Fije që s’këputen!

Njerëzit e epokës sonë janë në një farë mënyre emigrantë, brenda për brenda kësaj bote, por edhe në raportin mes botës aktuale dhe asaj të përtejme.

Të gjithë jemi të shtrënguar të jetojmë në një univers që nuk i ngjan aspak dheut tonë të parë. Na duhet të gjithëve të mësojmë gjuhë të reja komunikimi, të tjera kode… Shumë e kanë lënë vendlindjen e tyre dhe shumë të tjerë pa ikur prej andej nuk e njohin më atë.

Në këtë rrugëtim, vetëm një gjë nuk ka ndryshuar, edhe pse relative, ajo është përkatësia besimore dhe lidhja e njeriut me të.

Një besimtar i vërtetë – mysliman në rastin konkret – mund të ndryshojë gjithçka nga vetja e tij, që nga vendbanimi, mënyra e jetesës, veshja, ushqimi, etj., por vetëm besimin nuk mund ta ndryshojë kurrë.
E gjithë jeta e tij është një përpjekje për të përforcuar lidhjen e tij me besimin së cilit i përket dhe afrimin me Krijuesin e tij.

Edhe pse njerëzit janë gjithnjë në ikje, lëvizje, ka disa gjëra që i shoqërojnë ata ngado dhe që nuk mund t’i braktisin dot.

Ashtu siç nuk mund të braktisim kujtimet e këndshme nga shtëpia ku jemi rritur, apo siç nuk mund të harrojmë shokët e lagjes edhe pse mund të mos mbahet mend se kur i kemi takuar për herë të fundit, ashtu nuk mund të braktisim lidhjen tonë me besimin. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse e identitetit tonë, një identitet i cili ndërtohet nga grimca, apo çaste kujtimesh dhe përkatësish dhe na shoqëron gjatë gjithë jetës, ashtu sikurse edhe lidhja jonë me Krijuesin, edhe kjo pjesë e identitetit të njeriut.

Kjo lidhje nuk mund të braktiset, por as nuk mund ta mbash vetëm në kujtime, pasi ajo kërkon ushqim dhe ushqehet përmes veprimeve praktike (ritualeve) të adhurimit, përmes ndjenjave, shpirtit dhe zemrës dhe kjo lidhje shërben si zinxhir për të mbajtur të tjera fije që të mos këputen.

S’mbahet mend qëkur sa kohë kanë kaluar pa takuar miqtë e mi të vjetër, por Një e takoj çdo ditë, e është Ai që më forcon dhe më mban gjallë kujtimet e miqësisë si vjetër si etalone të paçmueshme.

Pesë herë në ditë përgatitem për ta takuar Atë, edhe pse gjithmonë e shoh veten të padenjë për këtë takim, por sërish përgatitem dhe shkoj te Ai, sepse edhe mes njerëzve mikpritësi gjithmonë qëndron më lart se vizitori.

Ndoshta se mbaj mend kur u kam telefonuar prindërve për herë të fundit për t’u kërkuar ndihmë kur jam zënë ngushtë, por di që në çdo moment, i lutem dhe i kërkoj ndihmë Mikut tim të Përjetshëm dhe nuk harroj që ta falënderoj. Edhe një herë është Ai që më kujton se duhet t’u telefonojë sërish prindërve, por këtë herë jo për të kërkuar ndihmë, por për t’i ndihmuar, për t’i falënderuar për gjithçka ata bënë për mua, për t’i kërkuar ndjesë për vështirësitë që hoqën prej meje, apo qoftë edhe për t’i dëgjuar zërin e për t’i pyetur si janë?

Modernizimi gjithmonë ka nënkuptuar braktisjen e një pjese të vetvetes, por zhvillimi dhe moderniteti nuk na largoi fizikisht edhe pse mund të jemi mijëra kilometra larg. Lidhjet na u bënë më të vështira sepse mendja u bë e pamundur për të pranuar se nuk mund të ketë gjë më të rëndësishme se familja, miqtë dhe lidhjet mes njerëzve. Nuk e shembi modernizimi shpirtëroren, ai vetëm sa e ngriti në piedestal materien dhe ishim ne që bëmë zgjedhjen. Gabuam kur zgjodhëm, harruam që pa shpirt materia nuk ka kuptim.

Padyshim që çdo njeri, edhe një besimtar, ka ulje-ngritjet e tij në çështjet e besimit, por kjo nuk mund të shërbejë si pretekst për ta lëshuar veten drejt rënies. Rënia shërben për të kuptuar mirë se ku ishte dhe për t’u ringritur sërish, ndoshta edhe më lart sa më parë. Sepse, gjithmonë ka lidhje, fije që s’këputen ose që së paku s’duhet këputur.

Ëndrra e pashpallur e çdo emigranti është që ta marrin për vendas. Ashtu siç është ëndrra e pashpallur e njerëzimit që të jetë i përjetshëm në këtë botë. Ndërsa, ëndrra e shpallur e çdo besimtari është “shfrytëzimi” i kësaj jete prej emigranti, për të fituar vendbanimin e përhershëm, atdheun e tij që iu premtua që në gjenezë.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: