Harmonia e brendshme dhe përsosmëria morale

Njeriu për të arritur përsosmërinë morale duhet të sigurojë harmoninë brenda qenies së tij. Kjo harmoni sigurohet nëpërmjet balancimit të dimensionit shpirtëror të njeriut me veprat e tij. Nëse këto dy dimensione janë në harmoni me njëra-tjetrin atëherë mund të flitet për balancë dhe harmoni në qenien e njeriut. Aty ku nuk gjendet kjo harmoni është e vështirë të flitet për kuptimin e vërtetë të njeriut të përsosur dhe moralshëm. Prandaj, për të arritur virtytshmërinë  dhe përsosmërinë morale, njeriu duhet të kalojë nëpërmjet edukimit të zemrës, mendjes dhe karakterit në mënyrë të balancuar ose siç quhet ndryshe purifikimi i unit.

Harmonia në qenien e njeriut lidhet ngushtë me njohjen e vetvetes, ku zhvillimi dhe rinovimi saj realizohet nëpërmjet kontrollit të dimensionit të brendshëm dhe të jashtëm të njeriut. Meditimi i brendshëm dhe i jashtëm luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces njohës. Meditimi i brendshëm ka një vlerë parësore, sepse lidhet me njohjen e thelbit të qenies, vëzhgimit të unit,  zbulimit të mangësive dhe kryerjes së veprimeve duke qenë i vetëdijshëm dhe në përputhje me parimet morale. Kështu njeriut që i mungon meditimi i brendshëm mbytet dhe humb në meditimin e jashtëm.

Zoti i vlerëson njerëzit në bazë të cilësive, pra zemrave të tyre dhe punëve të cilat janë frytet e zemrës. Një herë Profeti Muhamed (a.s) duke treguar gjoksin me dorë tha:  “Zoti nuk e shikon formën tuaj të jashtme, por shikon zemrat dhe punët tuaja.” Besimtar i vërtetë është ai i cili ka arritur harmoninë e brendshme, pra përputhjen e zemrës me veprat e tij. Kështu në jetën e një njeriu të tillë nuk mund të flitet për konflikt në qenien e tij. Njohja e të tjerëve fshihet në njohjen e vetvetes. Nuk është parë që një person i cili nuk ka njohur vetveten, nuk ka zbritur poshtë vetëdijes së tij dhe nuk ka mundur të ndryshojë sjelljet e tij, të ndryshojë të tjerët. Sepse për të përvetësuar moralin dhe sjellje të larta duhet rregulluar nënvetëdija e njeriut.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: