Kur dëgjohet vajtimi i trungut të hurmës
Na e tregon Xhabir bin Abdullahu r.a: “I Dërguari i Allahut s.a.s ishte duke mbajtur hutben e së premtes, kur u mbështet pas një peme hurme. Një nga ensarët i propozoi atij:
– “O Resulullah, nuk do të ishte keq sikur të të gdhendnim një minber, apo jo?” Dhe Profeti ynë i nderuar u përgjigj:
– “Po bëjeni, po të doni.”
Ata përgatitën menjëherë një minber. Erdhi dita e premte dhe i Dërguari i Allahut s.a.s u ngjit në minberin e ri për të mbajtur hutben. Në atë kohë, ajo pemë e hurmës ku ishte mbështetur një javë më parë filloi të vajtonte, duke lëshuar një zë prekës për të gjithë, që i ngjante më shumë një të qare fëmije. I Dërguari Fisnik s.a.s zbriti nga minberi dhe shkoi e përqafoi pemën. Edhe vajtimi i pemës filloi të ndryshojë, ashtu siç ndryshon e qara e fëmijës së qetësuar, që kërkon t’u bëjë pak naze prindërve të tij. Xhabiri thotë se:
– “Ajo pemë hurme qante sepse e kishin privuar nga të dëgjuarit e përmendjeve të Allahut që bëheshin rreth saj.”[1]
Teksa, në një transmetim që vjen prej Enesit r.a, thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.s ka thënë:
– “Unë i betohem Allahut, se në dorën e fuqisë së Tij është edhe fryma e Muhamedit; nëse nuk do ta kisha qetësuar unë atë pemë, nga mërzia se e kishin ndarë nga i Dërguari i Allahut ajo do të vazhdonte të klithte e të vajtonte deri në ditën e Kiametit. Derisa, në fund, i Dërguari i Allahut dha urdhër dhe pema u fut në dhe.”[2]
[1] Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/127.
[2] Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/126