Përse duhet feja?

Falënderimet e panumërta i qofshin Allahut të Madhëruar, Krijuesit të botëve, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dërguarin e fundit, profetin Muhamed, mbi familjen dhe shokët tij, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e Profetit të fundit deri në ditën e fundit të kësaj bote.

Shpeshherë dëgjojmë familjarët tanë, miqtë, shokët apo edhe më gjerë, që nuk e kuptojnë dot akoma rëndësinë e fesë, të pyesin: “Për çfarë ju hyn në punë feja”? Deri diku, duke marrë parasysh kohën që jetojmë, brenda një vorbulle materiale ku mendjet janë ngushtuar dhe shpirtrat janë zvogëluar, pyetja është me vend. Mbase ky është momenti i duhur për të reflektuar edhe ata që frekuentojnë xhamitë, agjërojnë apo predikojnë.

Jetojmë në një shekull ku çdo gjë bazohet mbi materialen. Shumica e njerëzve besojnë dhe bëjnë pjesë të jetës së tyre vetëm gjërat që i shikojnë, i prekin dhe rrjedhimisht u hynë në punë. Feja, besimi janë gjëra të paprekshme, të pakapshme për njeriun, sidomos për një shoqëri të mbytur në materie. Këtu do të mundohemi të parashtrojmë në disa pika kryesore, domosdoshmërinë e fesë.

Fjala “fe” në gjuhën arabe emërtohet me fjalën “din”. Kuptimi gjuhësor i fjalës “din” është: bindje, gjykim, rrugë, sundim, shpërblim. Ndërsa kuptimi terminologjik është: manual parimesh hyjnore, që i çojnë njerëzit, me vullnetin e tyre të lirë, në gjëra të mira e të dobishme. Feja e zgjedhur tek Allahu xh.sh. është feja islame:

Zgjodha që Islami të jetë feja juaj”

  1. Krijimi i njeriut trup-shpirt

Njeriu është i krijuar me trup. Ka një sistem të mrekullueshëm si në paraqitje po ashtu edhe në përbërjen e brendshme. Gjithashtu, mbarëvajtja e këtij sistemi përsëri bëhet me anë të materiales. Që gjaku të qarkullojë sa më mirë, nevojitet ushqim. Që kockat të marrin ushqimin e duhur, nevojitet përsëri ushqim. Të gjitha këto ushqime, janë me përbërje materiale. Nuk mendohet dot një ditë që furnizimi i trupit të bëhet me fjalë të mira apo me melodi muzikore. Trupi ka nevojë për vitamina, kalcium, oksigjen e shumë e shumë furnizues të tjerë. Të gjitha këto trupi ynë i observon nëpërmjet frutave, perimeve, mishrave, brumërave etj. Pra materialja ushqehet me materiale. Ashtu siç Allahu xh.sh. i ka servirur krijesës së Tij gjithë këtë sofër gjigande mbi sipërfaqen e tokës, siç ka nënshtruar çdo gjë materiale për të, duke filluar që nga ajri, shiu, e deri te bimët, peshqit, kafshët, të cilat edhe kanë një forcë më të madhe se e njeriut, Allahu i ka nënshtruar përpara një thike për njeriun, që të ushqejë trupin e tij. Po ashtu Allahu ka caktuar edhe për shpirtin ushqimin e duhur. Edhe shpirti ka nevojë për ushqim. Nëse shpirtin do ta mendonim si një njeri me gjymtyrë, do të shikonim se mungesa besimit do të sillte çrregullime në tru. Mungesa e adhurimeve, e moralit të mirë do të sillte çrregullime në të gjithë trupin e njeriut. Për këtë arsye, Allahu ka sjellë mbi 124 mijë të dërguar (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta). Nëpërmjet tyre, Allahu i ka mësuar njeriut se si ta ushqejë shpirtin e tij. I ka mësuar njeriut se nuk është thjesht një krijesë që ka nevojë vetëm për të ngrënë apo për të pirë, por ka nevojë edhe për lumturi të brendshme, për mbështetje te Krijuesi i tij, për qetësinë e zemrës. Ka nevojë për t’u orientuar se ç`është e mirë e ç`është e keqe. Ka nevojë të mësojë moralin e bukur, edukatën e mirë. Ka nevojë të adhurojë Krijuesin e tij. Ka nevojë për një fuqi të pashtershme. Gjithashtu ka nevojë të mësojë se ç`është e dëmshme e ç`është e dobishme për materialen e tij. Të gjitha këto janë rënkime shpirtërore, të cilat njeriu i ka të domosdoshme t`i përmbushë. Përmbushja e këtyre, bëhet vetëm nëpërmjet fesë. Nuk ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit një epokë e pafe, pa besim, pa adhurim.

“O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s`ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.”

  1. Nevojat e brendshme

“Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç`i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.”

Më thuaj pak o njeri, që çdo gjë e vlerëson sipas ngushticës së materiales, a nuk do të dëshiroje dikë që të të qëndrojë kaq pranë?! Sa herë mërzitesh me të afërmit e tu, me shokët, miqtë se nuk të qëndruan pranë në raste të mira e të këqija, nuk të qëndruan pranë në raste nevoje?! Këtu duket shumë qartë, siç duket dielli ditën, se ti ke nevojë për dikë të të qëndrojë pranë. Të zgjidhi problemet që ke. Ngushticën ku ke rënë. Të të çlirojë nga stresi, depresioni, makthi. E pra, Allahu e njeh pafundësisht shumë herë më mirë krijesën ë Tij. Vetëm Ai ia përmbush njeriut këtë boshllëk të rëndësishëm në qenien e tij. Nuk janë të pakta rastet ku njerëzit vetëvriten ose vrasin njëri-tjetrin për arsye të stresit e depresionit ku kanë rënë. Kjo plagë mund të shërohet vetëm me përqafimin e fesë, me lidhjen me Allahun, me të Dërguarin e Tij dhe me Kur`anin Famëlartë.

  1. Ankthi nga ç`ka pas vdekjes

Çdo ditë përballemi me një fakt që për disa njerëz mund të quhet i hidhur, me vdekjen. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që do të vdesim. Vetëm mendimi i një fenomeni të tillë, sjell ankthe te njeriu i pafe, për arsyen se nuk ka orientimin e duhur që mund t`i qetësojë lëngatat e shpirtit. Mosekzistenca është më e dhimbshme se sa djegia në zjarr. Sado që njeriu i pafe, duket i lumtur në pamjen e jashtme, i qeshur, i gëzuar, lotët e shpirtit të tij nuk pushojnë derisa ai të arrijë të gjejë prehjen te horizonti i fesë. Për atë që na pret pas vdekjes, vetëm Krijuesi i Gjithçkaje mund të na informojë. Kështu, nëpërmjet të Dërguarit të Tij të fundit, na ka qartësuar se pas vdekjes ekziston jeta e përjetshme dhe se ajo jetë është me e rëndësishme për njeriun sesa kjo që po jetojmë tani. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) na thotë:

 “I zgjuar është ai që kritikon egon e tij dhe punon për ç`ka pas vdekjes…”

Përsëri feja është ajo që e zgjon njeriun nga monotonia e përditshme dhe e pavlerë. Feja i jep njeriut vizionin e duhur dhe i tregon se jeta nuk është vetëm kjo që po jetojmë. Këtu është vendi i veprave të mira, moralit të bukur, adhurimit të Allahut, leximit të Kur`anit, ndjekjes së traditës profetike, ndërsa jeta e ardhshme është vendi i kënaqësive, i dëfrimeve nga më të ndryshmet. Nëse nuk do të ishte feja, nëse Allahu nuk do të zbriste librat dhe nuk do të dërgonte pejgamberë, jeta jonë nuk do të kishte asnjë ndryshim nga ajo e krijesave të tjera.

  1. Bindja ndaj Krijuesit është detyrë

Allahu është i pastër nga çdo e metë dhe mbi çdo krahasim. Për ta kuptuar më mirë çështjen, mund të sjellim një shembull nga jeta jonë. Prindërit janë njerëzit e parë dhe të fundit që kujdesen për çdo gjë të fëmijës së tyre, që prej vogëlisë e deri sa të jenë gjallë. Për këtë, fëmija është i detyruar edhe moralisht, por edhe fetarisht që të mos e kursejë respektin ndaj tyre në çdo kohë.

Allahu na ka rrethuar me mirësi. Ngado që hedhim sytë, shikojmë të mirat që Ai na ka dhënë pa asnjë pagesë. Për më tepër, edhe sytë që shikojmë këto të mira, janë një prej mirësive të Tij të shumta. A nuk duhet të jemi ne të bindur ndaj urdhrave të Tij? A nuk duhet t`i kushtojmë më shumë se 1 orë në ditë adhurimeve, falënderimeve, lavdërimeve ndaj Tij?! A nuk duhet të jemi më të dashuruar me ato që Allahu ynë na ka sjellë?! Këtë bënë të dërguarit e Tij. Këtë bëri edhe më i Zgjedhuri i Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Iu bindën Atij dhe dhanë çdo gjë për të punuar në rrugën e Tij. Nuk u mjaftuan me veten e tyre, por u përpoqën ditë e natë, që t’ua përçonin këtë dritë hyjnore, të gjitha shtëpive në rruzullin tokësor.

Një ditë, një mosbesimtar, erdhi te imam Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe hyri në diskutim.

– Ju besimtarët jeni shumë të çuditshëm. Bëni adhurime, falni namaz, agjëroni, lexoni Kur`an, silleni mirë me të gjithë, nuk thyeni zemra, punoni me ndershmëri, nuk gënjeni, jeni tregtarë të drejtë, të pastër… Të gjitha këto i bëni se besoni te një botë tjetër, ku do të merreni në llogari dhe do të shpërbleheni ose do të dënoheni sipas punëve që keni bërë këtu. Po kush ua siguron juve se do të ketë me të vërtetë një diçka të tillë? Unë besoj shumë thellë se nuk do të ketë më një jetë tjetër. Prandaj, jeto sa të kesh mundësi, bëj çfarë të mundësh këtu.

Imam Aliu, pasi e dëgjoi me vëmendje tjetrin, me qetësi iu përgjigj:

-Ta zëmë se do të jetë ashtu siç thua ti. Pra, nuk do të ketë jetë tjetër. Atëherë i bie që të dy nuk humbasim asgjë. Jemi të dy njësoj. Pa më thuaj, po nëse është ashtu siç them unë, çfarë do të bësh ti?

Pas kësaj qasjeje kaq të thjeshtë dhe logjike nga ana e imam Aliut, tjetri u kthjellua dhe i vuri gishtin kokës dhe u bë mysliman.

Ata që pyesin akoma, “përse duhet feja?”, le t`i japin tani përgjigje pyetjes,”përse nuk duhet feja?”.

Nga Hysni Merja

Postime të ngashme