Myslimania, grua dhe nënë – Alija Izetbegoviç

Ekzistojnë shumë mashtrime për Islamin. Njëri prej tyre lidhet me myslimanen dhe vendin që ajo zë në shoqërinë islame.

Duke diskutuar për këtë, evropiani do t’ju kritikojë për kufizimin e myslimanes brenda rrethit të shtëpisë, për emancipimin e pakët etj. Në rast se ai është i formuar edhe si kristian, gjithsesi me fjalë nuk do ta miratojë qëndrimin islam ndaj epshit, madje edhe të jetës seksuale, ashtu si edhe ndaj institucionit të divorcit në familje, që Islami e njeh (miraton). Nuk mbrohemi nga kritika të tilla e të ngjashme me to.

Ashtu si në çështjet e tjera, edhe ato (kritikat) kuptojnë vetëm këtë që, Islami për disa çështje të rëndësishme të jetës ndryshon nga qëndrimi evropian. Shpjegojini bashkëbiseduesit tuaj se edhe ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen e pozicionin e gruas në familjen islame, por jo për faktin se nuk është evropiane, por sepse ky pozicion e qëndrim nuk është plotësisht islam. Nuk do të kishte gabim më të madh se sa të mendosh se çdo gjë që hasim në botën islame është në përputhje me parimet kuranore. Kjo vlen edhe më tepër kur flasim për myslimanen. Megjithëse Sheriati është një, pozicioni i myslimanes ka qenë i ndryshëm në thellësi të shekujve, por edhe sot është i ndryshëm nga Perëndimi në Lindje.

Pozicioni i gruas, jo vetëm në shoqërinë islame, por edhe në botë në përgjithësi, kufizohet nga gjendja e ligjeve që e rregullojnë këtë pozicion. Një rol të konsiderueshëm këtu luan tradita, niveli arsimor e kulturor si dhe arsimimi (kultura) i vetë gruas. Islami është unik, por praktika e tij është e ndryshme në varësi të mjedisit që e mbart, i cili mund të jetë i prapambetur ose i përparuar, gjeneratë e shëndoshë ose dekadente. Islami është ai që është shkruar në dokumentet burimore të tij, por Islami si praktikë jetësore është ai që edhe ne duam të jetë, ai që mendja dhe shpirti ynë të udhëhiqen prej tij. Për këtë arsye, duke u nisur nga parimet islame, ne në të ardhmen mund të krijojmë një pozicion të tillë për myslimanen, që t’u përgjigjet dinjitetit njerëzor dhe detyrave të Rilindjes Islame.

Ajo që Islami veçon nga shumica e religjioneve të tjera, sidomos nga kristianizmi, është se i mungon ajo që quhet antierotike. Në shumë vende në Kur’an flitet drejtpërsëdrejti për lidhjen e meshkujve dhe femrave dhe duke theksuar nevojën e pastërtisë së higjienës dhe përmbajtjes si kod (kushtetutë) për popullin, Kur’ani nuk ka hipokrizi të kultivuar, por ka shumë të vërteta të thjeshta e pa zbukurime. Kjo është arsyeja që Islamin dhe Muhamedin a.s. e kanë sulmuar për shkak të qëndrimit ndaj jetës epshore. Nuk duhet ta mbrojmë Islamin nga këto akuza, përkundrazi, duhet thënë qartë dhe hapur: Po. Islami nuk e mohon seksin (ndjenjën); ai është për jetë natyrale, për gëzim, dashuri, ashtu siç është për shëndetin, pastërtinë, forcën, luftën dhe mirëqenien dhe kundër asketizmit nga njëra anë dhe shfrenimit nga ana tjetër.

Krahas “qiellores”, ai kërkon dhe frytet tokësore për njeriun dhe lejon që të njëjtat duar të cilat ishin drejtuar për lutje, tani të drejtohen për të korrur gëzimin e jetës. Gjithçka që kërkohet nga ne është që të mos i kapërcejmë kufijtë (term që përdoret shpesh në Kur’an), që gëzimet të jenë të shëndetshëm e të pastër, dhe kur është çështja për gratë, t’u qëndrojmë (rrimë) si burra të ndershëm e jo si lapërdharë (epshorë). (Nisa, 34)

Islami nuk kërkon që të zhduken ndjenjat, por që ato të disiplinohen. Nuk kërkon shtypjen e seksit, por disiplinë seksuale. Sido që të jetë, abdesi nuk është larje e zakonshme dhe zekati nuk është mëshirë siç e kuptojnë rëndom dhe e përkthejnë atë në Perëndim. Po kështu të kuptuarit e Islamit në këtë jetë nuk është asnjë lloj materializmi perëndimor. Kur një fe e konsideron veten superiore në thirrjen për rregullimin e botës, atëherë koncepti i luftës, mirëqenia, pushteti fitojnë një theks të ngurtë moral.

Ndalemi te një çështje tjetër. A është Islami për barazinë e gruas?

Përgjigja kumbon: po dhe jo. Po, nëse punohet për gruan për një personalitet të barasvlershëm, që mbart detyrimet etike, morale e njerëzore. Jo, nëse kjo do të thotë funksion të barabartë në familje e shoqëri, siç kuptohet zakonisht kjo barazi në Evropë. Çështja e superioritetit apo inferioritetit ekziston vetëm ndërmjet vendeve të të njëjtit lloj. Gratë nuk janë as më lart e as më ulët. Ato janë thjesht të ndryshme nga meshkujt dhe meqë krahasimi rrëzohet (bie), atëherë me të bie dhe çështja kush është më lart e kush më ulët. Është më e rëndësishme zemra apo mushkëritë?; pyetja është e pavend. Secili nga këto organe është i pazëvendësueshëm në funksionin e vet, por me të drejtë ndryshueshmëria u jep atyre vlera të veçanta në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet tyre. Le t’i referohemi çështjes së mëposhtme; detyrimet fetare të burrit e gruas sipas Kur’anit janë plotësisht të njëjta. Nuk ka asnjë ndryshim në obligimet dhe përgjegjësitë të cilat për burrat dhe gratë burojnë nga pesë shtyllat e fesë. E njëjta gjë vlen edhe për detyrimet morale që shprehen në Kur’an.

Përgjegjësia është e njëjtë, për rrjedhim edhe vlera (shpërblimi) është e njëjtë, sepse në çdo ligj vlera është baza e përgjegjësisë. Çështjet (testimet) e ndryshimeve për nivelin e zgjuarsisë ndërmjet burrit dhe gruas kanë treguar se ndryshimet më tepër qëndrojnë në aspektin cilësor dhe më pak në nivelin e inteligjencës. Kjo buron nga rolet e tyre të ndryshme në përbërje dhe në ruajtjen e jetës. Gruaja është simbol i pjellorisë, i lindjes, i ndryshimeve pa fund të gjeneratave. Në të gjitha sferat e jetës, atje në kufijtë e instinktit dhe të ndjenjës, gruaja është aktori imediat. Në qoftë se në Islam ekziston çështja e gruas, zgjidhja e kësaj çështjeje quhet nënë. Atyre që në emër të emancipimit dhe të barazisë së gruas nuk janë dakord me këtë zgjidhje u përgjigjem: nuk e ka denigruar Islami gruan, por ju e keni denigruar nënën. Vetë emërtimi (thirrja) nënë, nuk është poshtërues, përkundrazi, ai (emërtim) është bota e lartësuar, kurse njerëzit e kanë poshtëruar.

Ekzistojnë shembuj grash që shërbejnë në kafene ose ushqejnë shqarthat dhe me këtë punë mund të përfitojë pensionin, ndërsa gruaja që ka lindur dhe mirërritur 3, 4 e më shumë fëmijë, nuk mundet të përfitojë asnjë të drejtë. Dikur fisniku romak përulej kur kalonte para gruas shtatzënë duke treguar kështu respektin e vet për nënën e ardhshme, kurse në statistikat e shek. 20 nëna quhet si “person që s’punon”, pra radhitet me të tjerë elementë të papunë. Ekzistojnë shkolla për rrobaqepëse, lulishtare, balerina, madje dhe për manekinë (model për rroba, fustane etj.), ndërkohë që nuk ekziston shkollë për nëna, ashtu siç nuk ekziston dhe për punonjëset e pakualifikuara. Mund të thuhet lirshëm se amësia në shekullin e ri është e panjohur shoqërisht. Ajo është çështje private e personit të interesuar direkt.

Prostitucioni dhe mëkati janë sheshit. Të gjithë e shohim këtë, por të gjithë bëjmë sikur s’e shohim. Si është arritur gjer këtu? Përgjigja kësaj radhe gjendet në shoqërinë e re të ekonomisë globale. Industria që në dy shekujt e fundit është zgjeruar vrullshëm i duhej çdo gjë më lirë. Dhe ku do e gjente më tepër të lirën se sa me armatën femërore që përbën gjysmën e popullatës. Pra nuk është punuar për barazi. Në rend të ditës ka qenë interesi dhe në një masë më të madhe shpirti i civilizimit industrial. Gratë thoshin: Nuk duhet të bëhesh nënë dhe të rritësh fëmijë, por duhet të bëhesh mjeke, gazetare, njeri i punësuar, anëtar i përfaqësimit të një trupi. Ndërkohë nga ato 22.5 milion të punësuara amerikane, thuajse 30 milion ruse dhe 5 milion gjermane, më pak se 2 % janë mjeke, gazetare e artiste. Shumica e atyre që mbeten, më tepër se 95 % punojnë në ferma (punishte) e fabrika.

Gruaja në shtëpinë e vet, përveçse është nënë, njëherësh është bashkëshorte, e në njëfarë mënyre infermiere, kuzhiniere, pediatre, dietetike, higjeniste, pedagoge, ekonomiste, rrobaqepëse, lulishtare e dekoratore. Mbetet e pasqaruar se si ata që predikojnë emancipimin e gruas me çdo çmim, kanë arritur (pasur sukses) që të çorientohen për këtë duke pohuar se puna në fabrika është më e respektuar dhe më pak monotone se puna e shtëpiakes. Shumë vetë kanë besuar se ushqimi (përkujdesja, mëkëmbja) i fëmijëve të huaj (në rolin e mësuesit ose dados) është krijimtari, ndërsa edukimi i fëmijëve të vet është punë e ulët (jo e respektuar) ose vetëm punë e dorës së dytë, pjesë e punëve të mërzitshme shtëpiake. Një grua e punësuar tregon: Ngrihem (zgjohem) në orën 6 të mëngjesit, i zgjoj fëmijët e pangopur me gjumë, i ushqej, i vesh, nxitoj në kopsht dhe prej andej në zyrë. Këtu rri deri në orën 2 pas dreke e më pas vrapoj në kopsht, përgatis drekën, laj, rregulloj shtëpinë, ushqej fëmijët, i laj dhe përsëri i ushqej e i laj, qep dhe hekuros. Ka një vit që s’kam shkuar në kinema. Dëshiroj vetëm një gjë: të ngopem me gjumë dhe për sa i përket jetës sime private, e ndiej se nuk ekzistoj. Vetëm si nënë gruaja ka vlerë të patjetërsueshme dhe absolute. Çdo njeri që nënvlerëson gruan si nënë nuk mund kontribuojë në respektimin e saj, sepse amësia është një e drejtë jo vetëm e paprekshme, por edhe një e drejtë e lashtë që njeh njerëzimi.

Emërtimi nënë, që kërkon zemër të madhe, instinkt e dashuri të verbër, këmbëngulje të marri, që kundërshton ndjenjën dhe çdo mundësi tjetër, thuajse e pamundëson gruan që të kryejë me sukses detyra ku janë të domosdoshme kondicione të ftohta dhe komerciale, ose punë dhe delegim punësh që lidhen me objekte të vdekura. Puna pa personalitet është në kundërshtim me natyrën e gruas. Mos kërkoni nga gruaja që të bëhet gjyqtare ose dëshmitare. Fëmija i saj dhe ai që do ajo, asnjëherë nuk dalin fajtorë. Në qoftë se Kur’ani e shpreh këtë, ai nuk e pakëson vlerën e gruas si personalitet, por ai sheh disa gjëra që ne nuk i shohim. Ata që dëmtohen më tepër nga punësimi i gruas janë fëmijët. Gratë ua kanë besuar ata personave që s’punojnë për dashuri, por për pagë (mëditje). Në kopsht për shërbyesin ushqyes fëmija është vetëm një send ndërmjet sendeve të tjera. Streha, kopshti dhe shtëpitë pak i edukojnë dhe i mëkëmbin fëmijët. Ata vetëm “kujdesen dhe i ruajnë” fëmijët duke i lënë të pazhvilluar e pa u përkujdesur për sferën e tyre të ndjenjave. Më kujtohet se si ka shkruar i madhi Ruso: “Me të vërtetë që dikush ta mëkëmbë njeriun, duhet të jetë baba ose diçka më tepër se njeri. Dhe këtë detyrë ju qetë-qetë ia besoni qiramarrësve. – duke vazhduar – A doni që secilin ta ktheni te detyrat e veta? Filloni me nënën!

