Kuptimi dhe rëndësia e pastrimit dhe pastërtisë

Në shumë ajete të Kuranit, në hadithet dhe jetën shembullore të Profetit është qëndruar me këmbëngulje mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e pastrimit dhe të pastërtisë. Janë sjellë një sërë kriteresh dhe parimesh lidhur me pastrimin me qëllim pastrimi për pastërti e adhurim në kuptim të përgjithshëm. Gjithashtu pastrimi është konsideruar parakusht për disa adhurime. Thelbi i fesë, krahas pastrimit nga fëlliqësitë moraloshpirtërore, njohjes së Allahut, bindjes dhe adhurimit ndaj Tij, është edhe lartësimi i shpirtit dhe kalimi i njeriut në një mjedis të tillë lidhjeje moralo-shpirtërore. Ndërkaq, edhe kushtet fizike që e rrethojnë njeriun duhet të jenë të përshtatshme për këtë. Një kuptim të tillë bart ngritja e një lidhjeje të ngushtë mes jetës adhurimore, pastrimit moralo-shpirtëror dhe pastrimit të trupit dhe mjedisit, për më tepër, një kuptim të tillë mban edhe fakti që në Kuran, për pastrimin dhe pastërtinë bëhet fjalë me një shprehje të përgjithshme që përfshin si pastrimin dhe pastërtinë fizike, edhe pastrimin dhe pastërtinë moralo-shpirtërore. Në kulturën islame, pastërtia në kuptim të përgjithshëm dhe pastërtia me qëllim adhurimi e plotësojnë njëri-tjetrin dhe shprehin kuptim së bashku. Prandaj, dijetarët myslimanë e shohin pastrimin si një veprimtari në tri plane: pastrimi material, pastrimi konvencional dhe pastrimi moralo-shpirtëror. Në Kuran bëhet fjalë për pastërtinë e mjedisit dhe vendit të adhurimit, si dhe bëhet e ditur se Allahu i do ata që tregohen rigorozë në pastërti. (Bekare, 2/125; Tevbe, 9/108; Haxh, 22/26) Edhe Profeti ynë thotë kështu mbi këtë çështje: “Pastërtia është gjysma e besimit!” “Allahu është i pastër dhe i pëlqen të pastrit!” “Çelësi i namazit është pastërtia!” Abdesi nuk është adhurim më vete ose qëllim më vete, por pretekst adhurimi, i cili i bën normale adhurime të caktuara, e përgatit njeriun moralisht dhe shpirtërisht për adhurime dhe ndihmon për marrjen e rezultatit maksimal nga adhurimet. Është sunet që personi i cili dëshiron të marrë abdes, të bëjë nijet edhe për veprimet parapërgatitore të abdesit (si vajtja në nevojtore). Kështu, edhe të gjitha veprimet përgatitore për abdes, si pretekste abdesi, marrin vlerë adhurimi dhe i përftojnë personit mirësi. Eliminimi i papastërtive dhe fëlliqësive të përgjithshme e të dukshme emërtohet “taharet nga nexhaseti” (pastrim nga papastërtitë dhe fëlliqësitë e përgjithshme e të dukshme), kurse eliminimi i gjendjes së abdesit të prishur emërtohet “taharet nga hadethi” (pastrim nga gjendja e papastërtisë aksidentale). 

 

 


Postime të ngashme

%d bloggers like this: