Kur Mevludi kthehet në traditë

“Xhenetlinj kush të donë për me kanë

Mustafasë i çon salat dhe shumë selam” 

Tahir Popova “Mevludi”

Ç’është dhe si festohet mevludi?

Ditëlindja e Profetit (a.s.), është një ngjarje e shënuar që festohet me gëzim e kënaqësi të veçantë nga të gjithë besimtarët islamë. Përkujtimi i këtij përvjetori në vazhdimësi ka qenë burim frymëzimi për studime, krijimtari e botime të ndryshme fetare, letrare, historike, shkencore, kulturore e pedagogjike, që kanë shërbyer e shërbejnë për realizimin e misionit të tij.[1] “Kjo ceremoni e quajtur mevlud, simbolizon dashurinë dhe përkushtimin e besimtarit islam ndaj Krijuesit dhe krijesës më të dashur te Allahu (xh.sh.) dhe përfundon me dashurinë e tij ndaj asaj që e rrethon njeriun. Si i tillë, mevludi ngërthen në vetvete veprime të ndërthurura duke filluar nga leximi i Kuranit famëlartë, këndimi i salavateve edhe selameve mbi Muhamedin (a.s), përshkrimit të jetës profetike, duke nxjerrë porosi dhe mesazhe për jetën tonë të përditshme, dëgjimin e ligjëratave dhe porosive hyjnore, që kanë të bëjnë me besimtarin islam e deri te lutja e përbashkët.”[2]

Vargjet poetike, harmonia e ritmit, uljet dhe ngritjet e intonacionit, figurat letrare, ngërthehen së bashku për t’i dhënë jetë Mevludit, veprës së letërsisë islame kushtuar Njeriut të dimensioneve të veçanta, Profetit Muhamed (a.s.). Një vepër e tillë, ku përshkruhet jeta e Profetit përmes vargjeve poetike, këndohet nëpër faltore dhe nëpër shtëpi, në ditën e 12 të muajit Rebiul Evvel, si dhe në ditët e tjera deri në mbarim të muajit apo edhe në raste përkujtimesh.

Mevludi historikisht është organizuar në formë ceremonie në shtëpi ose faltore, ku këndohen pjesët më të spikatura prej hafizësh ose të tjerëve, por që kanë zë të bukur të kadiencës së stilit oriental. Pas faljes dhe këndimit të mevludit ka qenë zakon qerasja me gjëra të sheqerosura (kryesisht sherbet) më pas këndoheshin salavate e ilahi.[3]

Mevludi tek shqiptarët

Myslimanët në Shqipëri ashtu sikurse edhe anekënd botës përkujtojnë ditën e lindjes së udhëzuesit të mbarë njerëzimit. Por mevludi nuk ka lindur në Shqipëri, kremtimi i tij në botën islame i ka fillesat në Egjiptin e largët (909-1171), prej nga ku u përhap në popujt myslimanë në çdo cep të globit.

Kremtimi i mevludit në trevat shqiptare nuk dihet se kur ka filluar ekzaktësisht, por ajo që dihet është se mevludi i parë i shkruar si krijimtari artistiko-letrare te shqiptarët i takon shekullit XVIII, pikërisht periudhës së Rilindjes Kombëtare, i shkruar nga rilindësi i shquar, Hasan Zyko Kamberi. Ndërsa në fundshekullin e XX-të, libri që ka depërtuar më tepër në shtëpinë e myslimanëve është ai me titull “Mevludi Sherif” i Hafiz Ali Riza Ulqinakut. Sot  njihen 20 mevlude të shkruar nga autorë të ndryshëm shqiptarë.

Edhe pse i vogël populli ynë ka një kulturë të pasur dhe tradita të shquara në trajtimin e tematikës fetare islame në letërsi. Numri i madh i mevludeve të shpërndarë në treva të ndryshme shqiptare dhe në diasporë, pasqyron një botë të çmueshme të kulturës islame të popullit tonë. Shumësia e këtyre veprave ka bërë që në zona të ndryshme në trojet shqiptare të njiheshin mevlude të ndryshme. Në Shkodër e rrethina këndohet mevludi i Hafiz Ali Riza Ulqinakut, në Kosovë këndohet ai i Tahir Popovës, në Çamëri ai i Hasan Zyko Kamberit dhe në Juglindje të vendit ai i Hafiz Ali Korçës.[4] Ky i fundit njihet për gjuhën e tij bashkëkohore me një konceptim të ri në radhët poetike.

Pas rënies së Perandorisë Osmane, kushtëzuar nga rrethanat ideo-politike që dominonin në Ballkan, ku siç dihet Shqipëria ishte e rrethuar dhe e rrezikuar nga të katër anët, me qëllim asimilimin e popullsisë shqiptaro-islame, një rol të rëndësishëm në parandalimin e këtij fenomeni ka luajtur edhe vetorganizimi i myslimanëve përmes formave dhe mjeteve të ndryshme, përfshirë këtu edhe organizimin e ceremonisë së mevludit.

Pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria u “pushtua” nga regjimi monist, i cili gradualisht po ngushtonte frymëmarrjen e myslimanëve.[5] Regjimi shkatërrues komunist vazhdoi me rrënimin e një numri të madh të objekteve të kultit, arrestimin dhe ekzekutimin e dijetarëve islamë, censurën ndaj jetës islame, zhduku shumicën dërrmuese të botimeve, etj. Në këtë panoramë të trishtë dhe të dhimbshme për myslimanët, dijetarët islamë hartuan strategji, duke kërkuar e gjetur rrugëdalje për ruajtjen e Islamit përballë rrezikut që i kanosej. Padyshim që, në rrethana të tilla një nga mënyrat për ruajtjen e Islamit ishte edhe ceremonia e mevludit që organizohej nëpër familje. “Kjo formë e organizimit të myslimanëve, është dëshmi e qartë se udhëheqësit islamë dhe në kohët më të vështira, kur dominonte censura e sistemit monist, ditën që me mençuri dhe sakrifica të mëdha të mbajnë gjallë dhe të organizuar Islamin dhe myslimanët në këto troje, dhe atë pikërisht përmes mevludeve.”[6]

Në fillesat e tij (mevludit) në Shqipëri, besimtarët tradicionalisht informoheshin nga ligjëratat që mbaheshin në xhami, por edhe nga flamujt që vendoseshin nëpër minaret e xhamive. Kështu kur ata shihnin flamujt tek valëviteshin nëpër minare në mos mevludi e kuptonin se kishin të bënin me një ngjarje të rëndësishme. Flamujt gjithashtu nxisnin besimtarët të falënderonin Zotin dhe të përkujtonin lindjen e të dashurit të Tij, Muhamedit (a.s.). Organizimi publik i ceremonisë së Mevludit në trevat shqiptare filloi në dekadën e fundit të shekullit XX, pasi më parë ishte eksluzivitet i xhamive, por edhe në shtëpi besimtarët këndonin mevlud në gjirin e tyre familjar.

Në kohën kur në Shqipëri shumica e popullsisë ishte analfabete dhe në kushtet e mundësive të pakta të botimeve, letërsia artistike njihej nga një pakicë e intelektualëve, ndërsa me mevludet ndodhi e kundërta; ata nuk u harruan dhe nuk humbën, por u njohën e u mbajtën mend në masë të gjerë, pasi “përmes formës letrare artistike të shprehjes, kishin një melodi të caktuar, gjë që ndikoi fuqishëm në përhapjen dhe ruajtjen e tyre”[7]Bazuar në traditën profetike, dijetarët tanë të hershëm e kishin kuptuar mirë se përhapja e Islamit dhe qëndrimi në kontakt me besimtarët dhe popullin mund të realizohej më së miri përmes mjeteve legjitime, siç ishte edhe mevludi.

“Kur mjetet e thirrjes islame janë shumë të zgjeruara dhe të elektornizuara, të shpejta dhe efikase, edhe pse aty këtu dëgjohen disa zëra kritik ndaj kësaj ceremonie duke harruar realitetin nëpër të cilin kanë kaluar…, rolin dhe rëndësinë e organizimit të mevludit nëpër familjet tona nuk mund ta zëvendësojë asnjë mjet apo medium tjetër, sepse të gjitha këto janë të vobekta me shpirtin manifestiv që krijon mevludi në familje.”[8]

Festimi i mevludit vazhdon të jetë kënaqësi e veçantë për myslimanët. Ai ende gjallon, lexohet e këndohet duke mos u lënë në harresën e bibliotekave moderne, siç zakonisht ndodh me libra e vepra të tjera të klasikëve të mëdhenj botërorë. Përkushtimi në këtë ditë të madhe (ditën e lindjes së Profetit) simbolizon dashurinë, respektin dhe përkujdesjen që shfaqin pasuesit e rrugës së tij. “Edhe ne si pjesëtarë të shoqërisë së madhe islame në botë, gjithnjë këtë ditë e kemi pritur në mënyrën më të mirë, traditë kjo e cila po vazhdon edhe sot”[9]

Roli i mevludit në shoqërinë tonë

Mevludi është kënduar dhe këndohet gjithandej, në xhami, medrese, mektebe dhe në shtëpitë e myslimanëve. Në kohën e regjimit komunist besimtarët myslimanë ishin jashtë xhamive, mevludi ishte manifestimi gati i vetëm ku ulemaja[10] komunikonin me besimtarët. Edhe në këto kohë të vështira mevludi nuk u shua kurrë. “Ishte manifestimi i mevludit që arrinte t’i tubonte besimtarët në manifestim në një vend jashtë xhamisë, kurse vargjet e tij u mundësonin hoxhallarëve që të mbanin ligjërata. Me një fjalë, mevludi vazhdonte të gjallëronte, të këndohej dhe të ishte pjesë përbërëse e jetës ndër besimtarët islamë.”[11]

“Përmes tij synohet nderimi ynë ndaj personalitetit të Muhamedit (a.s.), zgjerimi i horizonteve tona fetare e kulturore, mësimi i vlerave fetare, letrare, gjuhësore, historike, kulturore, etnografike dhe atdhetare të përmbajtjes, të formës e të ceremonialit të tyre, forcimi i frymës së bashkimit, mirëkuptimit, bashkëpunimit e tolerancës midis njerëzve në përgjithësi si krijesa të Zotit”.[12]

Duket se dashuria, respekti dhe përkushtimi ndaj Zotit, të dërguarit të Tij dhe Islamit, janë motive të mjaftueshme që në mesin e myslimanëve e në trevat tona në veçanti, të formohet një traditë për të bërë parapërgatitjet shpirtërore dhe materiale të nevojshme për pritjen madhështore të muajit të agjërimit dhe pritjen e muajit Rebiul Evvel (Mevludit).[13]

“Hartimi dhe manifestimi i mevludit ka luajtur një rol me rëndësi në ruajtjen e identitetit fetar. Ai ka mbajtur gjallë, ka freskuar, ka motivuar dhe ka ushqyer shpirtin e myslimanëve me biografinë e ndritur të Pejgamberit (a.s.), dhe për mësimet e tij.”[14]

Në atë kohë Kurani nuk ishte përkthyer në gjuhën shqipe, prandaj edhe në shumë raste mevludet veç jetës së Profetit kishin edhe mjaft njohuri të domosdoshme fetare për besimtarët dhe më tipiku ndër to është “Mevludi” i Hafiz Ali Ulqinakut.

“Kjo traditë e mevludeve nëpër familjet tona islame, ku ftoheshin familjarët, miqtë, fqinjët dhe dashamirët, përveç se shënonte gëzimin për lindjen e dritës së njerëzisë, mundësonte edhe mësimin e Islamit. Por ajo që është e pa kontestuar në këtë çështje, është gëzimi dhe hareja që përjetonin fëmijët e asaj familje, si dhe zgjerimi i rrethit ku njerëzit njiheshin dhe përforconin miqësinë e tyre mes veti.”[15]

Në trevat shqiptare mevludi ka luajtur një rol të rëndësishëm, qoftë në përhapjen e fesë islame, qoftë në ruajtjen e vlerave njerëzore në përgjithësi. Të paktën kështu e shohin studiuesit e Islamit. Veç të tjerash, mevludi ka edhe dimensionin e tij edukativ, arsimor e kulturor të gjithanshëm. Ai është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore letrare të shkruar “ai është pasuri gjuhësore dhe burim me interes për studime filologjike”[16]

Në librin “Mevludi në gjuhën shqipe”, dy profesorët e shquar shkodranë, Faik Luli dhe Islam Dizdari, bëjnë thirrje se ka ardhur koha që duke njohur vlerat e përgjithshme të mevludeve, ato të vendosen në programet e leximit letrar të letërsisë shqipe si dhe në antologjinë myslimane si pjesë e rëndësishme e kulturës sonë kombëtare.

Në rrugëtimin e tij të gjatë mes peripecish, pengesash e kritikash, mevludi trokiti në shtëpinë e çdo shqiptari, duke u kthyer në një traditë të bukur që trashëgohet brez pas brezi. Qoftë si vepër letrare, qoftë si ceremoni festive ai i mbijetoi dhe iu përshtat çdo sistemi, duke gjalluar ndër shqiptarët, lajtmotivi i të cilit është zgjimi e përforcimi i shpirtit islam, i besimit të përtej qiejve.

 

“Nur’ e hazretit Muhammed,

a e dinë bota vallë…?

ndë dynjat disa mijë vjet

që eci ballë më ballë..”. 

Hasan Zyko Kamberi “Mevludi”

 

“Erdh në dynja m’at sahat që u besue,

Gjithçka qe i jeratisun u shëndue.

Shpirt e pa shpirt, gur e dru thirrën me za,

Gjith i thojshin mirë se erdhe Mustafa”

 Hafiz Ali Ulqinaku“Mevludi Sherif”

 

“Kur kujtonte meqqen Muhamed Muhtari

Çurk i vinin lotët e syve nga zjarri

Nuk hante nuk pinte e kujdesur nuk flinte

Vatanin e bukur nga goja s’e linte”

 Hafiz Ali Korça “Mevludi”

 

[1] Faik Luli, Islam Dizdari – Mevludi në Gjuhën Shqipe  fq.16
[2] Po aty
[3] Po aty, fq.8
[4] Për më tepër shih “Mevludet në gjuhën shqipe” Faik Luli, Islam Dizdari
[5] Prof. Jusuf Zineni – Ndikimi i mevludit në fushën e thirrjes islame në trojet tona. Kumtesë e lexuar në sesionin shkencor “Mevludi tek shqiptarët” 29 prill 2009 Prishtinë. Botuar në librin me të njëjtin emër.
[6] Po aty
[7] Faik Luli, Islam Dizdari- Mevludi në gjuhën shqipe, fq.5
[8] Jusuf Zineni
[9] Dr. Xhahir Humti – Mevludi si mjet i ruajtjes së vleravefetare islame ndër shqiptarët – Mevludi tek shqiptarët, fq.118
[10] Dijetarët islamë
[11] Mr. Sadik Mehmeti – Rëndësia e mevludit në ruajtjen e vlerave fetare ndër shqiptarët
[12] Po aty
[13] Prof. Jusuf Zineni
[14] Mr. Sadik Mehmeti
[15] Po aty
[16] Dr.Sc. Nexhat Krasniqi – Dimensioni kulturor i Mevludit

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: