Edukata në familje, bazë për një shoqëri të shëndoshë

Familja është një bashkim vullnetar, një shoqëri e vogël që përbëhet nga bashkimi legal i burrit, gruas dhe fëmijëve të tyre. Me të drejtë disa dijetarë e cilësojnë si një kështjellë të lartë në mes të një fushe të gjerë, duke shtuar se “shkalla e qytetërimit të një populli mund të matet me qëndrueshmërinë e shpirtin e familjes dhe virtytet që ajo krijon”. Ashtu siç është ekzistenca e familjes e domosdoshme për ndërtimin e një shoqërie, edhe puna e saj edukative është kusht i parë për qenien e kësaj shoqërie të shëndoshë, me morale të larta, që janë të domosdoshme sine non qua për lumturinë e saj brenda një kombi.

Për të bërë jetën tonë në kompleksin e saj të gjithanshëm, për të realizuar sa më shumë të mira, duhet që, pasi të ketë nisur të formohet mendërisht fëmija, të punohet për ta bërë këtë të fundit me kohë themelues të një familjeje. Aty këtu shihen të rinj, që duke mos qenë të përgatitur si duhet në familje, ngurrojnë e nuk marrin përgjegjësi për krijimin e saj.

Ndërgjegjja dhe arsyeja na e bëjnë të detyrueshme themelimin e një familjeje, detyrë kjo sa shoqërore, aq edhe morale, për t’ua transmetuar të tjerëve jetën që kemi kaluar ne, të sigurojmë begatinë ekonomike, forcën materiale dhe prestigjin moral të vendit. Ata që tërhiqen nga kjo detyrë, nuk e njohin interesin e tyre të vërtetë, ata janë njerëz pa ambicie. Ata injorojnë faktin se nuk ka detyrë më të ëmbël se shoqërimi i ekzistencës së tyre me atë të qenieve të tjera. Njeriu i izoluar është i dobët, i prirur ndaj qëndrimeve egoiste dhe bie në melankoli. Pjesëmarrës në një familje, ku dashuria e ndërsjellë është bazë, ai bëhet i fortë, i devotshëm e i gëzuar. “Kam kërkuar shumë – thotë Rousseau – ku mund ta gjeja lumturinë e vërtetë, nëse ka një të tillë mbi këtë tokë, por arsyeja më tha se nuk e gjen vetiu këtë lumturi përveçse në familje.”

Shikoni jetën e një djali të pamartuar, jetë e ngushtë, jo e plotë, skllave e tekave, krahasojeni këtë jetë me atë të një kryefamiljari, dhe keni për të gjetur në këtë krahasim një ndryshim të madh psikologjik e shoqëror. E pra jeta familjare i jep njeriut krejt atë që është e ligjshme, krejt atë që ai dëshiron. Martesa dhe atësia i dhuron atij një zemër më rezistente për vuajtjet dhe një shpirt më të afrueshëm për të qarë hallet. Martesa dhe mëmësia i jep femrës koshiencën e të gjitha forcave të saj, krejt ndjenjën e përgjegjësisë.

Babai e nëna, shtyllat kryesore të familjes, duhet të kujdesen për fëmijët e tyre jo vetëm në pikëpamje biologjike: ngrënie, veshje e strehim, por edhe në edukimin e përgatitjen e tyre për shoqëri. Që në ditët e para të lindjes së fëmijës, prindërit duhet të kujdesen të gjejnë për të një emër të bukur e plot kuptim e jo në imitim të një emri që nuk ka asnjë lidhje me të. Kur të fillojë të rritet, t’i mësojnë të përdorë veshje të pastra e të hijshme e jo nga më ekstravagantet që nuk i sjellin asnjë të mirë morale. Profeti a.s. thotë: “Secili nga ju është kujdestar i fëmijës së tij dhe do të përgjigjet para Zotit për mënyrën e përgatitjes së tij”. Në qoftë se ata i kryejnë këto detyrime, sigurisht Zoti nuk do t’ua humbë mundin e derdhur për ta.

Fatkeqësisht shohim edhe sot, pas asaj periudhe të errët gjysmëshekullore, që prindërit tregohen shumë indiferentë ndaj edukimit të fëmijëve të tyre. Ata i lënë të bredhin ngado, të flasin e të bëjnë çfarë të duan, të shoqërohen me njerëz të papërshtatshëm, të ndjekin shfaqje televizive të dëmshme për moshën e formimin e tyre, të lexojnë literaturë e shtyp që në dukje është zbavitës, por me brendi e pasoja të rrezikshme për veten e familjen. Madje tani ka edhe nga ata prindër që më tepër kujdesen për tregtizën e hapur rishtazi, se sa për fëmijët e tij që i ka sjellë në jetë.

Disa prindër të tjerë miratojnë mendimet e fëmijëve që sa të jesh në këtë moshë, duhet shfrytëzuar çdo lloj dëfrimi. Gjatë dëfrimeve, mendojnë ata, njeriu largohet nga hallet e brengat e jetës plot vuajtje, por duhet ditur se duke mos u mësuar që në rini për t’i përballuar me kurajë e për t’i kapërcyer me mund e punë këto halle e brenga, njeriu mbetet një parazit e përfundon me zhgënjime fatale. Një psikolog i njohur thotë: “Sikur ta dija se detyrat e mia ndaj vetes, familjes e shoqërisë do të zhdukeshin me anën e argëtimeve, edhe në gjumë do të kërkoja të dëfrehesha…”

Bashkohem me një mendimtar që thotë: “Ashtu siç është ndërtuar njeriu me gjymtyrët e organet e nevojshme për të përballuar luftën për ekzistencën e tij, krahas kësaj i lindin edhe një kompleks detyrash për kryerjen e të cilave duhet të përgatitet me anën e potencave shpirtërore të krijuara me të si arsyeja, vullneti, ndjenja e përgjegjësisë dhe guximi.”

Edhe për problemet familjare, si kudo gjetiu, ka detyra, mospërmbushja e të cilave e kthen njeriun në një qenie të paaftë për të krijuar familje e për t’i dhënë njerëzimit fëmijë të aftë për jetë; kështu që mund të themi me të drejtë se ai që ka dështuar në këtë jetë, mbetet një qenie numerike. Sa të tillë kemi sot? “Nga frytet që jep, njihet se çfarë peme është”.

Prandaj familja ka fjalën e parë në edukimin e fëmijëve dhe kjo edukatë që merret prej saj, është bazë për një shoqëri të shëndoshë.

Postime të ngashme