Si bëhet sexhdja e leximit?
Sexhde e tilavetit quhet sexhdja e bërë kur këndohet ose dëgjohet njëri prej ajeteve të sexhdes, që ndodhen në katërmbëdhjetë vende të Kuranit. Krahas transmetimit se kur Profeti ka kënduar një sure që ka pasur ajet sexhdeje ka bërë sexhde, se edhe sahabet kanë bërë sexhde bashkë me të dhe se disa prej tyre nuk kanë gjetur vend ku të vënë kokën, është edhe transmetimi tjetër, sipas të cilit, lidhur me këtë çështje Profeti ka thënë kështu:
“Kur njeriu këndon ajetin e sexhdes dhe bën sexhde, shejtani qan dhe ikën që aty, duke thënë: “Mjerë për mua! Njeriu u urdhërua të bëjë sexhde dhe bëri sexhde menjëherë dhe xheneti është i tij. Kurse unë u urdhërova të bëj sexhde, por u shmanga dhe prandaj, xhehenemi është imi!”
Në një pjesë të ajeteve të sexhdes, përgjithësisht tregohet se politeistët (mushrikët) shmangen nga përkulja e qafës dhe rënia në sexhde para Krijuesit të Lartë, kurse në një pjesë tjetër, besimtarët, bashkëbiseduesit e Kuranit, urdhërohen të bëjnë sexhde. Po të mbahet parasysh kjo, përmbajtje e ajeteve të sexhdes, rënia në sexhde e personit që i këndon vetë këto ajete ose i dëgjon duke u kënduar nga të tjerët, do të thotë edhe bindje ndaj urdhrit, edhe reagim dhe kundërshtim ndaj atyre që shmangen nga rënia në sexhde, nga bërja e sexhdes. Prandaj, për t’u bërë përgjegjës për kryerjen e sexhdes së tilavetit, para së gjithash duhet ditur se ajeti që është duke u dëgjuar, është ajet sexhdeje. Personi që nuk e di se mes ajeteve që po dëgjon ka ajet sexhdeje, nuk e ka për detyrë të bëjë sexhde.
Çdo person i konsideruar fetarisht përgjegjës, i cili e këndon ose e dëgjon ajetin e sexhdes, duhet të bëjë sexhde. Bërja e sexhdes së tilavetit, sipas hanefive është vaxhib, kurse sipas tre medhhebeve të tjera, është sunet.
Sexhdja e tilavetit bëhet kështu:
Në fillim, personi që do të bëjë sexhden e tilavetit, duhet të jetë me abdes, të ketë veshje dhe pamje të pastër e të rregullt dhe t’i ketë të mbuluara pjesët intime të trupit. Personi kthehet në drejtim të kibles me nijetin për të bërë sexhden e tilavetit, thotë “Allahu Ekber” pa i ngritur duart dhe bie në sexhde. Pasi thotë tri herë “Subhane Rabbijel a’la“, thotë “Allahu Ekber“, ngrihet në këmbë. Esenciale në këtë sexhde është të vihet fytyra në tokë, domethënë, të bëhet sexhde. Thënia “Allahu Ekber” duke rënë e duke u ngritur nga sexhdja dhe “Subhane Rabbijel a’la” gjatë sexhdes janë sunet. Po kështu, rënia në sexhde jo nga pozicioni ndenjur por nga pozicioni në këmbë, ngritja nga sexhdja jo për në pozicionin ndenjur por për në pozicionin në këmbë dhe gjatë ngritjes, thënia “gufraneke rabbena ue ilejkel masir” është mustehab.
Megjithëse kryerja e sexhdes së tilavetit në çast s’është e detyrueshme, qëndrimi i përshtatshëm me kuptimin dhe qëllimin e kësaj sexhdeje është kryerja e saj mundësisht sapo të këndohet apo dëgjohet ajeti i sexhdes.
Për të parë se cilët janë ajetet e sexhdes, është mirë të shihen dhe të këndohen në përkthim (për ata që s’e dinë arabishten) këto ajete: Araf 7/206; Rad 13/15; Nahl 16/48; Isra 17/107; Merjem 19/58; Haxh 22618; Furkan 25/60; Neml 27/25; Sexhde 32/15; Fussilet 41/37; Sad 38/24; Nexhm 53/62; Inshikak 84/21; Alak 96/19.