Do të befasoheni me ndryshimet që do të hasni. Pas këtij ndryshimi fshihet çdo e keqe”. (Zh.zh. Rusoi; Emili). Problemet bashkëkohore të rinisë së sotme në thelb (esencë) karakterizohen nga gjendje pa rrugëzgjidhje dhe nga mungesa e rolit të nënës dhe të familjes në shoqëri. A mundet gruaja të vërë shenjën e barazimit ndërmjet amësisë dhe punës jashtë rrethit familjar. Për një moment t’i lëmë mënjanë problemet emocionale dhe të vëzhgojmë ekskluzivisht anën teknike të kësaj çështjeje. Doktorët dhe sociologët kanë të njëjtin mendim që nëna të mos ndahet nga fëmija deri sa të mbushë tre vjeç. Kjo është periudha kur ajo është e domosdoshme (për fëmijën) dhe kur detyrat e veta si nënë, ajo nuk mund t’ia delegojë një personi të tretë. Në pajtim me këtë, pas Luftës së Dytë Botërore në të gjitha shtetet kemi të njëjtat zgjatje të mungesës së lehonisë. Mungesa e lehonisë trevjeçare është e vetmja zgjidhje e drejtë. Një grua duhet të lindë së paku tre fëmijë që të sigurohet ai minimum bindjeje që në shkencë njihet me etiketën “riprodhimi i thjeshtë i shoqërisë”. Në shtetet e zhvilluara sot familja normale konsiderohet me katër fëmijë. Medicina pohon se gruaja është më mirë të lindë ndërmjet 20-30 viteve të jetës.

Nga tri të dhënat e fundit del se në moshën 20 vjeçare fillon pjekuria e saj si nënë që përjashton çdo punë jashtë familjes dhe kjo zgjat 10 vjet. A duhet që gruaja në moshën 30 vjeçare me 3 fëmijë nga 3-10 të fillojë karrierën e vet jashtë shtëpisë? Në të shumtën e rasteve praktika vetë do të japë një përgjigje të qartë. Islami kërkon që nëna dhe fëmijët të mos bëhen viktima. Bota islame kërkon që të marrë nga Perëndimi mendimin për punësim dhe organizim, metodën shkencore të punës e të teknikës, por në vështrimin e jetës së brendshme filozofike të jetës, normave morale dhe jetës familjare, Evropa nuk paraqet ndonjë model. Në disa raste mënyra e jetës evropiane është model i cili s’duhet të imitohet (të merret si shembull). Në kohën e sukseseve të pabesueshme teknike dhe shkencore filozofia sunduese në Perëndim ishte pesimizmi. Ajo flet për qorrsokakun dhe absurditetin e jetës. Kushtet reale të jetës e shkatërrojnë jetën familjare.

Familja e shkatërruar evropiane kërkon nga ana e vet që të krijojë një klimë reale shpirtërore ku çdo gjë fillon e bëhet absurditet. Ja disa të dhëna dhe fakte: Numri i divorceve familjare në Suedi katërfishohet nga viti 1920. Në tokat skandinave një në çdo 7 familje përfundon në ndarje. Në 50 % të rasteve të divorceve shkak është tradhtia (shkelja e kurorës). Më 1960 numri i divorceve në Kaliforni pati arritur deri në 50 % të familjeve. Sipas të dhënave të fundit, në SHBA ka më tepër se 21 milion gra vejusha, të pamartuara e të divorcuara. Dr. Ajrin Djoselin (psikiatër) njofton dekadencën (prishjen) e meshkujve amerikanë si rezultat i punësimit shoqëror të grave amerikane. “Ne po shkojmë drejt strukturës shoqërore që do ta bëjë gruan-burrë dhe burrin- grua”. Psikologët amerikanë, Abram Kardina dhe Kernut Menhlinger, duke punuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, arritën në të njëjtin konkluzion se ftohja e grave dhe meshkujve dhe impotenca e meshkujve janë më të shpeshta në botën e sotme të civilizuar. “Shkaku më madhor i çrregullimeve seksuale është tjetërsimi i roleve të meshkujve dhe femrave”, konkludon Kardineri.

“Lakuriqësia më e madhe e grave, karakteristikë për të ashtuquajturën mënyrë amerikane e jetesës, shkallë-shkallë ka pasojat e veta në pakësimin e fuqisë (potencës) seksuale mashkullore dhe kështu hapet rruga e perversëve të çdo lloji”, thekson psikoanalisti amerikan Theodhor Reik. Tatëpjeta e vendeve për shkak të natalitetit të ulët i ka shpënë në kategorinë e kombeve të plakura, sepse numri i fëmijëve është gjithnjë e më i vogël. Viti 1951 njihet në Çekosllovaki si nivel katastrofik i ulët sipas numrit të fëmijëve. Ndërkohë rënia e natalitetit ka nisur dhe më 1966. E njëjta situatë ka sunduar dhe në Francë ndërmjet dy luftërave dhe gjendja sot është fare pak më mirë. Këshilli nordik, hartuesi i rëndësishëm i kodit konsultativ nga të pesë vendet e tokave skandinave, u përkul me krizën e familjes dhe gjykoi për mundësitë që të propozojë ndryshimin e ligjeve për familjen. Sipas këtij propozimi, shkelja e kurorës e njërit prej partnerëve nuk do të jepte të drejtën për divorc e ajo që është më e çuditshme ky sugjerim që në njëfarë mënyrë legalizon tradhtinë bashkëshortore, paraqitet si shpëtimtar i familjes. Njëkohësisht në takimet serioze të intelektualëve në Norvegji e Suedi diskutohet për ndërprerjen e lirë të lidhjeve bashkëshortore kur njëri nga partnerët e dëshiron këtë.

Rrugëzgjidhja kërkohet në shkëputjen nga njëri rreth i ferrit, në një tjetër edhe më të thellë. Kjo gjendje e brendshme e rëndë pasqyrohet në dramat absurde të Bekkerit, Loneskut, Adamonit, Kamusë, të cilat fotografojnë dezorientimin e plotë moral të njeriut të sotëm. Në pjesën “Kush i frikësohet Virgjini Volfit”, dramaturgu i njohur bashkëkohor Albeeja ka paraqitur dramën e familjes bashkëkohore, këtë ferr të vërtetë të familjes, për të cilën Simon de Buoacire shprehet: “Kjo (dramë) paraqet njërin prej mjerimeve më të mëdha të shoqërisë sonë”. Të gjitha këto janë vetëm disa skica që ilustrojnë gjendjen shpirtërore të një bote për të cilën Herbert Markusi ka thënë kohë më parë se paraqet “mesnatën e një nate botërore”. Islami shkon drejt rilindjes së vet. Prandaj, një botë e vjetërsuar dhe e humbur, pavarësisht nga fuqia e begatia e saj, nuk mund të jetë model shpëtimi. Shoqëria islame lufton sot që të gjejë vetveten dhe t’ia dalë mbanë me nevojat e panumërta. Në këtë luftë ka fitore e humbje. Por që të ketë sa më shumë fitore dhe sa më pak humbje, duhet që këtë luftë me duart e veta, me mendjen e zemrën e saj ta ndihmojë myslimania që përbën gjysmën e botës islame.

Myslimania duhet të lindë, të mëkëmbë e të ngrejë gjeneratën e re dhe ta mëkojë me Islam. Ajo do të mund të mësojë dhe të mëkëmbë në qoftë se edhe vetë do të jetë e arsimuar dhe e ngritur. Aq sa do të bëjë rilindja islame për myslimanen, kaq por edhe më tepër duhet të bëjë ajo për këtë rilindje.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: