Jepuni gjithkujt të drejtën që i takon!

 

Njeriu, ashtu siç nuk duhet kurrsesi të heqë dorë prej adhurimeve që i ushqejnë jetën e zemrës dhe shpirtit, duhet t’i marrë parasysh të gjitha detyrimet që i rrjedhin prej të drejtave të njerëzve që e rrethojnë në jetën e tij shoqërore, t’i vendosë ato sipas një radhe për nga rëndësia, dhe të përpiqet që t’i japë secilit kohën dhe të drejtat që i takojnë. Siç e dini, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u është drejtuar me këto fjalë sahabëve të Tij që linin pas dore familjet e tyre ngase donin të jepeshin me tërë forcën e tyre ndaj adhurimit: “Egoja ka disa të drejta prej jush, familja juaj gjithashtu ka disa të drejta prej jush, siç edhe Allahu ka disa të drejta prej jush… duhet t’u jepni çdokujt detyrimin që u keni për të drejtën e tyre.[1] Siç mund të kuptohet edhe prej këtij hadithi, qoftë edhe adhurimi nuk duhet t’i hapë rrugë braktisjes së kryerjes së disa detyrimeve që na burojnë prej të drejtave të vetes, të bashkëshortit/es, të fëmijëve, etj.

Në fakt, njësoj siç përcaktimi dhe ndarja e kohëve të namazit në pesë pjesë mund t’u japë disa mësime mjaft të mira njerëzve lidhur me planifikimin e kohës, edhe ajetet fisnike ku shpjegohen urtësitë e krijimit të ditës dhe natës u japin atyre disa të dhëna mjaft interesante. Për shembull, në suren Kasas thuhet kështu: “Ai, krijoi natën dhe ditën si vepër të mëshirës, që gjatë natës të çlodheni, e gjatë ditës të punoni për të kërkuar pjesën tuaj të mirësisë që Zoti jep për ju dhe ta falënderoni Atë për ato.[2] Në shembuj si ky dhe në të tjerë, Kurani Fisnik ju udhëzon në lidhje me planifikimin e kohës duke ju dhënë këtë mesazh: Nëse e planifikoni jetën tuaj, dhe gjatë ditës bëni ato që duhen bërë gjatë ditës dhe natën ato që duhen bërë gjatë natës, duke e vlerësuar natën me një thellësi të veçantë dhe ditën drejt horizontesh të arrira, shpëtoni prej jetesës së rrëmujshme, nuk pengoheni prej pengesave që burojnë prej mungesës së planit dhe programit, çka çon drejt një jete më të begatë.

 

[1] Buhari, edem 86.
[2] Kasas, 28/73.

Postime të ngashme