Virtytet e sahabëve

Sahabet kanë një pozitë të lartë dhe janë të nderuar në mënyrë të pashoqe. Por duhet ta bëjmë të qartë qysh në fillim se kjo pozitë dhe ky nderim nuk u është dhënë atyre si favor. Qysh nga çasti i parë kur e patën pranuar Islamin si fe, sahabet qenë lidhur ndaj Profetit me një besim dhe bindje të pafund dhe i patën zbatuar me nënshtrim të plotë detyrimet e fesë që patën pranuar.

Në lidhje me virtytet e sahabeve, në Kur’an ka shumë ajete:

a. “Me të vërtetë, Allahu mbeti i kënaqur nga besimtarët kur ta dhanë besën ty nën atë pemë (në Hudejbije)!” Meqë thuhet se “Allahu mbeti i kënaqur…”, ka mbetur si shprehi e bukur që, kur përmendet emri i një sahabiu, të shënohet pranë tij “radijallahu anh / Allahu qoftë i kënaqur me të”, kurse kur përmenden emrat e disa prej tyre, të shënohet “radijallahu anhum / Allahu qoftë i kënaqur me ta”.

b. Allahu i Lartë ka bërë të ditur se sahabet kanë qenë njerëz principialë, të sinqertë, të drejtë e të ndershëm në fjalë e në veprime dhe të shpëtuar.

c. Allahu ka shprehur për sahabet konsideratën më të lartë duke u shprehur: “Ju jeni ummeti (bashkësia) më e mbarë e më e dobishme e dalë mes njerëzish”! Të njëjtën veçanti, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ve sel’lem) e ka shprehur në hadithin profetik: “Më të mbarët e më të dobishmit janë ata që kanë jetuar në kohën time, pastaj pasuesit e tyre dhe pastaj pasuesit e tyre!”

d. Meqë Kur’ani dhe Sunneti e kanë pranuar drejtësinë e sahabeve fisnikë pa bërë dallim mes tyre dhe meqë kanë dëshmuar mbi drejtësinë dhe dinjitetin e tyre, të gjithë sahabet janë pranuar të drejtë. Prandaj, biseda me cilësime negative mbi ndonjërin prej sahabeve dhe fyerjet ndaj tyre janë konsideruar si një nga mëkatet më të mëdha.

e. Profeti (alejhi’s-salatu ve’s-selam) ka porositur: “Mos flisni keq për shokët e mi; sikur dikush të shpenzojë në rrugën e Allahut flori sa mali i Uhudit, nuk i afrohet dot mirësisë sa një masë gruri të ndonjërit prej tyre.”

Sahabet fisnikë janë grupuar mes tyre në forma të ndryshme sipas radhës së virtyteve. Sahabet mekas janë quajtur “muhaxhirë/emigrantë”, kurse sahabet medinas janë quajtur “ensarë / ndihmëtarë”. Janë bërë radhitje sipas virtytit për ata që kanë marrë pjesë në Luftën e Bedrit, si dhe për ata në Deklaratën Ridvan.

Ehli Bejti (njerëzit e shtëpisë), fëmijët, zonjat dhe farefisi i afërt i Profetit kanë vend dhe rëndësi të veçantë. Profeti (sal’lallahu alejhi ve sel’lem) ka bërë të ditur se vajza e tij, Fatimja, është zonja e grave të xhennetit dhe, në një hadith profetik ka porositur: “Fatimja është një copë prej meje; kush e lëndon atë, më ka lënduar mua!” Gjithashtu, ka bërë të ditur se Xhebraili i ka dërguar selam zonjës Aishe dhe në një hadith profetik ka porositur: “Mos më mundoni mua për Aishenë!”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: