Fjala e mirë, arti i komunikimit
Fjala e mirë është gjithmonë aktuale dhe e nevojshme për njeriun dhe shoqërinë, sidomos shoqërinë tonë në të cilën janë përcjellë një numër i madh problemesh si: problemet familjare, problemet e punës, raportet me njerëzit e tjerë. Ne kemi shumë nevojë për fjalë të mira dhe të bukura të formave të ndryshme si bisedë, këshillë apo ngushëllim në situata të vështira.
Mesazhi hyjnor i kushton rëndësi të jashtëzakonshme komunikimit. Allahu xh.sh. thotë: “I Gjithëmëshirshmi ia ka mësuar Kuranin (robërve të Tij), ka krijuar njeriun dhe i ka mësuar atij të flasë qartë dhe rrjedhshëm.”(Rrahman: 1-4).
Në shumë thënie të Pejgamberit a.s. theksohet kujdesi që duhet të tregojë besimtari në lidhje me komunikimet e tij në jetën e përditshme.
- Komunikimi me njerëzit: Allahu xh.sh. thotë: “Thuaju, robërve të Mi të flasin atë që është më e mira…”(El-Isra: 53).“… thuajini fjalë të mira njerëzve…(Bekare, 83). “O besimtarë, kijeni frikë Allahun dhe tregoni vetëm të vërtetën.” (Ahzab,70).
- Komunikimi me prindërit: Allahu xh.sh. thotë: “…drejtohu atyre me fjalë që tregojnë respekt.” (El-Isra, 23).
- Komunikimi me ata që sillen vrazhdë: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë se mund të ndodh që armiku yt të bëhet miku yt i ngushtë” (Fussilet, 34).
- Komunikimi me armiqët: Allahu xh.sh. i thotë Musait dhe Harunit: “Shkoni te Faraoni! Ai, më të vërtetë, i ka kaluar të gjithë kufijtë! Flitini atij me fjalë të buta, se ndoshta kupton dhe i frikësohet Allahut.” (Ta Ha, 43, 44).
- Komunikimi me nevojtarët, jetimët dhe lypsarët. Allahu xh.sh. thotë: “…thuajini atyre fjalë të mira…”(Nisa, 5). Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk do të jetë i plotë besimi i njeriut, përderisa nuk është e mirë zemra e tij; e nuk do të jetë e mirë zemra e tij, përderisa nuk është e mirë fjala e tij.” (Ahmedi).
Ibn Haxheri ka thënë: “Gjuha është si luani, nëse e lë të lirë të ha, nëse e lidh të ruan.”
Muslimani ka dy alternativa: të flasë të mirën ose të heshtë.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit ose të flasë fjalë të mira, ose le të heshtë.” (Buhariu, Muslimi).
Po ashtu në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. thotë: “Kush flet shumë, gabon shumë, kush gabon shumë, ai mëkaton shumë, e kush mëkaton shumë, ai meriton zjarrin e xhehenemit.” (Taberani në “Evsat” , Bejhakiu në “Shuabul iman”).
Me të vërtet, fjala e bën dallimin ndërmjet njerëzve, ndërmjet besimtarëve dhe mosbesimtarëve, ndërmjet të devotshmit dhe të ligut, ndërmjet të mjerit dhe të gëzuarit, ndërmjet rregullit dhe shkatërrimit, ndërmjet humbjes dhe ngadhënjimit deri sa në fund fare njerëzit do të ndahen në dy grupe: një grup për në Xhenet dhe një grup për në Zjarrin e Xhehenemit.
Asnjë njeri nuk është aq i varfër sa të mos mundet të fal një buzqeshje. Asnjë njeri nuk është aq i pasur sa të mos ketë nevojë për një buzqeshje.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Buzëqeshja për vëllaun tënd është lëmoshë“. Fytyrën e kanë krahasuar me titullin e librit dhe e kanë konsideruar pasqyrën e zemrës, treguese e ndërgjegjes së pastër dhe oguri mirë i shpirtit.
Jahja Ibn Muadh ka thënë: Le të gëzojë besimtari prej teje njërën nga këto tre gjërat. Nëse nuk i bën dot mirë, atëherë mos i bëj dëm. Nësë nuk e gëzon dot, mos e hidhëro. Dhe nësë nuk e lavdëron dot, mos e poshtëro.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Fjala e mirë është lëmoshë“. Ajo të gëzon zemrën, ta shëron plagën, të largon zemërimin dhe të shton paqen shpirtërore.
Fudajl ibn Ijjadi ka thënë: “Ai që flet vetëm për ato gjëra që i vepron vetë, do të flas më pak në lidhje me atë që nuk i intereson.”
Imam Shafiu i tha nxënsit të tij, Rebiut: “O Rebi’i! Mos fol për gjërat që nuk të interesojnë, sepse me të vërtetë çdo herë që flet një fjalë, ajo (fjala) të kontrollon ty, ndërsa ti nuk ke kontroll mbi të.”
Fjala e mirë është pasaporta që hap dyert e zemrave të të tjerëve. Fjala e butë të qetëson. Fjala e rëndë të vret. Fjala e butë të afron me të tjerët, ndërsa fjala e rëndë të largon. Fjala e butë të meson, ndërsa fjala e rëndë nuk të bind.
Fjala e mirë dhe fjala e keqe dalin të dyja nga e njëjta gojë dhe pasqyrojnë personalitetin e individit.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos fol fjalë për të cilat më pas do të duhet të kërkosh falje.” (Ibn Maxhe).
Fjala e mirë është si pema e mirë:
Thuhet se perandori pers Anshurvan, në kohën e të cilit pati lindur profeti Muhamed a.s, pati shpallur publikisht se do ta shpërblente me 400 dinarë personin që do t’i thoshte një fjalë të mirë.
Një ditë, perandori po lëvizte nëpër qytet i shoqëruar nga eskorta e vet madhështore. Në një moment, ai vuri re një të moshuar, diku tek të nëntëdhjetat, duke mbjellë një pemë ulliri. Ai qëndroi dhe e pyeti të moshuarin: Përse e mbjell këtë pemë, kur ajo nuk do të japë frutat e para më parë se njëzet e ca vjet prej sot?! Tani ti je nëntëdhjetë vjeç dhe nuk do t’i shijosh frutat e saj.”
Bujku i moshuar ia ktheu: Sot, ne korrim dhe vjelim ato që patën mbjellë të parët tanë. Kështu, më duhet të mbjell që të korrin dhe vjelin ata që do të vijnë pas nesh.
Kjo fjalë i bëri përshtypje perandorit, i cili i tha: “Të lumtë. Kjo është vërtet një fjalë e mirë.” dhe menjëherë urdhëroi që plakut t’i jepeshin 400 dinarë floriri. I moshuari i mori në dorë dhe buzëqeshi. Perandori e pyeti:”Përse buzëqesh?” I moshuari: “Pema e ullirit jep fryte pas njëzet vitesh, kurse pema ime i dha frutat që tani.”
Perandori ia ktheu: “Të lumtë!” Mandej duke iu drejtuar vartësve u tha: “I jepni dhe katërqind dinarë të tjerë!” Me t’i shtënë në dorë, bujku i moshuar buzëqeshi sërish. Perandori e pyeti: “Po tani, përse buzëqesh?” Bujku ia ktheu: “Ulliri jep vetëm një herë në vit prodhim, kurse pema ime ka filluar të japë dy herë.”Perandori shtoi:“Të lumtë!” dhe urdhëroi t’i jepeshin dhe katërqind dinarë të tjerë. Mandej, urdhëroi që eskorta të nisej menjëherë. Komandanti i ushtarëve që e shoqëronin e pyeti: “Përse nxitoni lartmadhëri?”Perandori ia ktheu: “Po qëndrova më gjatë, do të më mbaroj thesari i perandorisë, para se t’i sosen fjalët këtij plaku.”
Allahu xh.sh. thotë: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e krahason fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila i ka rrënjët e future thellë në tokë, kurse degët të ngritur lart nga qielli? Me lejen e Zotit të saj, pema jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin atyre.” (Ibrahim, 24-25).
©URTËSI.AL