Këshillat e Lukmanit të urtë drejtuar djalit të tij
Këshillat e Lukmanit të urtë drejtuar djalit të tij, të thurura përmes ajeteve Kur’anore nga kaptina Lukman, janë plotësisht të qarta, jetike dhe të mjaftueshme për prindërit dhe fëmijët që dinë t’i dallojnë vlerat e qëndrueshme nga ato kalimtare. Lukmani i urtë ia përkujton të birit se çdo vepër, e mirë apo e keqe, kudo që të jetë, një ditë do të dalë në shesh. Nëse njerëzit do ta kishin parasysh se veprat e tyre do të dalin në shesh, ata do të bënin më pak mëkate.
Allahu i Madhërishëm në kaptinën Lukman ajeti i 12 thotë: “Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke i thënë): “Falënderoje Allahun! Kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim”.
Ata që nuk janë falënderues dhe mirënjohës ndaj Zotit të tyre dhe që nuk shpresojnë në mëshirën e Tij, pa marrë parasysh diturinë, titullin, pasurinë apo pozitën, janë të humburit, kurse humbësit më të mëdhenj janë ata “që humbin dynjanë dhe Ahiretin”.
Më poshtë do të rëndisim gjashtë këshillat e Lukmanit drejtuar djalit të tij:
- Këshilla e parë
وَإِذْ قَالَ لُقْمَانُ لِابْنِهِ وَهُوَ يَعِظُهُ يَا بُنَيَّ لا تُشْرِكْ بِاللَّهِ إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ
“(Kujtoje) Kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukman, 13)
- Këshilla e dytë
وَوَصَّيْنَا الْإِنْسَانَ بِوَالِدَيْهِ حَمَلَتْهُ أُمُّهُ وَهْنًا عَلَىٰ وَهْنٍ وَفِصَالُهُ فِي عَامَيْنِ أَنِ اشْكُرْ لِي وَلِوَالِدَيْكَ إِلَيَّ الْمَصِيرُ
وَإِنْ جَاهَدَاكَ عَلَىٰ أَنْ تُشْرِكَ بِي مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ فَلَا تُطِعْهُمَا ۖ وَصَاحِبْهُمَا فِي الدُّنْيَا مَعْرُوفًا ۖ وَاتَّبِعْ سَبِيلَ مَنْ أَنَابَ إِلَيَّ ۚ ثُمَّ إِلَيَّ مَرْجِعُكُمْ فَأُنَبِّئُكُمْ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ
“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë” (Lukman, 14)
“Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.” (Lukman, 15)
Lukmani i tregon të birit se detyra që ke në këtë botë menjëherë pas adhurimit të Allahut Fuqiplotë është respektimi i prindërve. Kjo është porosia e Allahut për njerëzinë, duke i treguar edhe arsyen pse e bën këtë dhe etikën e sjelljes me prindërit. Dhe në fund këtë e lidh prapë me besimin në botën tjetër, duke u munduar që edukata të jetë e bazuar tek imani në Allahun dhe botën tjetër. “Tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.”
- Këshilla e tretë
يَا بُنَيَّ إِنَّهَا إِن تَكُ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِّنْ خَرْدَلٍ فَتَكُن فِي صَخْرَةٍ أَوْ فِي السَّمَاوَاتِ أَوْ فِي الأَرْضِ يَأْتِ بِهَا اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ لَطِيفٌ خَبِيرٌ
Lukmani i urtë e këshillon djalin e tij që të kujdeset mirë për veprat e tij, sepse qofshin ato: të këqija apo të mira, të vogla apo të mëdha, në shkëmb, në qiej apo në tokë, një ditë do të dalin në shesh:
“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.” (Lukman, 16)
Këshilla e tretë fillon sërish me “O djali im”, duke tërhequr vërejtjen që t’i frikësohen Krijuesit të gjithësisë dhe se çdoherë janë nën vëzhgimin e Tij për çdo vepër që bëjnë dhe nuk mund t’i ikin sepse Ai, Allahu, i di fshehtësitë.
- Këshilla e katërt
Lukmani i urtë e kujton të birin se çdo vepër e mirë apo e keqe, një ditë do të dalë në shesh. Sikur njerëzit ta kenë parasysh se çdo vepër e tyre do të del në shesh, me siguri që më pak do të mëkatonin, madje do të garonin në bamirësi, të cilat do t’i shërbejnë në Ditën e Gjykimit dhe me të cilat do të mburren.
Në ajetin vijues në kaptinën Lukman, urdhërohen katër gjëra: falja e namazit, urdhërimi për mirë, ndalimi nga të këqijat dhe durimi në atë që të godet:
يَا بُنَيَّ أَقِمِ الصَّلَاةَ وَأْمُرْ بِالْمَعْرُوفِ وَانْهَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَاصْبِرْ عَلَىٰ مَا أَصَابَكَ ۖ إِنَّ ذَٰلِكَ مِنْ عَزْمِ الْأُمُورِ
O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! (Lukman: 17)
- Këshilla e pestë
Pastaj Lukmani i urtë të birit ia ndalon dy gjëra:
Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se All-llahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! (Lukman: 18)
Allahu i Madhërishëm thotë: “Mos ec nëpër tokë me mendjemadhësi, se ti, në të vërtetë, nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve.” (Isra, 37)
- Këshilla e gjashtë
Dhe në fund, Lukmani i urtë e urdhëron të birin që të jetë i matur në ecje dhe të mos jetë grykës në të folur, dhe e krahason këtë me zërin e vrazhdë të gomarit që e konsideron zë më të keq.
Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! (Lukman: 19)