Er-Rrezak (Furnizuesi)
Er-Rrezak është Ai që krijoi mjetet e jetesës, nevojtarët për to dhe arsyet për t’i pëlqyer këto mjete. Ka dy lloje dhurimesh: i pari është dhurimi i dukshëm, me ushqim dhe rehati fizike; i dyti është i fshehtë dhe i kushtohet qenies së brendshme të njeriut. Lloji i dytë është më me vlerë, sepse fryti i tij është përjetësia.
Vetë Zoti e ka ngarkuar Veten me përgjegjësinë për të krijuar të dyja llojet e dhurimeve. Ai i dhuron me bollëk kujt të dëshirojë dhe me masë të kufizuar kujt të dëshirojë. Ndërsa njeriu e di se askush nuk e meriton këtë cilësi veç Zotit të Lartësuar dhe nuk pret prej askujt tjetër veç Tij, si dhe është i vetëdijshëm se Ai mund t’i japë atij dituri për t’u rrëfyer udhën të tjerëve, një gjuhë të aftë për të këshilluar dhe mësuar njerëzit dhe një dorë që jep. Ky njeri bëhet një damar i virtytshëm që ushqen zemrat e njerëzve me fjalët dhe veprat e tij.
Ai njeri, dora e të cilit është shndërruar në thesar për bukën e njerëzve dhe gjuha e të cilit është bërë thesar për ushqimin e zemrave të njerëzve, do të marrë shpërblim të veçantë.