Devotshmëria pas Ramazanit

Gjatë ditëve të fundit të Ramazanit çdo agjërues është i shqetësuar nëse Zoti ia ka pranuar agjërimin, lutjet, leximin e Kuranit dhe dhikrin. Nëse e ka kaluar natën e Kadrit me adhurim, nëse është shënuar tek banorët e xhenetit etj. Vallë a është i kënaqur Zoti me ne këtë muaj?

Hazreti Aliu thoshte: “Gjatë gjithë Ramazanit lodheshim e përpiqeshim që të bëjmë sa më shumë vepra të mira. Me të përfunduar Ramazani, ishim të shqetësuar nëse Zoti na i kishte pranuar veprat e mira apo jo”.

Ndaj si duhet të ndihemi këto ditë të fundit të Ramazanit? Mos duhet të kemi frikë, apo të ndihemi të qetë dhe të lumtur?

Çdo institucion kur u kërkon punëtorëve të tij që të risin rendimentin, u rikujtojnë objektivin dhe qëllimin për të cilin kërkohet rendimenti i lartë. Nëse objektivi realizohet, të gjithë do të falënderohen dhe do të shpërblehen për mundin dhe djersën e derdhur.

Zoti e ka urdhëruar umetin e Muhamedit a.s që të agjërojë një muaj çdo vit. E këtë ta bëjë në çdo rrethanë e çdo stinë, por padyshim që ka caktuar një objektiv dhe qëllim që duhet realizuar. Padyshim që duhet të ketë një qëllim dhe objektiv madhor për agjërimin e Ramazanit. Po ashtu, duhet të ekzistojë një indikator i cili tregon nëse agjërimi është kryer ashtu siç e kërkon Zoti, pra është arritur apo jo objektivi.

Në fakt, këtë indikator e gjejmë tek ajeti i cili obligoi agjërimin e muajit të Ramazanit. Agjërimi i këtij muaji ka një objektiv dhe qëllim të caktuar, devotshmërinë. Zoti thotë në Kuran: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të devotshëm (e të largoheni nga ligësitë).” (Bekare, 183)

Pra, indikatori dhe objektivi i agjërimit është devotshmëria. Nëse kërkon ta kuptosh nëse agjërimi ka qenë efektiv apo jo, është pranuar apo jo, shih sa i devotshëm je pas Ramazanit. Nëse pas Ramazanit je njëlloj siç ke qenë para Ramazanit, është humbje e madhe për ty. Por nëse sheh se moralet e tua, komunikimi me njerëzit, marrëdhëniet me bashkëshorten/bashkëshortin, fëmijët, prindërit dhe familjarët e tjerë janë përmirësuar, kjo është shenjë e pranimit dhe devotshmërisë. Nëse pas Ramazanit je distancuar plotësisht nga gjynahu që veproje para tij, dije se e ke realizuar objektivin e agjërimit. Qëllimi i agjërimit të Ramazanit është që pas tij, të jesh në një gjendje shpirtërore më të mirë se para tij. Ka shumë njerëz të cilët e mbyllin Ramazanin njëlloj siç e patën filluar. Profeti a.s thotë: “Ka agjërues të cilët nuk përfitojnë nga Ramazani përveç urisë dhe etjes”.

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë: “Kush nuk distancohet nga fjalët dhe veprat e liga, Zoti s’ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.”

Asnjë kompani nuk themelohet dhe nuk funksionon pa një qëllim, asnjë produkt nuk prodhohet pa një qëllim. E padyshim, një muaj agjërimi ku gjithë populli mysliman ndryshon oraret e fjetjes, të zgjimit dhe të ushqimit, nuk mund të jetë pa një qëllim madhor. Në këtë rast, qëllimi dhe objektivi është përmirësimi i moraleve pas Ramazanit.

Prandaj, nëse dëshiron të dish nëse hyn tek të pranuarit në këtë muaj, shih si ndihesh dy javët e para të muajit pasardhës.

Çdokush që është përmirësuar, meriton të urohet dhe kushdo që nuk e ka realizuar objektivin e agjërimit, meriton të ngushëllohet. Nëse më parë je sjellë keq me bashkëshorten, nuk ia ke vënë veshin fjalëve të saj, i ke keqtrajtuar prindërit etj. Ndërsa  në fund të Ramazanit sillesh krejt ndryshe, kjo është shenjë se agjërimi dhe adhurimet të janë pranuar. Kjo është shenjë se e ke arritur natën e Kadrit dhe se të është shënuar emri tek banorët e xhenetit. E nëse të është shënuar emri tek banorët e xhenetit, dije se ai emër nuk do të mund të fshihet më nga ajo listë. Po, do të bësh gjynahe edhe pas Ramazanit, por veprat e mira do të jenë më shumë se gabimet, moralet e mira janë të më të shumta se të këqijat. Ti tashmë je radhitur tek të devotshmit dhe duhet të vazhdosh këtë rrugë.

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të devotshëm (e të largoheni nga ligësitë).” (Bekare, 183)

Devotshmëria është tepër e shenjtë tek Zoti, pasi shumë njerëz mund ti mashtrojnë të tjerët në aparancë, me fjalë të bukura dhe vepra sa për sy e faqe. Por askush përveç Zotit nuk e di çfarë fshihet në zemrat e tyre.

Devotshmëria është diçka që ndodhet në zemër, ka të bëjë me botën e brendshme, të cilën e di vetëm Zoti. Prandaj ajo është kaq e shtrenjtë dhe e vlerë. Profeti a.s thotë: “Zoti nuk sheh pamjen dhe fizikun tuaj, por sheh zemrat dhe veprat tuaja.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: