Frikësohu prej Allahut kudo që të jesh!

Prej këshillave përmbledhëse që na la pas i Dërguari i Allahut (a.s) dhe që është e vlefshme të jetë programi ditor i çdo myslimani, në çdo vend, kohë, e vlefshme për të qenë çelësi i çdo të mire, dryni i çdo të keqeje është fjala: “Frikësohu prej Allahut kudo që të jesh, të keqen pasoje me një të mirë dhe sillu me njerëzit me moral të lartë.” Kjo është një këshillë përmbledhëse, e jashtëzakonshme për të qenë prej simboleve të Islamit, për t’u gëzuar me Xhennetin pasi të jemi gëzuar me kënaqësinë e Allahut dhe për t’u larguar nga Xhehennemi pasi të jemi larguar nga zemërimi i Allahut.

“Frikësohu prej Allahut kudo që të jesh!” Imam Aliu e përshkruan takvanë (devotshmërinë) si: “Frikë prej të Madhërishmit, veprim sipas Librit të zbritur, të kënaqurit me pak dhe përgatitje për Ditën e Kthimit.” Përkujtoje Zotin tënd shpesh, në çdo moment; “Më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj dhe falënderomëni Mua dhe mos i mohoni dhuntitë e Mia.[1]” Marrëdhënia jonë me Allahun ngrihet mbi parimin e mëshirës dhe në zemër të mëshirës qëndron dashuria, prandaj fraza e parë me të cilën na drejtohet në Kuran është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”

Ai zgjodhi që ta nisë Librin e Tij me këto dy emra, bukuri mbi bukuri, dashuri mbi dashuri, derisa kjo e fundit të zërë vend në zemrën e robit që e meriton këtë dashuri. Të frikësohesh prej të Madhërishmit, të punosh sipas Librit të Tij, me të cilin Allahu na nderoi kur na bëri përgjegjës, prandaj kur shohim ndonjë urdhër prej Zotit, të bindemi se aty është pikërisht nderimi ynë.

Ne gjithashtu duhet të mësohemi të kënaqemi me pak dhe kënaqësia me pak të bën të jesh i kënaqur me Zotin e botëve. “Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Zotin e tyre.” Kur Allahu sheh zemrën tënde dhe ajo është e kënaqur me Të, atëherë zbret mbi ty mëshirën, zbret ndihmë prej ndihmës së Tij, e ndriçon zemrën tënde, i fal mëkatet e tua dhe t’i mbulon të metat.

Përgatitja për Ditën e Kthimit është përkujtim i ajetit: “Më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj!” Përkujtimi yt ndaj vetvetes është privimi i saj nga mëkatet, ose kthimi i saj edhe një herë në rrugën e drejtë, apo dalje prej rrugës së shtrembër. Kështu, ti e ndihmon atë që të pendohet dhe të kthehet sërish tek Allahu i Lartësuar. “Frikësohu prej Allahut kudo që të jesh”, dhe dije se Ai është me ty në çdo gjendje tënden dhe kështu devotshmëria bëhet e tëra mirësi për ty. Falënderimi i përket Allahut që na udhëzoi në këtë drejtim dhe na mësoi sesi të veprojmë me Të në këtë botë, e cila është botë e sprovës, në mënyrë që të kthehemi tek Ai si të kënaqur prej nesh, duke realizuar robërinë tonë, ndërtimin e tokës dhe pastrimin e vetvetes.

Nga, Shejh Ali Xhumua

 

 

[1] Bekare, 2/152

Postime të ngashme