Furnizimi është në dorën e Zotit
Në një tregim thuhet se Hz. Sulejmani e pyeti një milingonë rreth ushqimit që ajo hante për një vit. Ajo i kishte thënë që hante një kokërr gruri. Për ta provuar milingonën, Hz. Sulejmani e kishte futur atë në një kuti të mbyllur së bashku me një kokërr gruri. Pas një viti e hapi kutinë dhe pa se milingona kishte ngrënë vetëm gjysmën e kokrrës së grurit. I tha asaj: “Ti më the që gjatë vitit haje një kokërr gruri, pse ke ngrënë vetëm gjysmën?” Milingona iu përgjigj: “O, Sulejman! Kur furnizimi më vinte direkt nga i Vetmi Furnizues ashtu ishte. Por kur furnizimi do të më vinte nëpërmjet teje, unë nuk e dija se çfarë do të bëje ti në të ardhmen. Po sikur të më harroje, sepse ti fundja një krijesë je? Ndërsa Zoti im nuk e harron asnjë nga krijesat e tij. Kjo ishte arsyeja pse veprova në këtë formë.”