Hytbja e parë e Omer ibn Abdulazizit si prijës i myslimanëve

“Ju porosis që t’i frikësoheni Allahut, sepse frika ndaj Allahut është zëvendësuese e çdo gjëje. Punoni për botën tjetër, sepse kush punon për botën tjetër, Allahu do t’ia lehtësojë atij çështjet e kësaj bote. Përmirësojeni sinqeritetin tuaj, që Allahu t’ua përmirësojë gjendjen e jashtme, përmendeni shumë vdekjen dhe përgatituni mirë para se t’ju vijë, sepse vdekja është shkatërruesja e çdo kënaqësie të përbotshme.

Askush nga ju nuk e kujton paraardhësin e tij që nga Ademi (a.s) e që të ketë mbetur gjallë, pasi të gjithë janë gjykuar për të vdekur. Ky Ummet nuk është grindur rreth Zotit të tij dhe as rreth Pejgamberit (a.s) apo librit, përkundrazi ata janë grindur për dinar e dërhem. Betohem në Allahun, se unë nuk do t’i jap askujt të kotën dhe nuk do t’i ndaloj askujt të drejtën që i takon”.

Pas kësaj ai ngriti zërin, që njerëzit ta dëgjonin mirë dhe tha: “O njerëz! Bindjuni atij që i bindet Allahut, ndërsa ai që kundërshton Allahun, nuk meriton bindje, prandaj m’u bindni, përderisa unë i bindem Allahut dhe nëse e kundërshtoj Atë, atëherë nuk ju takon që të më bindeni”.

Postime të ngashme