Kuptimi dhe vlera e shkencës së Hadithit
Kuptimi terminologjik i fjalës ‘hadith’, ‘sunnet’, ‘haber’ dhe ‘ether’
Fjala hadith në gjuhën arabe ka kuptimin ‘lajm’ dhe ‘të folur përgjithësisht’. Në shkencën e hadithit, fjala hadith si shprehje profesionale ka domethënie të veçantë. Fjala hadith do të thotë, “ajo që Muhammedi s.a.s e ka thënë, e ka punuar, ose ka parë që dikush ka bërë diçka, e me heshtjen e vet këtë e ka lejuar dhe njeriun përkatës nuk e ka qortuar.” Në hadith bëjnë pjesë edhe ato lajme që flasin për karakteristikat e Muhammedit s.a.s. Duke pasur parasysh këtë, hadithi ndahet në katër lloje:
1. El-Hadithu-l-kaulij: ajo që Muhammedi s.a.s e ka thënë, psh: Profeti Muhamed s.a.s ka thënë: “Mysliman (i mirëfilltë) është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit myslimanët tjerë janë të qetë e të sigurt.” Më së shumti ka hadithe të këtij lloji.
2. El-Hadithu-l-fi’lij: ajo që Muhammedi s.a.s e ka punuar (vepruar), psh: “Ka shkuar Profeti a.s. te myslimanët e varfër, i ka vizituar dhe ka marrë pjesë në xhenazet e tyre.”
3. El-Hadithu-t-takririj: ajo që Muhammedi s.a.s e ka parë ose dëgjuar duke vepruar një mysliman, dhe këtë me heshtje e ka lejuar dhe të përmendurin nuk e ka qortuar, psh.:
“Rrëfen Xhabir b. Semure: “Kam ndenjur ulur me Profetin a.s. më shumë se qindra herë, e shokët e tij njëri-tjetrit i recitonin vjersha dhe përmendnin nga diçka nga periudha paraislamike, kurse ai heshtte dhe herë-herë me ta buzëqeshej”.
4. Në vendin e katërt vijnë hadithet që përmbajnë karakteristikat fizike ose shpirtërore të Muhammedit s.a.s dhe flasin për vetitë e Muhammedit s.a.s, psh.: “Ka qenë Profeti a.s. njeriu më i bukur sipas pamjes dhe më i miri sipas karakterit.” ose: “Profeti s.a.s. gjatë kohë heshte, kurse pak qeshej.”
Ky përkufizim i hadithit është i shtrirë në mesin e dijetarëve të hadithit. Ndërkaq disa konsiderojnë se hadithi ka domethënie më të përgjithësuar, dhe se hadith, sipas mendimit të tyre, quhen edhe thëniet e shokëve të Profetit s.a.s- as’habëve dhe thëniet e brezit pas tyre – tabiinëve. Ky përdorim është i rrallë ose tërësisht i mospërfillur.
Sunneti në gjuhën arabe ka kuptimin ‘veprim, mënyrë e sjelljes.’ Si term fetar sunneti përcakton veprimin e Muhammedit s.a.s dhe mënyrën e sjelljes së tij. Sunneti nganjëherë i përcakton edhe të gjitha hadithet e tij, dhe thuhet: Burimi i parë fetar është Kur’ani, kurse i dyti Sunneti. Në këtë kuptim shpesh përdoret edhe fjala hadith. Në fikh sunneti përcakton atë që me fe është e rekomanduar dhe që është e mirë të veprohet, e nuk është detyrim rigoroz.
Haber në gjuhën arabe ka kuptimin ‘lajm’, kurse në shkencën e hadithit nganjëherë përdoret si sinonim i hadithit, e nganjëherë ka domethënie më të gjerë sikur që e ka fjala ether. Me fjalë të tjera, fjala “ether” në gjuhën arabe ka kuptimin ‘gjurmë, mbetje dhe lajm’, kurse në shkencën e hadithit ka domethënie më të përgjithësuar se sa hadithi. Për këtë shkak thuhet: Çdo hadith është ether, kurse çdo ether nuk është hadith. Në pajtim me këtë, etheri nënkupton lajmet që kanë të bëjnë me Muhammedin s.a.s, as’habët, tabiinët dhe njerëzit e tjerë.
Vlera dhe rëndësia e Hadithit
Kur’ani është fjalë e Allahut xh.sh. që përmes melekut Xhibril a.s i është shpallur të Dërguarit të Tij, Muhammedit a.s. në kohëzgjatje prej 23 vjetësh. Hadithi, ndërkaq është gjithqka që Muhammedi a.s. ka folur, ka vepruar dhe ka pëlqyer. Me fjalë të tjera, përmes hadithit shprehet e tërë jeta dhe veprimtaria e Profetit Muhamed a.s. Nga kjo shihet qartë se Kur’ani dhe Hadithi janë burimet themelore të Islamit. Vlerën dhe rëndësinë e madhe të Hadithit e vë në dukje në radhë të parë vetë Kur’ani. Sa për ilustrim po i përmendim vetëm disa ajete të Kur’anit Famëlartë që flasin drejtpërdrejt për këtë qëllim:
“Ai (Muhammedi) nuk flet sipas dëshirës së vet.”[1]
“O ju që keni besuar ! Përuluni Allahut dhe përuluni të Dërguarit të Tij.”[2]
“E kush i nënshtrohet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë begati: me të dërguarit, me të drejtët, me dëshmorët (shehidët) dhe me njerëzit e tjerë të mirë. Ata janë shokë të mrekullueshëm!”[3]
“Me të vërtetë ju e keni shembull të mrekullueshëm të Dërguarin e Allahut.”[4]
“Thuaj (o Muhammed): nëse ju e doni Allahun, më pasoni mua (ndiqeni rrugën time) e Allahu do t’ju dojë juve dhe do t’ua falë gabimet (gjynahet) tuaja. Allahu është falës dhe mëshirues i madh.”[5]
“…atë që ua jep i Dërguari i Allahut, atë merreni, atë që ua ndalon lëreni.”[6]
Ç’donjëri që e lexon Kur’anin me vëmendje, do të vërejë se në të për disa çështje flitet në mënyrë të përgjithshme, pa hyrë në hollësi të problemit përkatës. Për shembull, sado që në shumë ajete të Kur’anit urdhërohet falja e namazit, askund nuk shpjegohet mënyra e faljes e as nuk jepen hollësi të tjera. Edhe dhënja e zekatit urdhërohet në shumë ajete por, megjithatë, përveç përcaktimit se kush duhet ta japë zekatin dhe kujt duhet t’i jepet ai, në asnjë ajet nuk thuhet më konkretisht se cila pasuri i nënshtrohet zekatit dhe sa duhet ndarë nga pasuria e cila arrinë shkallën e duhur (nisabin). Ka edhe shembuj të tjerë. Zbërthimin dhe stërhollimin e dispozitave të këtilla të Kur’anit dhe mënyrën e zbërthimit të tyre praktik, në përputhje me mësimet dhe dëtyrën që i ishte dhënë nga ana e Allahut xh.sh., në mënyrë të përpiktë e bëri Muhammedi s.a.s. Kjo do të thotë se pa shpjegimin e hollësishëm të çështjeve të caktuara nga ana e tij, shumë gjëra nuk do të kishin mundur të kuptohen drejt, e aq më pak të zbatohen në jetën praktike. Pra, roli dhe detyra e Muhammedit s.a.s. si profet ka qenë, në radhë të parë, të shpjegojë shpalljen e Allahut xh.sh. që shihet qartë në ajetin e Kur’anit: “…dhe Ne ta kemi dërguar ty shpalljen (Kur’anin) që t’ua shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur.”[7]
Mund të themi me bindje të thellë se Muhammedi s.a.s., përveç se është shpjeguesi dhe interpretuesi i parë i Kur’anit, ai ka dhënë edhe disa zgjidhje që nuk gjenden në Kur’an, por këto zgjidhje mund të kuptohen vetem atëherë kur është dashur të shpjegohen ato çështje të përgjithshme të Kur’anit. Megjithatë kjo duhet të kuptohet se Hadithi gjithnjë është në lidhshmëri të ngushtë dhe të plotë me Kur’anin. Shembuj tipik që flasin për vlerën dhe rëndësinë e Hadithit, respektivisht që tregojnë se Hadithi, pas Kur’anit, është burim themelorë i Islamit, janë edhe fjalët e Muhammedit s.a.s., që me rastin e Haxhit të Lamtumirës, para masës, ndër të tjera, ka thënë edhe këto fjalë: “Ua kam lënë atë që ju do t’i përmbaheni, që asnjëherë të mos hutoheni e të mos humbni, pra, ua kam lënë librin e Allahut (Kur’anin) dhe fjalët e të Dërguarit të Tij (Hadithin).”
[1] en-Nexhm, 3
[2] en Nisâ’ , 59
[3] en Nisâ, 69
[4] el Ahzâb, 21
[5] Ali Imrân, 31
[6] el Hashr, 7
[7] en Nahl, 44