i pajisur me këtë thesar kaq të mrekullueshëm rrezaton veç dritë dhe Zoti e ngre pozicionin e tij në këtë botë dhe në botën tjetër.

Kur flasim për moralin duhet patjetër që të përmendim njerëz, që janë dalluar me të dhe që janë shembuj të mirë për ne, e për mbarë njerëzimin. Përfaqësuesi, shembulli më i lartë i kësaj është Profeti Muhamed (a.s.). Vetë Zoti i Madhëruar në Kur`anin Famëlartë e lavdëron ku thotë: “Vërtet ti o Muhammed je në një shkallë të lartë morali”.[1]

Ai e arriti me anë të jetesës së tij atë shkallë të lartë morali, e cila lavdërohet dhe dëshirohet prej Krijuesit tonë. Ai ishte dërguar pikërisht për të thënë fjalën e fundit për moralin, e për të plotësuar moralet e larta. E gjithë jeta, të gjitha përpjekjet dhe dëshira e tij ishte ta plotësonte sa më shumë qenien njerëzore, t`i tregonte atyre kuptimin e jetës, e t`i bënte që në çdo moment të ishin në shoqërinë e engjëjve të lartë.

Historia gjithnjë vazhdon të dëshmojë se Profeti ynë i dashur, ia arriti qëllimit të tij përsosjes së moralit njerëzor. Shokët e tij dhe të gjithë besimtarët vazhdojnë të përfitojnë nga ai stil jetese aq i veçantë dhe kuptimplotë. Padyshim që çdo besimtar ka nevojë për atë bukuri e hijeshi që të fal morali i mirë. Ai me anë të tij e zbukuron veten me sjellje, fjalë, mendime dhe qëndrime pozitive. Atij i ka hije turpi, heshtja, fjala aty ku nuk është e tepërt, modestia dhe serioziteti. Fjala për të është e çmuar, heshtja e tij flet shumë dhe frymëmarrja i llogaritet adhurim.

Besimtari, kur ecën mbi tokën e Allahut, ecën me modesti, i qetë në hapin e tij dhe në fytyrë i shndrit drita e besimit. Çdo njeri ndihet i sigurt prej tij, i pëlqen të shoqërohet me të  dhe ndien mall kur ai largohet. Besimtari kurdoherë është i buzëqeshur dhe i këndshëm. Të falë buzëqeshje, për  të është si të dhurojë lëmoshë dhe kështu mundohet që të japë sa më shumë prej saj. Është ky njeri që ndryshe nga të tjerët, belbëzon e thotë me vete këto fjalë:

– Ah, të hedh një hap drejt teje o i Dashuri im, është për mua fitim i madh dhe lumturi! Te bëj diçka nga morali i keq është për mua largim nga Ti dhe lëndim për zemrën time!

– Zoti im, Ti e do moralin e mirë, e do sjelljen e butë, modestinë e besimtarit, fjalën e mirë, e të drejtë, e unë nuk ka sesi mos të jem i tillë!

– Ti, o Zoti im, e do urtësinë, e unë nuk ka sesi të mos jem në kërkim të saj. Ajo është sendi im i humbur, që unë gjithnjë mundohem ta gjej!

– Ti, ma dhurove gjuhën, e unë po flas fjalë të mira me të. Me të po të përmend Ty, po të lutem, e me të po e lexoj librin tënd dhe po e dëshmoj madhështinë tënde!

– Ti, mi dhe sytë, e unë me to po shikoj bukuritë e krijimit Tënd. Po qaj prej mallit, e frikës prej teje; lot, i cili është shpëtimi im dhe fitim në botën tjetër!

– Ti më dhurove çdo organ, por mbi të gjitha një zemër që të njeh Ty. Zemër e cila mund të ‘nxë’ madhështinë Tënde dhe e cila është e zbukuruar me besimin tek Ti!

E pra, ky moral kaq i mrekullueshëm është ai, i cili i dallon njerëzit nga njëri-tjetri dhe i ngre disa prej tyre në shkallët më të larta. Me anë të tij, ky njeri garon me engjëjt e lartë dhe arrin në sajë të tij aq lart, saqë edhe ata e kanë zili. Çdokush ka nevojë të përfitojë prej këtij morali, të cilin na e mëson feja jonë Islame. Ajo e nxit njeriun, që gjithnjë të jetë në kërkim të këtij morali, të jetë zbatues i tij dhe gjithashtu përcjellës te të gjithë njerëzit e tjerë.

Morali islam edukon çdo organ të trupit tonë, çdo sjellje tonën dhe ai gjen vend në çdo aspekt të jetës sonë. Ai na e vijëzon rrugën, e cila na bashkon me çdo njeri dhe na çon shumë lehtë te Krijuesi ynë. Na fton të gjithëve të garojmë në garat, ku marrin pjesë njerëzit e mëdhenj dhe kështu edhe ne bëhemi pjesë e shoqërisë së tyre. Morali i mirë është fryti më i mirë, i cili na çon gjithnjë drejt suksesit dhe plotësimit të idealeve të larta.

[1] Kuran 68/4.

Postime të ngashme