Aliu r.a i nxit njerëzit drejt dijes

Tregon Kumejl bin Zijadi: Aliu r.a më kapi për dore dhe më nxori nëpër shkretëtirë. U ulëm në një vend. Pasi u çlodhëm për pak çaste, Ai më tha mua këto fjalë:

“Shiko, Kumejl! Zemrat u ngjajnë enëve. Kurse zemra më e mirë është ajo që ka aftësinë më të fortë për të kuptuar. Tani dëgjomi me kujdes këto fjalë që po të them: njerëzit janë tre llojesh. Në grupin e parë bëjnë pjesë dijetarët që u janë falur aftësi të veçanta prej hyjnores. Të dytët janë nxënësit e dijes, të cilët bëjnë përpara në rrugën e shpëtimit. Kurse, për sa u përket njerëzve të tretë, janë ata që përbëjnë turmat e paditura. Këto masa vërtiten e vërviten andej nga fryn era, pasi ata nuk janë ndriçuar nga drita e dijes. E ata as nuk kanë ndonjë pikë të fortë mbështetëse referimi.

Dija është më e mirë e më e mbarë sesa pasuria. Dija të mbron; kurse pasurinë duhet ta ruash e ta mbrosh ti. Dija, kur vihet në veprim, shtohet; kurse pasuria pakësohet duke e shpenzuar. Të duash njeriun e ditur është një përgjegjësi, e cila bie mbi të gjithë për ta kryer. Dija e bën njeriun e ditur të dashur, të nderuar e të respektuar përgjatë gjithë jetës; ajo bën të mundur që njeriun e ditur ta kujtojnë për gjatë kohës edhe pasi ai të ketë vdekur. Kurse pozita që të mundëson pasuria humb bashkë me humbjen e saj. Sa e sa njerëz të pasur, të cilët, edhe pse janë ende gjallë, janë si të vdekur. Por dijetarët nuk janë ashtu, ata do të jetojnë për aq sa të ekzistojë edhe bota. Edhe nëse vdesin ata vetë, veprat, emri dhe fama e tyre do të jetojnë si një kujtim i mirë në zemrat e njerëzve.

(Tregoi kraharorin e tij me dorë dhe tha) Ah, ah, sikur të mund të gjeja njerëz të denjë, të cilëve të mund t’u përcillja gjërat që di unë! Kam gjetur disa veta, por ata nuk më japin siguri. Edhe dijen që u është dhënë për të kuptuar fenë e Allahut ata e përdorin për interesa të kësaj bote. Argumentet e shpallura nga Allahu i përdorin kundër librit të Tij; ndërsa mirësitë që u ka falur Allahu ata i përdorin kundër robve të Tij. Disa, edhe pse mbajnë anën e njerëzve të së drejtës dhe të së vërtetës, nuk kanë aspak largpamësi në lidhje me jetësimin e urdhëresës së Atij që është më i Drejti. Bien në dyshime e lëkunden që në hapat e para. Të dy këta grupe nuk bëjnë dobi. Por ka edhe një grup, që vullnetin ua kanë marrë peng dëshirat dhe epshet. Disa të tjerë janë të zënë duke vënë pasuri më shumë. Asnjë nga këta nuk mund të bëhen lajmëtarë që ftojnë njerëzit në fe. Këta njerëz u ngjajnë më tepër gjedhëve që kullotin nëpër kullota.

Me vdekjen e dijetarëve të vërtetë vdes njëfarësoj edhe vetë dija. Jo, o Zot! Nuk dua të ndodhë diçka e tillë! Të mos mbesë pa njerëz të ditur kjo botë, o Zot, e të shkojnë dëm gjithë ato argumente e tërë ato ajete aq të qarta, që provojnë ekzistencën Tënde! Këta janë shumë pak, por vlera e tyre pranë Allahut është shumë e lartë. Me këta e e mbron Allahu i Madhërishëm fenë e Tij. Janë pikërisht këta njerëz të ditur, që e përcjellin amanetin e marrë prej Zotit tek ata që janë më të denjët për ta transmetuar. Mes tërë atyre njerëzve të zhytur në kënaqësitë e lezetin e kësaj bote, ata janë aq të butë. Dija për ta është shoku e miku më i mirë e më i sinqertë, atë dije që injorantët nuk e duan. Dija u fal atyre një dashuri, një dëshirë e një pasion të atillë, që, edhe pse trupin mund ta kenë në këtë botë, shpirtrat e tyre jetojnë në botën e domethënies. Ja pra, këta janë trashëgimtarët (kalifët) e Tokës dhe lajmëtarët e ftuesit e mirëfilltë të Islamit në të! Ah sikur të mund të kisha parë unë prej njerëzve të tillë! Unë i përgjërohem Allahut, që të na falë, si mua, ashtu edhe ty. Po deshe mund të ngrihemi tani.”[1]

[1] Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/79

Postime të ngashme

%d bloggers like this: