Këshillat e sahabëve për ata që lexojnë Kur’an
Ebu Musai i mblodhi njëherë të gjithë ata që lexonin Kur’an. Bëheshin diku te treqind vetë. Pasi e puthi Kur’anin dhe tregoi gjithë respektin ndaj Kur’anit Famëlartë, Ebu Musai tha:
– “Ky Kur’an është edhe një burim shpërblimi, edhe një shkak për një barrë shumë të rëndë për ju. Ju mos bëni asgjë tjetër, veçse binduni e përshtatuni Kur’anit; mos e identifikoni atë me veten tuaj. Kushdo që ndjek gjurmët e Kur’anit, Kur’ani atë ka për ta çuar në kopshtet e Xhenetit. E ai që identifikon Kur’anin me veten, duke e përshtatur atë sipas vetes, Kur’ani atë e hedh kokëposhtë në humnerat e Xhehenemit.”[1]
Ibni Mesudi r.a thotë: “Një njeri që ndjek Kur’anin duhet të jetë i zgjuar, kur të tjerët flenë gjatë natës; kur të tjerët ulen e hanë gjatë ditës, ai duhet të jetë duke agjëruar; ai duhet të jetë kryelartë e serioz, kur të tjerët qeshin e argëtohen me njëri-tjetrin. Njerëzit e Kur’anit duhet të jenë të trishtuar e sytë duhet t’i kenë me lot. Duhet të jenë njerëz të urtë, të ditur e të butë dhe duhet të flasin sa më pak. Ata nuk duhet të jenë kurrsesi njerëz të ashpër, të përhumbur, që ulërijnë e këlthasin dhe nxehen e nevrikosen menjëherë.”[2]
[1] Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/257
[2] Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/130