Mekanizmat mbrojtës në enët e gjakut

Gjaku i cili pompohet nga zemra, rrjedh nëpër enët e gjakut drejt të gjithë organeve dhe transporton oksigjenin dhe përbërësit ushqimor në të gjitha qelizat e organizmit. Në gjendje normale rrjedhja e gjakut nëpër enët kryhet lirshëm, pa asnjë pengesë gjatë rrugës dhe kjo është jetike për shëndetin e organizmit. Nëse muri i enës së gjakut dëmtohet, aty gjaku fillon të mpikset duke përbërë një proces fiziologjik natyral shumë të rëndësishëm të mbrojtjes së tyre. Normalisht, hemorragjia nga trauma ose nga sëmundjet e ndryshme ndalohet nga formimi i trombit, që është rezultat i koagulimit të gjakut për gati 5 minuta. Ky proces mbrojtës i vendosur në trupin tonë nga Allahu i Gjithëdijshëm, parandalon rrjedhjen e lirë të gjakut jashtë enës, në mungesë të së cilit i gjithë gjaku jonë do të dilte jashtë derisa të zbrazej plotësisht. Meqë dëmtimet e vogla të enëve të lëkurës janë pjesë e jetës së përditshme dhe pothuajse janë të pashmangshme, atëherë jeta do të ishte gjithmonë në rrezik po të mos ekzistonte ky mekanizëm mbrojtës. Pra, mpiksja e gjakut në enën e dëmtuar është një mirësi, por nëse mpiksja do të vazhdonte për shumë gjatë, atëherë ajo do ta bllokonte në mënyrë të shpejtë gjithë hapësirën e vogël të enës së gjakut duke e bërë rrjedhjen të pamundur. Dikush mund të mendonte se me kalimin e shumë viteve ena e gjakut do të çahej nga rrjedhja e fuqishme e gjakut sidomos në arteriet, por Zoti i gjithësisë e ka pajisur murin e enës me një mjet që ul fërkimin në minimum për të siguruar një rrjedhje të butë dhe ena e gjakut të mbetet funksionale për shumë vite. Kjo realizohet nga një shtresë qelizash të sheshta që veshin enët e gjakut nga brenda dhe prodhojnë këto lëndë rrëshqitëse dhe një sërë lëndësh të tjera që më parë nuk njiheshin fare nga shkencëtarët. Ena e gjakut përveç shtresës së brendshme që quhet endotel ka edhe shtresën e muskulaturës së lëmuar e cila është përgjegjëse për qëndrueshmërinë dhe tonusin e enës. Sot njihet më mirë roli i endotelit i cili shkon përtej një barriere fizike sepse është zbuluar se qelizat e tij prodhojnë rreth 25 substanca që luajnë rol në koagulimin e gjakut, shumimin qelizor, përshkueshmërinë e kapilarëve dhe sistemin imunitar. Sipërfaqja totale e endotelit në të gjithë organizmin është rreth 5000-6000 m2, peshon rreth 2.5 kg dhe ka një gjatësi prej 96,000 km. Gjaku që vjen nga arteriet kalon deri në nivelin e kapilarëve dhe më pas në vena. Në kapilarë kryhet shkëmbimi i gazeve, lëngjeve dhe përbërësve ushqimor në mënyrë që indet të marrin furnizimet e nevojshme për të jetuar. Nga ana tjetër, produktet përfundimtare të metabolizmit kthehen në kapilarë për t’u filtruar nga veshkat dhe mushkëritë. Ky shkëmbim i lëndëve bëhet i mundur falë disa hapësirave të vogla që ndodhen në qelizat endoteliale të cilat realizojnë përshkueshmërinë e tyre. Në disa sëmundje si inflamacioni ose insuficienca kardiake rritja e presionit brenda kapilarëve bën që sasia e lëngjeve që del nga kapilari të jetë më e madhe se ajo që futet duke dhënë si rezultat ënjtjen në atë zonë (edemën). Inflamacioni nga ana tjetër nuk është diçka e dëmshme për organizmin, por një mekanizëm mbrojtës me te cilin Zoti e ka pajisur trupin tonë në rast dëmtimesh. Për shembull, inflamacioni që zhvillohet përreth vendit të pickimit të një blete është i dobishëm sepse pengon përhapjen e helmit në organizëm. Edhe në këtë rast qelizat e endotelit kanë funksione shumë të rëndësishme. Ato prodhojnë substanca që zgjerojnë kapilarët dhe hapësirat e vogla të tyre në mënyrë që lëndët të lëvizin lirisht nga njëra anë e kapilarit në tjetrën.

Ekuilibrimi i presionit të gjakut

Shtresa e muskulaturës së lëmuar stimulohet nga substanca të çliruara nga qelizat endoteliale duke kontrolluar tkurrjen dhe lëshimin e enës së gjakut. Në këtë mënyrë rregullohet presioni i gjakut në enët falë këtyre qelizave. Gjatë një infeksioni bakteret të cilat qarkullojnë në gjak bëjnë që presioni i gjakut të bjerë ndjeshëm (shok septik). Substancat vazoaktive çlirohen me shumicë nga endoteli duke i lëshuar arteriet dhe venat në atë pikë që të kemi hipotension (tension i ulët) deri në shok hipovolemik. Nga ana tjetër në probleme si arterioskleroza, endoteli nuk e kryen siç duhet funksionin dhe mungesa e oksidit nitrik i bën ato të pandjeshme nga substancat vazoaktive gjë e cila çon në një tjetër situatë që është hipertensioni arterial (tensioni i lartë i gjakut).

Qelizat endoteliale parandalojnë hemorragjinë

Në rast hemorragjie, ena e gjakut duhet të ngushtohet për të minimizuar humbjen e gjakut. Ky veprim është shumë i rëndësishëm në çastet e para veçanërisht nëse ekziston një çrregullim i sistemit të koagulimit të gjakut. Kur ena e dëmtuar humbet gjak qelizat e endotelit fillojnë të prodhojnë një substancë që quhet endotelinë. Kjo bën të mundur ngushtimin e murit të enës duke tkurrur muskulaturën e lëmuar të saj. Endotelina nuk prodhohet në gjendje normale, por vetëm gjatë dëmtimit të enës. P.sh. kur pritet kordoni umbilikal i fëmijës së porsalindur kjo substancë parandalon rrjedhjen e gjakut nga trupi i fëmijës.

Qelizat endoteliale në koagulimin e gjakut

Detyra e qelizave endoteliale është të favorizojë ose të pengojë koagulimin e gjakut në varësi të situatës. Së pari, ato pengojnë ngjitjen e rruazave të gjakut me murin e enës duke parandaluar kështu mpiksjen e tij. Imagjinoni një tub në të cilin rrjedh ujë. Shpejtësia e rrjedhjes është më e madhe në qendër sesa në periferi të tubit duke bërë që kripërat të depozitohen në muret e brendshme në formë bigori. Edhe në enët e gjakut rrjedhja e tij është më e ngadaltë se në periferi por qelizat e gjakut nuk ngjisin me murin e enës. Kjo ndodh sepse Allahu i ka krijuar rruazat e gjakut dhe qelizat endoteliale të enës me ngarkesa negative të njëjta të cilat shtyhen me njëra tjetrën dhe falë një substance që quhet prostaciklinë e cila ndryshon formën e trombociteve që ato të mos ngjisin. Në rast të disa sëmundjeve që dëmtojnë endotelin në mënyrë kronike si diabeti, hipertensioni arterial ose duhanpirja mekanizmat mbrojtës nuk funksionojnë dhe mpiksja e gjakut në ene çon në trombozë. Në varësi të arteries së bllokuar nga tromboza, pasojat mund të jenë paraliza, infarkte dhe në jo pak raste vdekje. Nga ana tjetër, siç e përmendëm më lart janë po këto qeliza të endotelit që e favorizojnë mpiksjen e gjakut në rast dëmtimi të enës.

Qelizat endoteliale në palcën e kockave, mëlçi dhe shpretkë

Si një mirësi e Zotit të Gjithëmëshirshëm, qelizat endoteliale të këtyre organeve formojnë hapësira më të mëdha se në organet e tjera për arsye se këtu përveç shkëmbimit të gazeve dhe lëndëve ushqyese duhet të shkëmbehen edhe qelizat e gjakut, gjë e cila nuk ndodh në organet të tjera. Pra, rruazat e kuqe, të bardha dhe trombocitet e plakura largohen nga qarkullimi dhe i hapin rrugë rruazave të reja të futen në qarkullim , kështu që gjaku qëndron gjithmonë i freskët.

Qelizat endoteliale në tru dhe në sy

Qelizat endoteliale në organe si truri dhe syri janë të ngjitura fort me njëra tjetrën duke formuar një barrierë përzgjedhëse midis gjakut dhe qelizave të këtyre organeve. Elementët ushqyes si glukoza dhe oksigjeni kalojnë pa asnjë vështirësi, por substanca të tjera përfshirë edhe medikamentet nuk mund të kalojnë përmes kësaj barriere. Eksperimente të ndryshëm kanë vërtetuar se nëse një substancë e dëmshme futet në organizëm ajo mund të hyjë në të gjitha organet përveç trurit. Falë këtij mekanizmi mbrojtës, truri si organi më i ndjeshëm është i mbrojtur nga këto substanca të dëmshme. As edhe një qelize e vetme nuk është lënë në dorë të rastësisë, por duket se çdo gjë është vënë në vendin e duhur në harmoni të plotë me qëllimin dhe funksionin që duhet të kryejë në organizmin njerëzor.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: