Ëmbëlsia e magjishme e tre muajve të mirë

Tre muajt e mirë zotërojnë një shije krejt tjetër, përmbajnë një atmosferë krejt ndryshe nga muajt e tjerë të vitit. Kjo duhet të jetë dhe veçoria dalluese mes tyre dhe muajve të tjerë. Megjithëse çdo muaj shoqërohet me bukuritë dhe mirësitë përkatëse kjo periudhë e veçantë kohore përjetohet me zemër të hapur dhe ndjenja të sinqerta. Personat të cilët hapin shpirtrat e tyre në këta muaj e ndjejnë veten më afër lumenjve firdeus të parajsës ku do të qëndrojnë përjetësisht shoqëruar me ndjenjat e rrjedhura nga pastërtia e besimit. Për to ditët, netët, orët madje dhe minutat kalojnë me një magji të papërshkruar dhe secilit prej nesh na pëshpërisin emocione të ndryshme sipas gradës së arritur të besimit.

Gjatë këtyre muajve koha ngjyroset me ngjyra hyjnore. Dhe njerëzit sikur të ishin banorët e qetë të botës tjetër vishen me urtësi dhe arrijnë në thellësitë misterioze. Dhe ashtu siç ndodh në botën e brendshme të secilit dëgjohet një poezi në dimensionet e botës së përtejme e cila fillon si një vallëzim nga vatra e ekzistencës në lindjet dhe perëndimet e ëndrrave, kujtimeve. Të shoqëruar herë me hidhërim e here me çaste gëzimi tre muajt na kujtojnë mallin e harruar të parajsës dhe na mbështjellin me shpresën e rigjetjes së saj. Po, kujtimet dhe nostalgjitë e këtyre ditëve të cilat e shndërrojnë çdo minute të jetës sonë në një gëzim dhe entuziazëm të veçantë shndërrojnë ndjenjat tona në një poezi të heshtur dhe jetën tonë në një bukuri të magjishme.

Dritat e rrugëve të shkrira me dritat shpirtërore të tre muajve, zbukurimet gjithë dritë të minareve, gjallëria e gjithanshme dhe butësia e pasqyruar në fytyrat e njerëzve që vrapojnë në xhami sjellin me vete aromën e këndshme të parajsës dhe ëmbëlsi hyjnore të veçanta për ato të cilët e vlerësojnë siç duhet këtë periudhë kohore. Për ato të cilët e kuptojnë dhe ndjejnë besimin, Islamin, kultin dhe adhurimin, të cilët janë të hapur ndaj dashurisë dhe ngrohtësisë, të lëkundur në dallgët e dimensioneve të ndryshme, të freskuar nga flladet e buta, të magjepsur nga zërat e së shkuarës dhe të përkëdhelur nga ajo ëmbëlsi e pafund që na përqafon të gjithëve.

Ashtu siç ndodh çdo vit me ardhjen e tre muajve na duket sikur ritakohemi me ato ditë të gëzuara, të mbushura me hare. Dhe nëse ato ditë kujtohen me orët e kaluara me adhurim, me pastërtinë e cicërimave të zogjve, bukurinë e minutave të ezanit të shijuara me gëzimin e një fëmije, me një zemër të mbushur me besim atëherë fillon poezia e cila rizgjon shpirtrat tanë me ndjenjat e freskëta të takimit me Zotin. Fillon duke zhdukur të gjitha perdet në fytyrën e ekzistencës dhe ato minuta të mbushura me qetësi, lumturi, ngrohtësinë e të qenurit afër Tij janë vetëm tonat.

Postime të ngashme