Dita e xhuma dhe adhurimet e saj

Profeti Muhamed (s.a.s.) e ka përshkruar ditën e xhuma si ditën më të mirë në të cilën ka lindur dielli. Ai na tregon se në këtë ditë është krijuar Ademi (a.s.), në këtë ditë është futur në Xhennet, po në këtë ditë është nxjerrë prej tij dhe gjithashtu kjo është dita kur do të ndodhë Kiameti[1]. Dy specifikat që e bëjnë ditën e xhuma të begatë, janë namazi i xhumasë dhe ligjërata (hytbja) e mbajtur para tij. Kjo ditë, kur besimtarët myslimanë grumbullohen të gjithë bashkë, takohen dhe flasin me njëri-tjetrin, është një përgjegjësi fetare për ata.

Allahu thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për namazin në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe lëreni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju![2]” Ndërsa Profeti (a.s.) thotë: “Çdokush që ka arritur moshën e pubertetit e ka obligim namazin e xhumasë.[3]” Ai që e braktis xhumanë me arsye, këshillohet që të japë lëmoshë aq sa të ketë mundësi, ndërsa ai që e braktis pa arsye dhe neglizhon në faljen e saj për tre herë rresht, do t’i vuloset zemra[4].

Profeti (a.s.) i ka dhënë shumë rëndësi kësaj dite të veçantë dhe neve si ndjekës të tij, na ka lënë pas disa porosi dhe vepra, që mund t’i bëjmë në këtë ditë. Nëqoftëse do t’i analizojmë veprimet dhe thëniet e tij, disa prej çështjeve kryesore, që ai i ka dhënë rëndësi në këtë ditë mund t’i rendisim si më poshtë:

  • Larja e plotë e të gjithë trupit. (Gusull)
  • Pastrimi i trupit, prerja e thonjve.
  • Larja e dhëmbëve dhe përdorimi i misvakut.
  • Parfumosja me aromë të mirë.
  • Veshja me rroba të pastra dhe të bukura. (Veshja e bardhë është e preferueshme.)
  • Bërja sa më shumë vepra të mira.
  • Lënie e punës dhe tregtisë në kohën e xhumasë.
  • Leximi i sures Kehf.
  • Shkuarja sa më herët në xhami.
  • Nëse është e mundur rruga të bëhet në këmbë, në një gjendje sa më të qetë.
  • Lutje të shumta në natën dhe ditën e xhuma dhe dërgimi i salavateve për Profetin Muhamed (a.s.).
  • Kur futesh në xhami, të mos shqetësosh askënd dhe të ulesh në një vend të përshtatshëm.
  • Të ulesh në një vend ku e dëgjon lehtësisht imamin, nëse është e mundur të jesh afër tij dhe ta shohësh atë gjatë ligjërimit.
  • Të falësh katër rekat namaz nafile para hytbes.
  • Gjatë hytbes nuk duhet folur, apo të merresh me diçka tjetër, por duhet dëgjuar me seriozitet dhe edukatë hytbja.
  • Falja e katër rekateve nafile pas namazit të xhumasë.

[1] Muslimi, Xhuma 18.

[2] Kur’an, 62/9.

[3] Nesai, Xhuma 2.

[4] Ibni Maxhe, Ikametus-Salavat, 93.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: