Llojet e mendjemadhësisë
Mendjemadhësia mund të ndahet në tre lloje; mendjemadhësia ndaj Allahut, Profetit (a.s) dhe ndaj njerëzve. Mendjemadhësia më e rëndë është ajo e treguar ndaj Allahut të Lartësuar. Kurani, na tregon dëmet e mendjemadhësisë dhe privimet që na vijnë, për shkak të saj si më poshtë:
“Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që, padrejtësisht sillen me arrogancë në Tokë, kështu që edhe kur të shohin çfarëdo shenje, nuk do ta besojnë atë!” (Araf, 7/146)
Mendjemadhësia ndaj Zotit vjen në kuptimin e kundërshtimit dhe të mohimit.
Lloji i dytë i mendjemadhësisë është ai i treguar ndaj të Dërguarit të Allahut (a.s). Mohuesit i konsideruan profetët njerëz të njëjtë si ata, u treguan krenarë ndaj tyre dhe nuk iu bindën. Ata nuk u kënaqën me përzgjedhjen e tyre nga Zoti i gjithësisë dhe u treguan arrogantë. Për shembull, njerëz si këta u thanë profetëve: “Ju jeni vetëm njerëz si ne.” (Ibrahim, 14/10) “Ky është vetëm një njeri si ju, ha nga ato që hani edhe ju dhe pi nga ato që pini edhe ju.” (Muminun, 23/33)
Ata panë vetëm anën e tyre njerëzore dhe e mohuan misionin e tyre të lartë. Për më tepër, kur mohuan profetësinë e Muhamedit (a.s) disa thanë: “Sikur t’i kishte zbritur ky Kuran ndonjë njeriu të madh prej njërit nga këto dy qytete!” (Zuhruf, 43/31)
Të gjitha këto thënie janë shfaqje e mendjemadhësisë së njerëzve të mohimit.
Lloji i tretë i mendjemadhësisë është ai i shfaqur kundrejt njerëzve të tjerë. Ky e ka burimin në nënçmimin e njerëzve dhe në konsiderimin e vetes si shumë të lartë. Mirësitë që Allahu i ka dhënë njerëzve, si bukuria, pasuria, prejardhja, dija, puna, zgjuarsia, pozita, fama dhe të ngjashme si këto, në vend që të jenë mjet për falënderim, mund të bëhen edhe shkak i mendjemadhësisë.
Ky lloj i mendjemadhësisë edhe në mos qoftë aq i rrezikshëm sa dy të parat, me shumë gjasa e ka burimin te njëra prej tyre. Një njeri që e mban veten kryelartë ndaj të tjerëve, me kalimin e kohës mund të krenohet edhe ndaj Profetit dhe Allahut. Kundërshtimi i njeriut i disa adhurimeve dhe problemet që has gjatë tyre, mund të përmenden si një shembull i kësaj gjendje.
Lutemi që gjithmonë ta dimë kufirin tonë!