Drejt paqes globale

Ngjarjet e fundit në Francë rindezën edhe një herë debatin fokusuar mbi besimin, lirinë e shtypit, terrorin, përplasjen dhe bashkëjetesën e qytetërimeve, e të tjera tema që si një të përbashkët të madhe kishin çështjen e fesë, konkretisht Islamit.

Myslimanët edhe këtë radhë, si çdo herë ishin në një zë në dënimin e terrorit. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, sikundër sivëllezërit në gjithë botën ishte ndër të parët që e dënoi me ashpërsi këtë sulm. Orëve të para të deklaratës nuk do t’i mungonin tek-tuk edhe disa kritika se përse nuk e ngremë zërin për padrejtësitë e tjera në botë, apo për raste të ngjashme apo edhe ndaj karikaturave të Profetit Muahmed a.s.

Nga ana tjetër dikush u përpoq që të vinte ballë-përballë lirinë e shprehjes me fenë, e disa të tjerë jetën e njerëzve me “karikaturat e shtypit të lirë”, duke provokuar debate të reja, sikur ngjarjet të ishin rrjedhojë e menjëhershme e njëra-tjetrës.

Nisur nga të gjitha këto, është e nevojshme që të kuptohet qartë, se feja nuk është thjesht institucion informimi, e të rreshtojë faktet një më një; ajo nuk është as agjenci statistikore që të publikojë dëmet e konflikteve në mënyrë krahasuese apo gjithfarllojesh. Madje nuk mund të mjaftohet thjesht me të dhëna historike, edhe sikur historia të jetë e mbushur me shembuj negativë të konflikteve dhe të përplasjeve.

Përtej të gjitha këtyre, misioni i fesë është që ta edukojë individin dhe masat, përmes mesazheve pozitive e të promovojë e nxisë paqen dhe sigurinë.  Është mjaft e qartë për këto se misioni i fesë nuk është nxitja e urrejtjen, dhunës apo çdo gjëje negative e për më tepër kur ajo personifikohet me paqen.

Prandaj kur vriten njerëz, apo në rast të një tragjedie, e para gjë që bëhet është ngushëllimi dhe mbështetja morale, e kur është mundësia edhe ajo materiale. Më pas analizohen shkaqet, vëzhgohen analogjitë, fliten detajet e kështu me radhë.

Liria e shprehjes është një e drejtë e patjetërsueshme, por nuk ka arsye që ta vëmë përballë lirisë së besimit. Sepse realisht nuk janë përballë njëra tjetrës. Secila ka lëmin e vet që duhet respektuar plotësisht.

Ajo çka është për t’u vlerësuar në gjithë këtë situatë, është se ndryshe nga ngjarjet e terrorit të vitit 2001, “bota” nuk cilësoi Islamin apo myslimanët fajtorë apo terroristë. Tashmë opinioni ndërkombëtar është më i informuar rreth Islamit, dhe ndryshe nga viti 2001 kur ishte mjaft i turbullt, sot është në gjendje të kuptojë se Islami është fe e paqes dhe ata që mundohen t’ia atribuojnë prapësitë e veta Islamit, nuk kanë lidhje me të. Madje edhe drejtuesit kryesorë të vendeve më të mëdha e më demokratike të botës e nënvizuan këtë fakt, për të mos i dhënë asnjë justifikim mendimit të përplasjes mes feve e kulturave.

Pasi kalojmë shokun e parë të një ngjarjeje tronditëse ne mund të analizojmë gjerë e gjatë dhe në morinë e konstatimeve dhe arsyetimeve ne mund të shprehemi bindshëm se feja Islame e dënon çdo lloj forme terrori pavarësisht shkaqeve apo nxitësve të tij, dhe kjo është njëra anë e medaljes.  Ana tjetër e medaljes është që ne apelojmë që ndjeshmëria ndaj jetëve njerëzore të humbura të jetë në të njëjtin nivel. Sepse jeta është e shenjtë dhe kush nuk respekton të drejtën e jetës nuk mund të mendohet të ketë respekt për të shenjtën si koncept.

Por natyrisht, kur vjen çështja te fyerja ndaj të shenjtës, ndaj ndjenjave të besimtarëve, ndaj simboleve të tyre, qoftë kjo fyerje në mënyrë “artistike” apo qoftë në mënyrë ordinere, ajo është përsëri e dënueshme dhe ne e dënojmë atë. Por reagimi në këtë rast nuk mund përmbajë kurrsesi as edhe minimumin e dhunës, duke shkelur kështu së pari mbi parimet e besimit dhe fesë e më pas duke shkelur normat njerëzore dhe ligjet përkatëse të cilat në vetvete i pranojnë dhe i vlerësojnë normat e fesë dhe besimit. Vetëgjyqësia dhe sipërmarrjet individuale apo klanore që shpërfillin sigurinë e përgjithshme mbjellin kaos e anarki, e kjo bie ndesh së pari me shpirtin e fesë.

Historia përherë ka pasur dhe me shumë gjasa do të vazhdojë të ketë njerëz me mentalitet të sëmurë, që marrin kënaqësi duke lënduar dinjitetin e individëve apo grupeve të tjera, e madje që diskriminojnë të drejtat e tyre, dhe këto nuk mund të justifikohen thjesht me lirinë e shprehjes. Sepse e drejtë shprehjeje nuk do të thotë e drejtë shpifjeje, e drejtë ofendimi, e drejtë nxitjeje të urrejtjes ndaj një besimi apo grupi të caktuar.

Por si myslimanë ne nuk duhet të harrojmë se jemi popull i një Profeti, i cili, ndërsa u ofendua, u pështy, u torturua e u plagos, madje bashkë me shokët e tij që pësuan të njëjtin trajtim, ai u lut: “Fali o Zot se nuk dinë se ç’bëjnë”!

Në traditën Islame, prijësit shpirtërorë myslimanë, këtë kategori njerëzish, nëse nuk kanë mundur t’i bindin me fjalë urtësie se ajo që bëjnë është e gabuar, e kanë lënë në dorë të Allahut që ta japë gjykimin, dhe meqenëse besimtarët i besojnë gjykimit të kulluar në botën tjetër, të inspiruar nga Kurani, kanë zgjedhur që injorantëve t’u përgjigjen veçse me paqe në këtë botë. E në botën tjetër është Allahu , Gjykatësi Suprem që gjykon çdo gjë.

Edhe në momentet më të vështira të historisë njerëzore, njerëzit e fesë kanë këshilluar e promovuar vlerat humane, kanë mbrojtur jetën e njerëzve, kanë këshilluar durimin, respektin; kanë mbjellë dashurinë dhe mëshirën; I janë drejtuar logjikës dhe arsyes. Përherë kanë qenë ndërtues dhe kanë qëndruar përballë rrënimit, ndonjëherë edhe duke u vetësakrifikuar.

Prandaj si do që të jetë, besimtarit i takon që të konsiderojë si etalon sjelljen bujare të Zotit ndaj tij e në atë mënyrë të sillet me njerëzit. Besimtarit i takon që të jetë i mëshirshëm, ndërsa ndaj atyre që nuk dinë ç’është tradita, e shenjta dhe edukata, i takon të jetë tolerant dhe bujar…

E shkuara është e rëndësishme, por ajo nuk mund të bëhet pengesë për të ardhmen dhe ne lutemi që e ardhmja e njerëzimit të shkojë drejt ditëve të paqes…

Postime të ngashme

%d bloggers like this: