Mburrja
Ka njerëz që mburrjen e shohin si virtyt. Disa mendojnë se të vetëmburresh është e nevojshme për të ecur përpara dhe për të rritur respektin e vetvetes. Në fjalorin tonë të përditshëm, mburrja njihet edhe si mendjemadhësi.
Është e pranueshme të krenohesh për arritjet dhe të flasësh për to me miqtë e të afërmit e tu dhe të falënderosh Allahun për aftësitë dhe të mirat që të ka dhënë. Por nuk mund të thuhet po kjo gjë për ata që jetojnë sipas motos: “krenohu për gjithçka që ke bërë!”. Atëherë kjo kthehet në mburrje.
Zakonisht mburrja, seriozisht apo me shaka, i bën të tjerët që dëgjojnë nervozë dhe ndonjëherë ziliqarë. Ai që mburret lavdëron vetveten, ndërkohë që çdo talent që kemi, nuk është gjë tjetër veçse një dhuratë e Allahut dhe lavdia i përket Atij.
Talentet dhe cilësitë e mira të njeriut nuk kanë nevojë të reklamohen, ato bëhen të njohura nga të tjerët që i shohin dhe i dëgjojnë.
Ruaju që cilësitë e tua të mira të mos bëhen dobësi për ty! Shtoji virtyteve të tua thjeshtësinë, sepse ajo e rrit respektin tënd në sytë e të tjerëve, ajo e ndihmon njeriun të krijojë marrëdhënie të mira me të tjerët dhe të fitojë pëlqimin e Allahut.