Edukojini fëmijët nëpërmjet lojërave
Prindërit ose edukatorët duhet të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre, në mënyrë që të përcjellin tek ata afërsi, dashuri, përkujdesje dhe vlera. Ja disa ide se si mund të kaloni kohë cilësore me fëmijët tuaj:
Organizoni një kuiz
Edhe pse televizori, normalisht, duhet të shmanget, nuk është e mundur dhe nuk duhet t’i shkëpusim fare prej tij; përkundrazi, duhet të caktojmë një kohë (brenda limiteve të caktuara të moshës) për të ndjekur programe apo filma edukativë, duke i shoqëruar fëmijët gjatë shfaqjes së tyre. Kjo e rrit besimin e tyre ndaj nesh, por dhe na ndihmon të bëjmë sqarime herë pas here. Kështu, organizoni një kuiz mbi atë që ndoqët dhe përgatisni dhurata modeste me të cilat do shpërbleni përgjigjet e sakta.
Organizoni konkurse mbi jetën e Profetit a.s.
Prindërit këshillohen që t’i edukojnë fëmijët me dashurinë për Profetin a.s. Organizimi i konkurseve të tilla do t’i nxiste fëmijët të lexonin më shumë për jetën e tij. Konkursit kushtojini vëmendje. Mund ta organizoni dhe në formë feste.
Planifikoni veprimtari të këndshme, edukative por dhe që i vënë fëmijët në lëvizje
Luani symbyllazi me figura. Për shembull, vizatoni një xhami në tabelë dhe kërkojini fëmijëve që, ashtu symbyllur të vizatojnë minaren e xhamisë. Ose luani bulling, por këtë herë duke shënuar vlera dhe anti-vlera në secilën nga shishet. Fëmijëve u kërkohet të rrëzojnë vetëm anti-vlerat. Kështu ata do synojnë të fitojnë sa më shumë pikë. Në të vërtetë ata nuk do i rrëzojnë anti-vlerat vetëm në lojë. E gjithë kjo lë gjurmë në nënvetëdijen e tyre.