Cilësitë individuale/Sifati dhatije
Këto janë atribute të posaçme vetëm për qenësinë e Allahut xh.sh. dhe nuk ndodhen te asnjë qenie e krijuar. Cilësitë individuale të Zotit janë gjashtë:
- Ekzistenca (vuxhud)
Zoti ekziston dhe është Një. Parimi themelor i fesë islame konsiston në faktin se Allah ka dhe Ai ekziston. Ky parim është detyrim i domosdoshëm për çdo njeri që i plotëson kushtet, që është i shëndoshë mendërisht, i vetëdijshëm dhe që ka hyrë në periudhën e pjekurisë gjinore. Allahu xh.sh. thotë në Kur’anin Fisnik:
اللَّهُ لاَ إِلَهَ إِلاَّ هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ لاَ تَأْخُذُهُ سِنَةٌ وَ لاَ نَوْمٌ
“Allahu është një, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij. Ai është i Përjetshmi (i Cili nuk vdes kurrë) dhe është Mbajtësi (Mbikëqyrësi) i çdo gjëje që ekziston. Atë nuk e kap as kotje dhe as gjumë.” (Bekare:255).
- I përhershëm pa fillim (kidem).
Zoti është i pa fillim, ekzistenca e Tij nuk ka fillim. Për ekzistencën e Zotit nuk mund të mendohet një fillim. Fillim dhe pikënisje ka gjëja, sendi i krijuar. Atëherë, çdo gjë që është e krijuar e ka pikënisjen dhe fillimin e vet. Çdo gjë që ka fillim domosdo duhet të ketë edhe mbarim dhe përfundim. Çdo gjë që tretet dhe përfundon nuk e meriton që të jetë Zot. Atëherë Kidem i përhershëm, pa fillim, pa pikënisje, është vetëm Allahu xh.sh. Këtë e vërteton edhe ky ajet Kur’anor, në të cilin thuhet:
هُوَ الأَوَّلُ وَ الآخِرُ وَ الظَّاهِرُ وَ الْبَاطِنُ وَ هُوَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ
“Ai është i Pari që s’ka fillim dhe i Fundit që s’ka mbarim, Ai është i Dukshmi dhe i Padukshmi dhe Ai di për çdo gjë.” (Hadid, 57/3).
- I përhershëm, pa mbarim (beka).
Zoti është i përhershëm dhe pa mbarim. Ekzistenca e Tij nuk ka fund, ashtu si nuk ka fillim. Në Kur’an thuhet:
كُلُّ مَنْ عَلَيْهَا فَانٍ وَ يَبْقَى وَجْهُ رَبِّكَ ذُو الْجَلالِ وَ الإِكْرَامِ
“Çdo gjë që ndodhet mbi tokë, është e asgjësueshme. Do të mbetet vetëm Fytyra (ekzistenca) e Zotit tënd që është i Madhëruar e i Nderuar.” (Rrahman: 26-27).
- Njëshmëria (vahdanije)
Zoti është Një dhe i Vetëm. Nuk ka Krijues tjetër veç Zotit. Po të kishte edhe tjetër, kjo rregullsi madhështore që shohim në gjithësi, nuk do të ishte. Do të shfaqej papërputhshmëria e gjërave dhe parregullsia. Të vërtetën se Zoti është Një i Vetëm e mësojmë nga libri ynë, Kur’ani, dhe e kuptojmë nga rregullsia në gjithësi. Kështu, në Kur’an urdhërohet:
قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ اللَّهُ الصَّمَدُ لَمْ يَلِدْ وَ لَمْ يُولَدْ وَ لَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ
“Thuaj: “Ai, Allahu është Një. Ai nuk ua ka nevojën të tjerëve, e të tjerët ia kanë nevojën Atij. As s’ka lindur kë e as është lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” (Ihlas:1-4)
- Pangjashmëri me krijesat (muhalefetun li’l havadith).
Qenësia e Zotit, në tërësinë e Vet, është krejt ndryshe nga ajo e qenieve të krijuara, që kanë për t’u asgjësuar në një pikë kohore të caktuar. Zoti është i ndryshëm prej qenieve të krijuara. Në Kur’an thuhet:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ
“Nuk ka gjë që t’i përngjajë Atij. Ai Dëgjon dhe Sheh gjithçka.” (Shura:11)
- Zoti ekziston vetvetiu (kijam binefsihi).
Qenësia, ekzistenca e Zotit, është nga vetvetja dhe në vetvete. Prandaj është i Përsosur, kështu që nuk ia ka nevojën asnjë qenieje. Në Kur’an thuhet:
اللَّهُ لا إِلَهَ إِلاَّ هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ
“Allahu është i tillë që nuk ka krijues tjetër veç Tij, është i gjallë, mbikëqyrës i përhershëm mbi krijesat e Tij dhe që nuk ka nevojë për asgjë.” (Ali Imran, 3/2).