Cila është urtësia e betimit mbi yjet në ajetin-argument “Betohem në vendosjen e yjeve”?

“Betohem në vendosjen e yjeve! E ky është një betim i madh, sikur ta dinit! Me të vërtetë, Kur’ani është i famshëm e i nderuar!..” (Kur’ani, Vakia: 75-77)

Ah, more njeri shpirtngushtë! Me diturinë e tij të amshuar, Zoti e di gjendjen e njeriut, prandaj edhe atë që do t’ia thotë, ia thotë duke e mbështetur në betim!

Njeriu duhet të turpërohet, duhet të fshihet nga turpi, duhet të djersitet, të dridhet e të rrëqethet kur të lexojë ajetet kështu si ky! Zoti bën shumë gjëra për t’i thënë njeriut se Kur’ani është një libër i famshëm e i nderuar dhe i fillon fjalët me një betim të madh.

Në Kur’an ka shumë betime të tilla. Siç betohet disa herë mbi yjet, Zoti betohet disa herë edhe mbi diellin, hënën dhe mbi të gjithë qiellin. Disa herë betimi bëhet mbi gjërat që gjenden mbi tokë, si p.sh., mbi ullirin, fikun dhe malin Tur. Disa herë betimi bëhet mbi ditën e mbi natën. Pa dyshim se në të gjitha këto betime fshihen mijëra enigma e mijëra urtësi.

“Vennexhmi idha heva”, “Pasha yllin kur ai zbret (nga lart, poshtë). (Kur’ani, Nexhm: 1). Kuptimi i këtij betimi mbi një yll është ky: “Betohem mbi yllin që, pasi ka përfunduar ngritjen drejt qiellit ose lartësimin spiral të tij, kthehet pas!” Këtu tregohet tërthorazi mbi miraxhin e Profetit tonë. Ky është njëri prej interpretimeve të këtij ajeti, sipas të cilit, ylli është vetë Profeti. Po, në fillim ai qe ngjitur nga populli te Zoti dhe, pastaj, pati zbritur nga Zoti te populli. Tek fjala “heva” janë të dyja këto kuptime.

Po, me betimin “Vennexhmi idha heva” tregohet për të Dërguarin e Allahut i cili, pa iu errur sytë përballë parajsës dhe të gjitha bukurive që i tregoi Zoti, deshi të rikthehej në këtë botë, në këtë luftë universale, me qëllim që t’i bënte edhe të tjerët t’i meritonin ato bukuri dhe mirësi, me qëllim që të na kapte për dore e të na çonte atje përtej. Këtu ka shumë rëndësi fakti që është bërë një betim mbi namin e Profetit duke e quajtur atë një yll. Po, në një kuptim, ai yll është Profeti ynë. Kthimi i tij pas në tokë si një Muhamed tjetër që bartte, krahas ndjenjave sublime, edhe dhunti të merituara në miraxh, është një ngjarje e pashoqe në historinë e njerëzimit. Ja pra, Providenca Hyjnore betohet në Hz. Muhamedin (a.s.) në emër të të gjitha këtyre kuptimeve të bartura prej tij dhe të gjithë të vërtetave të përvetësuara prej tij. Ashtu si në kapitullin Isra që, sipas disa komentuesve, me pohimin “Innehu semiun basir”, “Pa dyshim, Ai sheh dhe dëgjon”, këto dy atribute të vetat Zoti ia ngarkon Hz. Muhamedit (a.s.), ashtu edhe këtu pohohen merita të larta dhe bëhet betim mbi të: “Vennexhmi idha heva”!

Me “Ve’sh-shemsi ve duhaha” bëhet betim mbi diellin dhe paraditën që vjen bashkë me të. Kurse me “Ve’l-lejli idha sexha” bëhet betim mbi natën që është një pushim lokal (nata është një situatë lokale mbi globin tokësor) dhe errësirën që bie bashkë me të si dhe, pas saj, për dritën që e pason, pra, për këmbyeshmërinë e dukurive në gjithësi.

Në vende të tjera bëhen betime edhe mbi fikun, ullirin dhe malin Tur. Mali Tur është një vend me rëndësi ku Hz. Musai meritoi që Zoti t’i shfaqej e t’i fliste. Ky eveniment, pra fakti që Zoti denjonte t’i shfaqej e t’i fliste Musait, bartte bazat e ringjalljes së një bashkësie. Atje e merrte urdhërin Hz. Musai dhe ringjallej një bashkësi në saje të këtij evenimenti që ndodhte në atë vend. Prandaj edhe mali Tur merrte një vlerë që mbi të të mund të bëhej betim.

Ashtu siç thamë edhe më lart, betime të tilla ka shumë në Kur’an. Njëri prej tyre është edhe betimi mbi një yll, rreth të cilit ngrihet pyetja. Lidhur me betimet mbi yjet që janë bërë që herët, janë thënë këto gjëra:

E para: Yjet kanë qenë të rëndësishëm për njerëzit e çdo periudhe, sepse marrëdhënia njerëz-yje ka qenë evidente vazhdimisht dhe e tillë ka ardhur gjer më sot. Niveli më i ulët i kësaj marrëdhënieje është orientimi i njerëzve me anë të yjeve. Edhe ajeti-argument i mëposhtëm vë gishtin mbi këtë të vërtetë dhe thotë kështu: ”Ve alamatin ve binnexhmi hum jehtedun”, “Dhe (Zoti) krijoi edhe shenja të tjera dhe ata e gjejnë rrugën me anë të yjeve.” (Kur’ani, Nahl: 16).

Fakti që në det e në tokë, përveç orientimit në horizont, secili yll si dhe yjësitë i pëshpërisin njeriut ca të vërteta ashtu siç i pëshpërit ylli-Kur’an, që, me gjuhën e tyre të rregullit, harmonisë dhe madhështisë, na emocionojnë zemrat në emër të të vërtetave “të fshehura pas kuintave”, konsiderohet një rol i posaçëm udhëzues i yjeve që Zoti urdhëron: “Ve binnexhmi hum jehtedun”, “Ata e gjejnë rrugën me anë të yjeve”! Ja pra, nisur nga kjo marrëdhënie midis njerëzve dhe yjeve, është betuar Zoti mbi yjet, mbi vendosjen e tyre, sepse është vendosja e posaçme që njerëzit përfitojnë prej tyre, ndryshe përfitimi do të ishte i pamundur.

E dyta: Ardhja e diellit dhe e sistemit diellor në gjendjen aktuale, veçanërisht përftimi nga toka i trajtës aktuale duket i mundur vetëm në bazë të ekzistencës së qindra kushteve. Për shembull, largimi i atmosferës ose prishja e ekuilibrit të gazrave në të e bëjnë në çast jetën të pamundur. Ndërkaq, toka dhe atmosfera e shtyjnë njëra-tjetrën. E thënë ndryshe, përballë urdhrave të Zotit, dashje pa dashje, “kanë përthyer belin e janë nënshtruar”. Kur i analizojmë këto e i kuptojmë, habitemi e mahnitemi dhe nxjerrim prej tyre tërthorazi argumente mbi ekzistencën e Zotit. Betimi i Zotit mbi yjet dhe pozicionin e tyre që kanë cilësinë të jenë argumente për ekzistencën dhe njësinë e Tij, është mjaft me vend dhe i nevojshëm. Le të dalim jashtë sistemit diellor. Sa e sa sisteme diellore të tilla ka në Kashtën e Kumtrit që të gjithë janë vendosur në vendin e duhur. Sikur edhe dy atome të dalin nga rendi i tyre e të përplasen me njëri-tjetrin, ngjan katastrofa. Atëherë, a ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend se ç’do të thotë që njëri prej atyre trupave qiellorë gjigandë të shkaktojnë prishjen e ekuilibrit kozmik? Ndërsa duket se një numër i madh trupash qiellorë që ndodhen në kozmos dhe një ndërlikim i tillë përbëjnë shkaqe evidente për prishje të ekuilibrit, ata zotërojnë një harmoni marramendëse në sajë të fuqisë së Zotit. Ja, pra, pas kësaj harmonie që ne përpiqemi ta shpjegojmë me anë të tërheqjes dhe shtytjes dhe konvencioneve të tjera terminologjike me anë të të cilave përpiqemi të bëjmë lidhjen midis gjërave, na nxirret para syve administrimi i Fuqisë së Pafundme dhe bëhet betimi mbi pozicionin e yjeve: “Fela uksimu bi mevakiinnuxhum.

E treta: Nga ky ajet-argument mund të kalohet në një ide të tillë: Yjet janë vendosur me një rregullsi të tillë, saqë, me kërkimet e bëra mbi një sistem, ju mund të konkludoni edhe për sisteme të tjera. Madje mund të kaloni në dialogun tjetër midis sistemeve dhe të ngrini qytete në to. Por, kur ta njihni njërin, informacioni i mbledhur mbi të do të jetë me vend të përdoret edhe për të tjerët, sepse vendosja dhe rregullimi i yjeve është aq me bazë, saqë në asnjërin prej tyre s’mund të vërehet rastësi dhe spontanitet. Tek të gjithë ekziston një rregullsi mjaft serioze. Nëse do të kishim kujdes, do të konstatonim se, në kapitullin “Rahman”, me këtë ekuilibër dhe harmoni e ka treguar Allahu mëshirshmërinë e Tij. Pas emrit Allah, vjen, midis Emrave të Bukur të Tij, emri më i bekuar, Rahman me kuptimin Rezzak, sigurues i mjeteve të jetesës për të gjitha qeniet e krijuara prej Tij që jetojnë në gjithësi. Në formulën “Bismi’l-Lahi’r-Rahmani’r-Rahim”, siç edhe duket qartë, fjala Rahman vjen pas fjalës së lartë Allah. Në Kur’an, vetëm në këtë formulë fjala Rahman përmendet, si një mbiemër-atribut, 114 herë së bashku me emrin e lartë Allah. Fjala Rahman e përmendur sup më sup me Emrin e Lartë, në kapitullin Rahman vjen në krye fare dhe zë vend e para në radhitjen e dhuntive dhe të mirave hyjnore.

Po, në krye thuhet “Er-Rahman” dhe pastaj, si shfaqje dhe zbulim i mëshirës hyjnore, thuhet “Al’leme’l-Kur’an”, që ka kuptimin “Allahu ua mësoi Kur’anin”. Sigurisht, po qe se nuk do t’ju binin në sy rrezet ndriçuese të Kur’anit dhe mesazhet e ardhura prej tij nuk do t’ua ndriçonin botët tuaja, gjithësia do të ishte e do të mbetej për ju një errësirë, një vend zije e përgjithshme.

Të gjitha qeniet, me pamjet e tyre prej kufomash të pajeta, do t’ju shkaktonin juve tmerr e egërsi. Prandaj edhe asnjë sendi nuk do të mund t’ia fshihnit fytyrën e vërtetë dhe asnjë send nuk do të mund ta kuptonit plotësisht. Nën dritat qartësuese të Kur’anit ju mundët të rroknit kuptimin dhe urtësinë e çdo gjëje. Me anë të dritës së Kur’anit ju mundët të parandjenit e të parashikonit ato gjëra që perëndimori nuk mundi t’i kuptonte me anë të shkencës ose në emër të saj. Me kërkimet tuaja të nisura në saje të zotërimit të shpirtit të Kur’anit, ju dalluat gjëra të tilla që të tjerët nuk ua dinë as emrat! Edhe brenda vrimave të zeza, madje, ju gjetët tunelë ndriçues të hapur drejt botëve të tjera! Po, ngado që të shihni me dritën e Tij, të ndriçuar do ta gjeni. “Halakal insane al’lemehul bejan”, “E krijoi njeriun dhe ia mësoi të shprehurit”! Këtu duket përsëri mëshira e Tij. Po qe se ju s’do të kishit gojë, s’do të mund të flisnit e të shpreheshit, domethënë, s’do të mund të bëheshit interpretë të gjuhës së gjithësisë, s’do të mund ta kuptonit fjalën hyjnore e t’i jepnit mësime njëri-tjetrit dhe s’do të mund ta shihnit të dilte në dritë, të zbulohej, përsëri me anë të deklaratave të buruara nga atributi hyjnor i të folurit, kjo kryevepër e quajtur gjithësi, nuk do të mund të kuptonit asgjë nga qëndismat e holla në të dhe nga kuptimet e thella të saj! “E’sh-shemsu ve’l-kameru bi husban”, dielli dhe hëna udhëtojnë lirisht sipas trajektoreve të përcaktuara me imtësi dhe saktësi të lartë. Kjo imtësi dhe saktësi llogaritjesh duket kudo, nga trupat qiellorë e gjer te atmosfera e tokës. Po qe se mëshira hyjnore nuk do të ofronte një rregullsi kaq të përsosur me llogaritje shumë të holla e të sakta dhe atmosfera nuk do t’ju shërbente, përveç të tjerash, edhe si mbrojtje, ju do të gjendeshit mes përplasjes së trupave të ndryshëm me njëri-tjetrin e do të asgjësoheshit. Po, edhe nëse nga qielli bien disa gurë, këta janë sa për shembull, për të nxjerrë mësime, pasi gjer më sot nuk dimë t’i kenë çarë kokën ose t’i kenë nxjerrë syrin dikujt. Kjo do të thotë se çdo gur godet ose goditet për hir të favorit të Zotit. Atmosfera, gazrat e ngjeshur, trupat kozmikë, etj., çdo lloj trajte për të cilën mund të bëhet fjalë e pavarësisht nga emërtimi i dhënë prej njeriut, të gjitha janë trajta që mishërojnë favorin e Zotit!

E katërta: Ylli polar, vendi i tij mes yjeve dhe shërbimi që na bën ne për orientim; sistemi diellor, vendi i tij mes Kashtës së Kumtrit dhe konstitucioni i tij; Kashta e Kumtrit, vendi i saj madhështor mes trupave qiellorë e, megjithëkëtë, modest ndaj një sistemi apo konstelacioni tjetër; ndërkaq, vendi i këtyre sistemeve që përmendëm pranë sistemeve të tjera dhe harmonia me ta si dhe akoma më përtej; tipari i përbashkët i çdo ylli apo trupi qiellor: largësia e caktuar ndaj yjeve apo trupave të tjerë ashtu si vendosja e planeteve në sistemin diellor, të gjtha këto na tregojnë se çdo gjë në univers është rregulluar mes një harmonie poetike e të mrekullueshme për të cilën, ndoshta, aludon ajeti-argument “Fela uksimu bimevakiinnuxhum”, “Betohem në vendosjen e yjeve!

E pesta: Vendet e yjeve” trajtohen në mënyra të ndryshme në lindje e në perëndim. Për shembull, dijetarët rusë shprehen në trajtën “vendet ku janë vendosur yjet”. Kurse në perëndim konceptohet më shumë në trajtën e vrimave të zeza apo të bardha. Në të vërtetë, pranë çështjeve që shkenca përpiqet të zgjidhë, ka akoma gjëra të mëdha që ende presin zgjidhje, saqë, në çastin kur pandehim se i kemi dhënë shpjegim një çështjeje, na dalin menjëherë përpara dy a më shumë çështje që presin edhe ato shpjegim. Për shembull, mes tokës dhe atmosferës së saj ekziston një shtytje apo kontradiktë. Astrofizikanët pretendojnë se ky konstitucion kontradiktor është faktori që siguron ekuilibrin në të gjithë universin. Vrimat e zeza me vrimat e bardha, dy elementë antagonistë ndaj njëri-tjetrit, kanë rëndësi të madhe për ekuilibrin e përgjithshëm në univers.

Sipas komentuesve modernë, ajeti-argument në shqyrtim aludon edhe për kuasarët dhe pulsarët. Vrimat e bardha janë burime drite dhe energjie me potencal të pamatë. Më së fundi, në ditët tona, këto mund të shihen e të përcaktohen. Shkencëtarët thonë se vrimat e zeza janë pothuaj si parcela toke ku mbijnë dhe zhvillohen yje dhe sisteme yjore. Një vrimë e bardhë zotëron një energji të tillë që brenda saj mund të sajohet, në saje të fuqisë dhe vullnetit të Zotit, një konstelacion gjigand si Kashta e Kumtrit. Vrimat e bardha janë vendosur në mënyrë aq harmonike në univers, saqë vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre tronditëse pa bërë asnjë gabim apo shmangie gjer në hollësitë më të imta. Të gjitha sa thamë e të tjera mbi vendin apo vendosjen e yjeve, vërtetojnë drejtësinë e betimit në Kur’an mbi këtë çështje kaq të komplikuar e universale.

E gjashta: Dhe vrimat e zeza… Këta yje të përbërë prej elektronesh dhe bërthamash, me humbjen e energjisë nga ana e elektroneve të tyre, shpërbëhen dhe, pas shpërbërjes së njëpasnjëshme të bërthamave, këta yje gjigandë shndërrohen në xhuxhë. Po të jenë sa dielli ose edhe më të vegjël, prej tyre krijohen pulsarë. Në të vërtetë, kur vëllimi u zvogëlohet në mënyrë të jashtëzakonshme pa humbur gjë prej masës dhe prej peshës, kthehen e bëhen vrima të zeza. Nuk duken, por dritat që u kalojnë pranë, humbin, domethënë thithen prej tyre. Koha në atë pikë përshpejtohet. Ashtu siç shfaqen dukuri enigmatike në çastin e humbjes së gjërave që i përpin vorbulla, shfaqen, po ashtu, edhe evenimente të fshehta. Për shembull, nëse një sistem si ky i diellit i afrohet një vrime të zezë, bëhet sa një kafshatë dhe pastaj humbet. Disa prej fizikantëve u thonë këtyre vrimave të zeza “vendi i yjeve”.

E shtata: Përgjithësisht, me fjalën “yll” aludohet për profetët e mëdhenj. Për shembull, në kapitullin “Tarik” të Kur’anit, “En-Nexhmu’s-Sakib”, “Ylli i ndritshëm që përshkon”, që i shpon zemrat e ngurta, që i hap portat e mbyllura dhe hyn në to, është Hz. Muhamedi (a.s.). Në një vështrim, çdo profet, nisur nga detyra profetike për kohën e vet, është si një yll. Dhe ata që kapen pas profetëve, ngjiten në qiellin e lumturisë e kalojnë në marrëdhënie me Providencën Hyjnore. Duke u betuar mbi vendin ku ndodhen yjet, Allahu tërheq vëmendjen, njëkohësisht, edhe mbi nivelin e Hz. Ibrahimit, Hz. Nuhut, Hz. Musait e të profetëve të tjerë si dhe mbi pozitën madhështore të Hz. Muhamedit (a.s.). Veçanërisht kjo specifikë është e rëndësishme për nga këndvështrimi i komentit simbolik.

E teta: Duke zbritur më thellë, kërkoj t’ju tërheq vëmendjen, veçanërisht, në një moment tjetër: nexhm, yll, u thuhet edhe ajeteve-argumente të Kur’anit. Komentuesit, specialistët e tefsirit, komentit të Kur’anit, thonë se ajetet kanë zbritur si yje një e nga një. Edhe ajetet-argumente të Kur’anit kanë, sipas tyre, secili nivelin e vet, vendin e vet. Së pari, vendi, niveli i Kur’anit në diturinë hyjnore, është mbipërfytyrimisht i lartë. Ne nuk mundemi ta shohim të plotë fuqinë, forcën dhe koncepsionin e atributit të fjalës në Kur’an. Nisur nga kjo, me “mevakiinnuxhum”, “vendin e yjeve”, Allahu është betuar mbi vendin e Kur’anit brenda atributit të Vet të fjalës. Nga kjo pikëpamje, betimi mbi vendin e yjeve është sikur Zoti të jetë betuar në trajtën “Betohem në Kur’an të famshëm!” Në mënyrë të veçantë, Kur’ani ka vendin e vet në Tabelën e Kujtesës. Ai ka qenë aty gjer natën e Kadrit.[1] Për atë mund të kishin dijeni vetëm ata të cilëve u arrinte vështrimi gjer atje. Nisur nga të gjitha këto, “mevakiinnuxhum”, “vendi i yjeve” do të thotë vendi i ajeteve-argumente të Kur’anit të krijuar me vullnetin dhe fuqinë e Zotit, të Kur’anit që është shpjegimi dhe kritika e librit të universit. Domethënë se edhe Kur’ani është një yll më vete. Një ngjashmëri dhe unitet i tillë ekziston mes universit dhe Kur’anit. Në Kur’an thuhet: “Inna enzelnahu fi lejletil kadr”, “Ne me të vërtetë e zbritëm atë natën e Kadrit!” Në fakt, çdo i urtë që mundet ta vëzhgojë Tabelën e Kujtesës dhe të vërtetën duke i arritur shikimi gjer atje, mundet ta shohë të tërë Kur’anin dhe ta lexojë. Ja, pra, në ajetin-argument që po shqyrtojmë, betimi mbi vendin e yjeve ka kuptimin e betimit mbi këtë pozitë dhe vend të nderuar të Kur’anit.

E nënta: Një tjetër vend dhe pozitë e Kur’anit që i ka përftuar Xhebrail Eminit pozitën e të besuarit, është zemra e tij e besueshme dhe e sigurtë. Prandaj edhe betimi mbi vendin e yjeve mund të merret edhe në kuptimin e betimit mbi zemrën e Xhebrail Eminit, Besnikut.

E dhjeta: Në një aspekt tjetër, është edhe zemra e pastër e Profetit tonë (a.s.).

E njëmbëdhjeta: Edhe ndërgjegjet e pastra që i kanë besuar Zotit, që e pranojnë Kur’anin për gjithçka, që, në çdo lexim të tij, e ndjejnë se si u flet Zoti, mund të jenë njëri prej atyre vendeve mbi të cilat betohet Zoti. Imzot i bëftë të pastra zemrat tona ashtu si zemrat e të parëve tanë dhe të tilla mbi të cilat mund të bëhet betim!

Janë të gjitha këto kuptime e sa e sa të tjera për të cilat Zoti është betuar në ajetin-argument “Betohem në vendosjen (vendin) e yjeve!” Dhe vetë e ka bërë të ditur se me të vërtetë ky është një betim i madh!

Ne u besojmë të fshehtave që s’i njohim po aq sa edhe atyre që i njohim dhe pohimin “E ky është një betim i madh, sikur ta dinit!” e miratojmë me ndërgjegje të plotë!

[1] Natën e Kadrit filloi zbritja, zbulimi (revelacioni) i Kur’anit. Ja se ç’thuhet për këtë në Kur’an, në kapitullin “El Kadr”: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit… Nata e Kadrit është më e rëndësishme se njëmijë muaj…”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: