Emrat e bukur të Allahut xh.sh

Allahu (xh.xh.) ka shumë emra që përmenden në Kuran dhe hadithe. 99 prej këtyre janë bërë të ditur në hadithet Profetike. Në një hadith, Profeti s.a.s ka thënë kështu: “Allahu ka 99 emra. Ai që i mëson e i thotë përmendësh këta, që, në sjelljen e tij ndaj Allahut, duke i ruajtur kufijtë e emrave të bukur, bën adhurim duke i ruajtur kufijtë e emrave të bukur dhe duke i respektuar siç duhet ata, hyn në xhenet!” Në vazhdimin e hadithit janë bërë të ditur 99 emrat e Allahut, që janë:

Allah: emri i përveçëm e i posaçëm i Zotit që argumenton Individualitetin i cili përmbledh në vetvete të gjithë emrat dhe atributet e vet.

Rrahman (mëshirues): tregon mëshirë për të gjitha krijesat e veta, besimtarë e jobesimtarë dhe u jep të mira.

Rrahim (shumë mëshirues, bamirës, shpërblyes): ky atribut shpreh mëshirën e posaçme të Allahut për ata që favorin e Allahut me anë të atributit Rrahman e vlerësojnë bukur me anë të besimit.

Melik (sundimtar): sundimtari i vërtetë i ekzistencës.

Kuddus (i shenjtë): Allahu s’ka të bëjë me asnjë lloj të mete e mungese, është i pakufizueshëm e i papërshkrueshëm, është i përsosur në çdo veçori të Tij dhe krejt i pastër.

Selam (shpëtues): Allahu është burimi i çdo shpëtimi e paqeje, i pastër nga të metat e mangësitë, ai që i nxjerr robtë e vet në shpëtim e paqe.

Mu’min (besues, besimtar, i besës): Allahu jep besim dhe siguri, largon dyshimet dhe lëkundjet, u jep besim atyre që mbështeten te Ai, u jep siguri atyre që kanë frikë dhe i mbron.

Muhejmin (mbrojtës, ruajtës, marrës nën ruajtje): Allahu vëzhgon, është dëshmitar për çdo gjë dhe merr nën ruajtje e mbrojtje çdo gjë.

Aziz (i çmuar, i vyer, i shenjtë): Allahu është zotërues i fuqisë më të lartë dhe fitimtar absolut.

Xhebbar (shtrëngues, detyrues): Allahu i rregullon punët dhe gjendjen e krijesave të Tij; me vullnetin e vet, Ai i drejton ata si të dojë; Allahu është i pakundërshtueshëm në zbatimin e urdhrit të Tij.

Mutekebbir (madhështor): Allahu e tregon se sa i madh është në çdo gjë dhe në çdo ngjarje, Ai është posaçërisht i madh e i lartë dhe kjo është e drejta e tij ekskluzive.

Halik (bërës, krijues): Allahu e krijon çdo gjë nga asgjëja, e bën të qenë çdo gjë nga e paqena.

Bari (hyjni): Allahu krijon në mënyrë të rregullt dhe harmonike.

Musavvir (projektues): Allahu i projekton në mënyrë të posaçme gjërat dhe qeniet që krijon.

Gaffar (falës i fajeve): Allahu ua mbulon dhe ua fal mëkatet robve të vet, Allahu është falës i madh e i gjerë.

Kahhar (prishës, shkatërrues, persekutues i kundërshtuesve): Allahu është sundues absolut, i cili i drejton krijesat ashtu siç do dhe i dënon e i shkatërron kundërshtuesit.

Uehhab (falës, dhurues): Allahu favorizon dhe jep me shumicë pa shpërblim.

Rrezzak (furnizues, ushqyes): Allahu u siguron të gjitha krijesave racionin bazë jetësor si dhe i furnizon ato siç do vetë.

Fettah (ngadhënjyes): Allahu është ngadhënjyes; Ai ngadhënjen mbi të gjitha vështirësitë dhe hap dyert e mirësive.

Alim (dijetar): Allahu di gjithçka.

Kabid (rrëmbyes i shpirtrave): Allahu i merr shpirtrat si domosdoshmëri e urtësisë dhe favorit të Tij.

Basit (zgjerues i të mirave): Allahu i zgjeron të mirat, i zgjat jetët.

Hafid (poshtërues i mohuesve): Allahu përmbys kë të dojë, Allahu i ul dhe poshtëron të këqijtë, faraonët, dhunuesit, mohuesit.

Rafi’ (lartësues): Allahu ngre lart, lartëson kë të dojë.

Muiz (vlerësues, lartësues): Allahu e lartëson, i jep vlerë dhe e bën të çmuar kë të dojë.

Mudhil (zhvlerësues): Allahu zhvlerëson dhe turpëron kë të dojë.

Semi’ (dëgjues): Allahu dëgjon çdo gjë.

Basir (shikues): Allahu sheh çdo gjë.

Hakem (gjykues, ndarës i të mirës prej të keqes): Allahu gjykon; Ai e diferencon dhe e ndan të mirën nga e keqja.

Adl (i drejtë): Allahu është i drejtë.

Latif (favorizues; detajues): Allahu bën mirë, favorizon dhe di çdo gjë me hollësi.

Habir (i informuar): Allahu është i informuar për çdo gjë.

Halim (sjelljebutë): Allahu është sjelljebutë, Ai nuk ngutet për të ndëshkuar.

Adhim (madhështor): Allahu është i lartë e madhështor.

Gafur (falës i gjerë): Allahu është mbulues dhe falës i gjerë i gabimeve dhe mëkateve.

Shekur (shumë falenderues): Allahu jep shpërblim të madh për pak akte të mira të robve të vet, Ai i shumëfishon mirësitë.

Alij (i lartë): Me fuqinë e Tij, Allahu është i lartë dhe epror ndaj krijesave.

Kebir (i madh, madhështor): Allahu është i madh, Ai karakterizohet nga madhështia hyjnore e posaçme vetëm për Të.

Hafidh (roje, ruajtës): Asgjë s’mbetet e fshehtë për Allahun, Ai shënon çdo gjë që bëjnë robtë e vet, me fuqinë e Tij mban në ekzistencë qiejt dhe tokën, Ai i mbron njerëzit dhe kujdeset për ta.

Mukit (përgatitës furnizimi): Allahu ka mundësi për çdo gjë, kujdeset për këdo e çdo gjë dhe u jep ushqim të gjitha gjallesave që ka krijuar e krijon.

Hasib (llogarikërkues): Allahu llogarit dhe kërkon llogari.

Xhelil (i lartë në cilësi): Allahu është aq i lartë dhe i përplotësuar, saqë asgjë nuk mund të qëndrojë dot para dhe përkundër Tij, saqë mund të shkatërrojë dhe asgjësojë çdo gjë.

Kerim (shumë bujar): Allahu është bujar dhe mirëbërës i madh.

Rakib (vëzhgues, ndjekës): Allahu kontrollon dhe shënon të gjitha bëmat e njerëzve.

Muxhib (pranues i lutjeve): Allahu i pranon lutjet dhe dëshirat dhe u përgjigjet atyre.

Vasi’ (i gjerë në dije dhe mëshirë): Dituria dhe mëshira e Allahut mbështjell çdo gjë.

Hakim (i urtë): Allahu është i urtë, Ai e bën çdo gjë me kuptim, urtësi dhe ashtu siç duhet.

Vedud (dashamirës): Allahu është dashamirës.

Mexhid (i lartë në nder): Allahu është i famshëm dhe bujar i pakufishëm.

Baith (ringjallës, dërgues): Allahu është ringjallës; Allahu është dërgues Profetësh.

Shehid (dëshmues): Asgjë nuk mund të fshihet nga Allahu; Allahu është dëshmitar për çdo gjë dhe nuk harron asgjë.

Hak (i vërtetë): Allahu i vetëqenë, prandaj është vetë e vërteta; Allahu nuk mund të mohohet.

Vekil (dorëzanës): Allahu kujdeset për çdo gjë duke marrë përsipër çdo gjë; asgjë s’është e fshehtë prej Tij; drejtimi dhe ushqyerja e qenieve i përket Atij.

Kavij (i fuqishëm, i fortë): Ai është i vetmi zotërues fuqie dhe force te i cili në asnjë mënyrë nuk mund të shfaqet dobësi.

Metin (i fortë): Allahu është zotërues i fuqisë së përkryer dhe i pushtetit të plotë.

Velij (kujdestar): Allahu është mik dhe ndihmës i atyre që e besojnë, Ai merr përsipër punët e gjithësisë dhe krijesave.

Hamid (i denjë për lavdërim): Allahu është i denjë për çdo lavdërim dhe falënderim.

Muhsi (numërues): Allahu numëron dhe ruan çdo gjë një për një.

Mubdi (bërës nga e paqena): Allahu i krijon krijesat pa model dhe nga hiçi.

Muid (vdekjedhënës dhe ringjallës): Allahu i rikrijon qeniet pasi u jep vdekjen.

Muhji (ngjallës, jetëdhënës): Allahu është jetëdhënës.

Mumit (vdekjedhënës): Allahu është që jep vdekjen.

Hajj (i gjallë): Allahu është i gjallë me një gjallëri që është e posaçme vetëm për Të dhe e përhershme.

Kajjum (që qëndron në këmbë dhe që e mban çdo gjë në këmbë): Allahu ekziston pafundësisht dhe e mban në këmbë çdo gjë.

Vaxhid (zbulues): Allahu zbulon dhe nxjerr në shesh çdo gjë që do dhe në atë çast që do.

Maxhid (i famshëm): Allahu ka famë të lartë.

Vahid (një i vetëm): Allahu është një i vetëm dhe i pashoq.

Samed (i vetëmjaftueshëm e i përplotësuar): Allahu është i vetëmjaftueshëm dhe i përplotësuar; ndërsa çdokush e çdo gjë ka nevojë për Të, Ai s’ka nevojë për askënd dhe asgjë.

Kadir (zotërues): Allahu zotëron dhe ka mundësi për çdo gjë; te Ai nuk mund të shfaqet dobësi në asnjë formë.

Muktedir (fuqiplotë): Allahu është fuqiplotë, për Të s’ka asgjë të pamundur dhe kundërvënia ndaj Tij është e pamundur.

Mukaddim (priorizues): Allahu i jep përparësi, prioritet çdo gjëje dhe çdokujt që dëshiron.

Muahhir (prapësues): Allahu prapëson dhe lë pas çdo gjë.

Evvel (i parë, i paraqenë): Allahu është i paraqenë, Ai ekziston në mënyrë të pafillimtë para gjithçkaje.

Ahir (i pasqenë): Allahu është i pasqenë, Ai s’ka fund; Allahu është mbetës edhe kur të mos ekzistojë më asgjë.

Dhahir ( i dallueshëm): Allahu qëndron dhe dallohet mbi çdo gjë, Ai është i dallueshëm me anë të akteve dhe provave të Tij.

Batin (i fshehur, i brendshëm): Allahu është i fshehur dhe i brendshëm, i pranishëm në çdo gjë në atë mënyrë që nuk mund të perceptohet dhe të përfytyrohet.

Vali (administrues): Allahu administron dhe zotëron tërë gjithësinë.

Muteali (i tejzakonshëm, transcendental): Në ndryshim dhe në mënyrë të dallueshme nga çdo gjë, Allahu është i tejzakonshëm, transcendental.

Berr (mirëbërës): Allahu është shumë i dhembshur me shumë robtë e Tij dhe u bën shumë të mira atyre.

Tevvab (pranues i pendesës): Allahu i pranon pendimet e robve të vet.

Muntekim (shpagimtar): Me drejtësinë e Tij, Allahu u jep fajtorëve ndëshkimin e merituar.

Afuvv (falës): Allahu është falës ndërsa ka mundësi të ndëshkojë.

Rauf (i dhembshur): Allahu është shumë i dhembshur.

Malikul Mulk (pronari i mallit): Allahu është pronari i vërtetë i ekzistencës, i cili vepron si të dojë në pronën e tij.

dhul Xhelali vel Ikram (i Madh dhe Dhurues): Allahu është zotëruesi i madhështisë dhe bujarisë.

Muksit (synues): Allahu është synues, Ai i kryen të gjitha aktet me një synim të caktuar dhe në mënyrë të përkryer.

Xhami (përmbledhës, bashkues): Allahu është përmbledhës dhe bashkues i çdo gjëje që dëshiron në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Ganij (i pasur): Allahu është aq i pasur sa nuk ka nevojë për askënd dhe për asgjë.

Mugni (pasurues): Allahu e bën të pasur kë të dojë.

Mani (pengues): Allahu i bëhet pengesë kujt të dojë dhe ç’gjëje të dojë. Ai i mbron robtë e Tij të bindur nga të këqijat duke e penguar të keqen ndaj tyre.

Darr (dëmtues): Allahu krijon gjërat që shkaktojnë dhimbje dhe dëm dhe e provon me anë të këtyre atë që dëshiron.

Nafi (dobisjellës): Allahu krijon gjërat që sjellin të mira e dobi dhe bën që të përfitojë nga këto ai që dëshiron.

Nur (dritë): Allahu është ndriçues i botëve dhe zemrave.

Hadi (orientues): Allahu është orientues dhe udhëzues në udhën e drejtë.

Bedi’ (novator): Allahu është novator në krijim.

Baki (i gjithëqenë, permanent): Allahu ka ekzistencë të përhershme.

Varith (trashëgimtar): Allahu është trashëgimtari i vërtetë i çdo gjëje.

Rashid (udhërrëfyes): Allahu e çon çdo gjë me urtësi dhe rregull në synimin e vet; Allahu është udhërrëfyes.

Sabur (durimtar): Allahu është durimtar, Ai nuk ndëshkon menjëherë, por jep kohë dhe duron.

Emrat hyjnorë nuk janë vetëm këta që u përmendën këtu. Diskutimi në hadithin Profetik i numrit 99 nuk tregon një kufi, nuk do të thotë se nuk ka emra hyjnorë veç këtyre. Këta janë emrat më të njohur. Allahu ka emra të panumërt.

Ne nuk i dimë të gjithë emrat hyjnorë. Në një lutje që na mëson Profeti ynë, Muhamedi (s.a.s.) për ta bërë dikush kur shqetësohet si pasojë e fatkeqësive, thotë: “Allahu im, unë jam një robi yt, jam bir i një burri dhe një gruaje. Fati im është në dorën e fuqisë tënde. Vendimi yt për mua është në fuqi, vlerësimi yt është i drejtë. Për nderim të çdo emri tënd që e ke përmendur në Librin tënd, që ia ke mësuar dikujt nga krijesat e tua ose që ia ke lënë vetes në Dijen Tënde të fshehtë (që s’ia ke njoftuar askujt), të lutem të ma bësh Kuranin pranverën e zemrës sime, dritën e syve të mi, lehtësuesin e anktheve dhe shqetësimeve të mia!”

Kjo do të thotë se nuk janë vetëm emrat që i dinë njerëzit, që janë përmendur në libër, por janë edhe emrat që i janë njoftuar vetëm një robi të mirë, një xhindi ose një engjëlli, si dhe emrat që nuk i janë njoftuar askujt por janë caktuar si të posaçëm vetëm për dijen hyjnore.

Postime të ngashme