Ebu Xha’fer Muhamed b. Xherir b. Jezid el-Amuli et-Taberi el-Bagdadi (v. 310/923)

Jeta: 
Është një nga dijetarët më të mëdhenj të shekullit III hixhri, i cili ka lënë shumë libra në fushën e tefsirit (komentimit të Kuranit) dhe historisë. Ka lindur në fillimet e vitit 225-226 (839) në Amul, në qendrën e Taberistanit, një qyteti në Iranin e sotshëm. Edhe pse nuk është martuar kurrë ka marrë nofkën Ebu Xhafer (babai i Xhaferit). Ka ndërruar jetë më 310 (923) në qytetin e Bagdatit.
Edukimi:
Shkollën fillore e ka kryer në vendlindjen e tij, në Amul, ku ka mësuar përmendësh Kuranin dhe fillon të merrej me shkrimin e haditheve. Udhëtimin e parë e bën në moshën 12 vjeçare drejt qytetit të Rej’it, ku qëndron pesë vite. Atje merr mësime tefsiri dhe transmeton shumë hadithe nga Ibn Humejd er-Razi. Po ashtu mëson fikhun Hanefi nga dijetari Ebu Mukatil.
Niset drejt Bagdatit për të marrë mësim prej Ahmed b. Hanbelit, por rrugës merr vesh lajmin e vdekjes së tij. Qëndron një vit aty ku mëson fikhun Shafi prej dijetarit Ebu Said el-Istahri. Prej aty kalon në Basra ku merr mësime të ndryshme në lidhje me shkencën e hadithit, kuranit, llojeve të ndryshme të leximit (kiraet), po ashtu merr ixhazet (diplomë) në shkencën e Sijerit (traditë Profetike) dhe për historinë e periudhës së katër halifëve. Shëtiti vende të ndryshme për të përfituar dije si Kufe, Egjipt, Damask etj. Në fund të udhëtimit të tij për dituri, ai kthehet në Bagdat, ku kalon pjesën e mbetur të jetës duke shkruar libra dhe edukuar nxënës.
Veprimtaria Edukative:
Ai ka mësuar shumë nxënës me mësimet e tij të dhëna nëpër kuvende dijesh. Shkroi libra në shkenca të ndryshme si kiraet (lloje të leximit të Kuranit) tefsir, hadith, fikh (jurisprudencë) dhe histori, të cilët patën një ndikim të madh në atë kohë. Ai arriti gradën e muxhtehidit (aftësia për të deduktuar dispozita nga tekstet fetare), ku me fetvatë e tij arrin në gradën e një Imami medh’hebi (shkollë juridike) të quajtur Xheririje ose Taberije. Gjithë rininë e tij e ka kaluar me mësimin e gjuhës dhe letërsisë arabe dhe dispozitave themelore islame. Më pas nisi punën e mësuesit, ku ka refuzuar shumë poste të rëndësishme për këtë vazhduar këtë detyrë. Shkencat me të cilat është marrë ai janë; histori, fikh, tefsir, gjuhë–letërsi, gramatikë, etikë, matematikë, mjeksi etj. Ai është quajtur si Heredoti i islamit në fushën e historisë, veçanërisht është dhe themeluesi i shkencës së tefsirit.
Fjalët e thëna rreth tij:
Themani kur flet për të shkruan kështu; Ai ishte një ekspert i vërtetë, mundi të arrijë një gradë në dituri, që nuk e arritën dot bashkohësit  e tij. Ishte një hafiz i kuranit dhe një ekspert i shkencës së leximit të kuranit (kiraet) dhe tefsirit. Edhe armiqtë e pranojnë aftësinë e tij në shkencën e hadithit, po ashtu dhe në shkencën e historisë. Ishte shumë punëtor, saqë thuhet se shkruante çdo ditë nga 40 faqe për një periudhë dyzet vjeçare.
Librat
1) Xhamiu’l Bejan an Te’uili Aji’l Kuran: Është një ndër dy librat e tij që kanë arritur të vinë të plotë deri në ditët e sotme. Është një libër tefsiri shumë i famshëm, për shkak se ka mbledhur transmetimet e fjalëve të Profetit (a.s), sahabëve, tabiunëve dhe tebeitabiunëve në lidhje komentimin e ajeteve kuranore.
2) Tarihu’l Umem ue’l Muluk: Është libri i dytë i cili ka ardhur i plotë deri në ditët e sotme. Ka fituar një vlerë të veçantë, sepse ka marrë referenca nga libra të cilët nuk kanë arritur të vijnë deri në ditët e sotme. Në të ka të dhëna të pakrahasueshme në lidhje me fillimet e para të islamit. Janë mbledhur shumë hadithe, histori, transmetime dhe ngjarje të ndryshme, pa u shkëputur dhe nxjerrë prej origjinales. Përveç tregimit të imtësishëm të ngjarjeve, tregohen dhe personat prej të cilëve është marrë ky informacion. Ky libër njihet ndryshe dhe si Tarihu’t Taberi ose Tarihu’l Xhaferi.
Kapitujt kryesorë të librit janë:
a) Krijimi dhe historia e Profetëve
b) Perandoria Persiane
c) Historia e Greqisë së lashtë dhe Romës
d) Historia e Jahudizmit
e) Historia e Arabëve në periudhën paraislame
f) Historia Islame
3) Zejlu’l-Muzejjel
4. Tehdhîbu’l-Âthâr ue Tafsîlu’l-Thâbit an Rasûlillâhi sallallâhu alejhi ve sellem mine’l-Ahbâr
5. Tebshîru Uli’n-Nuhâ Meâlimi’l-Hudâ (et-Tebshîr fi Me’âlimi’d-Dîn)
6. Shârîhu’s-Sunne
7. İhtilâfu’l-Fukahâ (İhtilâfu’ Ulemâi’l-Emshâr fi Ahkâmı Sherâii’l-İslâm)
8. el-Xhâmi fi’l-Kirâât
Taberi ka dhënë një kontribut të madh në fushën e shkencës së sijerit, ku libri i tij mbahet si ndër klasikët më të mirë në këtë shkencë. Ai ishte i pari i cili tentoi të shkruante historinë botërore në gjuhën arabe. Me metodën dhe rrjedhshmërinë në përshkrimin e ngjarjeve libri i tij u bë një referencë për shumë historianë të kohëve të mëvonshme dhe në kohët moderne. Ashtu siç shprehet dhe el-Kifti: “ Nëse dëshironi të lexoni historinë në mënyrë të rrjedhshme, pa shkëputje, ju sugjeroj librin e Ebu Xhaferit.
Nga Marius Tafani

Postime të ngashme