Edukata e të folurit në prani të fëmijëve
Në një shtëpi, do të bisedohen punët që kanë të bëjnë me këtë botë, çështjet që lidhen me jetën. Ndërkaq, kur këto gjëra bisedohen në prani të fëmijës, duhet mbajtur parasysh vazhdimisht prania e tij. Ndërkaq, po të ketë mundësi, çështjet që nuk e interesojnë atë ose nuk i sjellin dobi atij, sidomos gjërat që do ta shqetësonin atë, të mos bisedohen në sy të tij. Sigurisht, veçoritë që do të zhvillohen në shpirtin e tij në një periudhë të caktuar, duhet të përcaktohen shumë mirë dhe ai s’duhet të bëhet viktimë e gjërave të padurueshme për të. Kudo që të jemi, në shtëpi apo në punë, kur t’i kemi fëmijët pranë, takimet dhe bisedat duhet t’i bëjmë duke pasur parasysh gjithmonë praninë e tyre.
Me sa të kemi mundësi, bisedat në sy të fëmijëve duhet t’i bëjmë mbi çështje të tilla si besimi te Allahu (xh.xh.), te të mirat e dhëna prej Tij dhe feja e tij. Parimisht, në shtëpi duhet të diskutohet për çështje që kanë lidhje me formimin dhe të ardhmen e fëmijëve në mënyrë që ata të rriten me vetëdijen që kërkojnë prindërit. Po qe se këto porosi pranohen si një recetë, një pjesë e madhe e problemeve që i përkasin të ardhmes së fëmijës marrin zgjidhje që më parë. Ndërkaq, çdo periudhë e jetës së fëmijës do të ketë edhe problemet e veta specifike.