Historia se si u bë mysliman Amr bin Asi r.a
Amr bin Asi r.a ka thënë kështu: “Ditën që u kthyem nga beteja e Hendekut, i mblodha të gjithë ata kurejshë që i pranonin dhe i vlerësonin mendimet e mia, e që ma dëgjonin fjalën, dhe u thashë:
– “Uallahi, edhe ju e dini që unë po shoh se misioni i Muhamedit po përjeton një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe sa vjen e po pranohet më shumë nga njerëzit. Unë kam një mendim, si thoni?”
– “Çfarë mendimi ke?” – më pyetën ata.
– “Të shkojmë në Abisini, të kërkojmë strehim atje. Të qëndrojmë atje. Nëse ne jemi nën mbrojtjen e Nexhashiut dhe Muhamedi e mund popullin tonë, atëherë do të jemi më mirë nën mbrojtjen e mbretit, se sa nën urdhrat e Muhamedit. Nëse fitimtar del populli ynë, ata na njohin dhe prej tyre neve nuk na vjen asnjë e keqe.”
– “Ky qenka një mendim me të vërtetë shumë i mirë!” – thanë ata të gjithë njëzëri.
– “Atëherë filloni të mblidhni dhurata të mëdha, që t’ia japim Nexhashiut, kur të na nxjerrin përpara tij.”
Dhurata më e mirë që ne mund t’i çonim nga trevat tona ishte lëkura e punuar. Mblodhëm shumë lëkurë dhe u nisëm, derisa, më në fund, udhëtimit tonë i erdhi fundi dhe ne mbërritëm te Nexhashiu. Kur ishim përballë tij, përpara na doli Amr bin Umejetu Damriu, të cilin e kishin dërguar të interesohej për gjendjen e Ebu Xhaferit dhe shokëve të tij. Erdhi te Nexhashiu dhe pasi qëndroi i heshtur për pak çaste, doli. Unë u thashë shokëve të mi: “Ky është Amr bin Umejeja! Kur të dal përpara Nexhashiut, do t’i kërkoj që të ma japë mua dhe unë do ta marr e do ta vras. Po e bëra këtë, kurejshët do të më përgëzojnë, e do të më quajnë se kam vrarë lajmësin e Muhamedit.”
Dola përpara Nexhashiut dhe ashtu siç kisha bërë përherë, iu përula në sexhde. Nexhashiu më priti, duke më thënë:
– “Mirë se erdhe, miku im! A më ke sjellë ndonjë dhuratë nga vendi juaj?”
– “Po, o sundimtar! Të kam prurë shumë lëkurë të mira.“, – iu përgjigja unë dhe ia shtrova lëkurët përpara këmbëve. Dukej që i pëlqyen shumë dhe mbeti menjëherë shumë i kënaqur.
– “O mbret! Pashë një burrë që ishte këtu pak më parë. Ai është lajmësi i armikut tonë. Ma jep mua ta vras; ai ka vrarë e ka dëmtuar shumë prej njerëzve më të nderuar në radhët tona.”
Nexhashiu u nxeh. Sikur të ishte çarë toka në mes e të isha futur në dhe më mirë, se sa të më pushtonte gjithë ajo frikë që ma pushtoi zemrën. Pastaj, për ta zbutur, i thashë: “O sundimtar, për Zotin, po ta dija se kjo kërkesë imja do të të mërziste kaq shumë, nuk do të ta kisha kërkuar!”
– “Domethënë ti kërkon lejen time për të vrarë kasnecin e një njeriu, të cilit i ka ardhur Zbritësi i Shpalljes (Xhibrili), ai që dikur i pat ardhur edhe Musait?”
– “Imzot, pse një njeri i atillë është ai?”, – e pyeta unë.
– “Turp të kesh, o Amr! Më dëgjo mua dhe bindju atij njeriu. Uallahi ai është në të drejtë. Ai ka për të dalë fitimtar mbi armiqtë e tij, njësoj siç Musa bin Imrani doli fitimtar kundër faraonit dhe gjithë ushtrive të tij!”, -tha Nexhashiu.
– “A e pranon ndërmjetësinë time, nëse unë e lidh besën me ty në emër të tij?”, – e pyeta unë.
– “Po, e pranoj.”, – m’u përgjigj ai.
Zgjati dorën dhe unë pranova Islamin. Pastaj, kur u ktheva te shokët e mi, patjetër që kisha hequr dorë nga mendimi me të cilin kisha hyrë te Nexhashiu; megjithatë ua mbajta të fshehtë që isha bërë mysliman. Dhe, kësisoj, u largova nga Abisinia, për të shkuar tek i Dërguari i Allahut. Në rrugë takova Halid bin Uelidin. Ishte pak kohë para se të ndodhte ngadhënjimi i Mekës. Halidi po vinte nga Meka. I thashë:
– “Për ku je nisur kështu, o Ebu Sulejman?”
– “Uallahi, fitimtar doli ai (duke pasur parasysh Profetin tonë). Ai është vërtet profet i Zotit! Tani po shkoj për tek ai. Do të bëhem mysliman! Deri kur do të vazhdojë kështu kjo luftë?”
– “Uallahi, edhe unë nuk kam ndonjë qëllim tjetër, pasi edhe unë kam ardhur të bëhem mysliman.”, – i thashë unë. –
Shkuam në Medinë, pranë Profetit të nderuar. I pari hyri Halidi dhe pranoi Islamin. Pastaj u afrova unë dhe i thashë:
– “O Resulullah, unë do ta lidh besën me ty, vetëm nëse do të m’i falësh të gjitha gabimet e së shkuarës. Të mos i them që tani mëkatet që do të bëj në të ardhmen.”
I Dërguari i Allahut s.a.s, i cili e dëgjoi kërkesën time, tha:
– “Eja, o Amr, bindu, sepse Islami i fshin të gjithë mëkatet e kryera para ardhjes së tij. Mërgimi i fshin edhe më shpejt të gjitha të këqijat e njeriut.”
Kështu, unë iu binda, pranova Islamin dhe u ktheva andej nga kisha ardhur.”[1]
[1] Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/198 (17812)