Ç’është Pendesa e Mirë (Tevbe-i Nasuh)?

Në lidhje me këtë lloj pendese, në një ajet-argument të Kur’anit u drejtohet besimtarëve dhe u thuhet kësh-tu: “O ju që keni besuar! Pendohuni tek Allahu me mendim të mirë për veten tuaj…” (Kur’ani, Tahrim: 8).

Në këtë ajet ka tri fjalë mbi të cilat duhet qëndruar: besimi, pendesa dhe e mira.[1]

Fjala e parë është besimi. Kjo fjalë që në origjinal është iman, do të thotë që Islamin si një të tërë ta vërtetosh me fjalë dhe me zemër. Në se njeriu nuk u beson të gjitha çështjve që duhen besuar, nuk mund të quhet se ka besuar.

E rëndësishme për ne është kuptimi juridik i besimit. Krahas kësaj, po të merrej parasysh edhe kuptimi leksikor i kësaj fjale, kuptohet se njeriu që beson, hyn nën garancinë e Allahut. Por vetëm në sajë të besimit hyn nën siguri dhe shpëton njeriu nga shtypja nën ngjarjet e kësaj bote me peshë sa një mal, si dhe nga ndëshkimi i tmerrshëm i botës tjetër.

Fjala e dytë është pendesa. Pendesa është vetëripërtëritja e njeriut dhe një meremetim i brendshëm. Pra pendesa është, me qëllim për ta rivënë në rregull ekuilibrin shpirtëror të prishur prej mendimeve e sjelljeve devijuese, ikja nga Zoti tek Zoti, më saktë, strehimi tek bujaria e Tij prej ndëshkimit të Tij, tek mëshira dhe favori i Tij prej llogarikërkesës së Tij! Pendesën është e mundur ta karakterizojmë edhe si një larje hesapesh në vetvete mbështetur në ndjenjën e mëkatimit. E thënë ndryshe, vetëdija dhe vullneti, përkundër papërgjegjësisë së egos, të ngulen para mëkateve sa një mal që ofron egoja dhe të mos i lënë shteg kalimi asaj.

Nëse gjynahu, mëkati, është humbja e ekuilibrit dhe, si rrjedhojë, rrëzimi në një humnerë, pendesa është, sipas mënyrës së saj, kërcim dhe dalje jashtë saj. E thënë ndryshe, nëse mëkati është plaga e marrë nga shpirti për shkak të një mungese syçeltësie të vetëdijës, pendesa është riforcimi i syçeltësisë, i vetëkontrollit dhe i ndjenjave.

Meqë mëkati tek njeriu bëhet nën pushtetin e djallit dhe nën ndikimin e egos, pendesë do të thotë mbrojtje e ndjenjave përballë djallit dhe përpjekje për rregullimin e mungesës së akordit dhe harmonisë së shpirtit.

Përkundër veprimit gërryes e shkatërrues të erozionit të mëkatit, pendesa është mbjellja me bar dhe gjelbërimi i shtratit të ndjesive dhe parandalimi i erozionit. Sa i lartë është zelli i pendesës që i mobilizon shpirtrat sa pa ardhur ajo ditë kur gjithçka do të ketë marrë fund. Sikur të ishim të aftë ta bënim pendesën në atë nivel që të mbyllte çarjen e hapur prej çdo mëkati!

Njerëzit vijnë në këtë botë të pafajshëm e të pamëkatë. Pa asnjë shtrembërim. Njerëzit që ndahen prej kësaj rruge të drejtë e të pastër të krijimit, e hedhin veten në gji të një toke shterpë dhe atje kalben. Po, mëkatet janë faktorë që i marrin njerëzit, i hedhin në anë të rrugës për t’u kalbur. Në një ajet-argument të Kur’anit lidhur me rikthimin te Zoti, urdhërohet: “Ve enîbu ilâ rabbikum ve eslimû…”, “Dhe kthehuni te Zoti juaj e dorëzohuni…” (Kur’ani, Zumer: 54). Pra pendesa është kur ai e ka humbur aftësinë për t’u pastruar prej mëkateve, pastrimi i menjëhershëm dhe kthimi te origjina. Në një hadith, porosi profetike, urdhërohet: “Kur njeriu bën një mëkat, në zemër i del një pikë e zezë. Nëse s’e fshin atë menjëherë me anë të pendesës, ajo mbetet ashtu dhe, në se pastaj bën një mëkat tjetër, në zemër i del një pikë tjetër.” Domethënë se ideja për të bërë mëkat është zhvilluar tashmë në trurin e tij, ashtu siç ndodh me njeriun që, pasi ka shkelur në shkallaren e parë, e ka gati mendimin për të shkelur në të dytën. Pastaj e hedh më shpejt hapin për në shkallaren e tretë dhe, ndërkaq, e ka tepër të lehtë për t’i bërë radhazi pa u menduar edhe shkallaret e tjera e, kështu – Zoti na ruajttë – pasi t’i griset perdeja që e pengon drejt mëkatit, është në gjendje të bëjë gjithçka pa ndjerë turp ose vrasje ndërgjegjeje. Prandaj edhe një njeri i madh thotë se “brenda çdo mëkati ka një rrugë që çon në mohim!” Pendimi dhe pendesa janë përpjekje për t’i zënë këto rrugë, për ta ndryshuar hapin që çon drejt greminës, janë përpjekje për ta shtyrë njeriun drejt spirales që e lartëson tek Zoti.

Pendesa është, pas hutimit dhe daljes nga rruga, rikthim dhe gjetje e vetvetes. Në një hadithin, porosinë e tij të transmetuar tek Buhariu dhe Myslimi, Profeti ynë (a.s.) e përshkruan kështu këtë kthim: “Allahu mbetet shumë i kënaqur prej pendesës së robit. Mendoni: një njeri udhëton në shkretëtirë. Deveja mbi të cilën janë të ngarkuara të gjitha plaçkat, ushqimet dhe uji i tij, e lë dhe ikën. Njeriu vrapon majtas e djathtas duke e kërkuar, por s’e gjen dot. I rënë trupërisht e shpirtërisht, bie nën hijen e një peme dhe e zë gjumi. Kur i hap sytë, ç’të shohë? Deveja e tij me gjithë sendet, ushqimet dhe ujin po i qëndron mbi kokë. Aq shumë turbullohet njeriu nga gëzimi, saqë, duke e falenderuar Zotin, i thotë Atij: “Unë jam zoti Yt e Ti je robi im!” Ja, pra, gëzimi i Zotit për robin që është penduar, është më i madh se i atij njeriut!”

Ndërkaq, duhet të themi se kënaqësia e Zotit nuk është cilësisht si ajo e njeriut. Ajo është diçka krejt tjetër, është kënaqësi e shenjtë, hyjnore, e pakonceptueshme prej nesh. Rëndësi për ne ka vetëm ta dijmë se Zotin e kënaq shumë pendesa e njeriut, gjë që rrjedh prej mëshirës së Tij.

Pendesa ka dy aspekte. Nga këta, njëri na përket neve e tjetri, Zotit. Prandaj edhe Profeti ynë na porosit: “Men tâbe tâbellah*, “Atij që pendohet, Zoti i sjell pendesë!”. Kjo do të thotë që pendesa jonë shkon tek Zoti. Kurse Zoti, duke u kthyer ndaj nesh, “pendohet” dhe na e hap përsëri portën e Tij. Kur ne dalim prej rruge, Zoti na i mbyll të gjitha dritaret, të gjitha portat, të gjitha kalimet nga të cilat Ai sheh kah ne. Pastaj, kur ne ndjejmë pendesë, themi: “Pse e bëra këtë? Pse veprova kundër krijimit tim?” Kjo do të thotë që ne filluam ta korrigjojmë veten dhe, sapo të fillojmë ta bëjmë këtë gjë, sapo të nisim të angazhohemi dhe tensionohemi në mënyrë metafizike nën shtytjen e ndjenjës së pendesës, menjëherë shohim se kanë nisur të hapen të gjitha portat e dritaret! E para ishte pendesa jonë. Ajo ishte një mendim, një qëllim, për pasojë, një vendim për të ndërruar rrugë, një vendim, natyrisht, i mundimshëm. Atëherë Zoti na u përgjigj menjëherë duke na i hapur të gjitha dritaret, portat dhe shtigjet për në rrugën e drejtë, për tek Ai!

Fjala e tretë është mendimi i mirë. Në origjinal, mendimi i mirë bart, në radhë të parë, këshillën e mirë për vete e për të tjerët. Për fenë thuhet: “Eddînu ennasîha”, “Feja është këshillë”. Kjo do të thotë se duhet vepruar me mendim dhe qëllim të mirë ndaj të tjerëve. Ky është funksioni i fesë. T’i kapë njerëzit për dore që të mos dalin nga udha. Dhe feja vihet në jetë me anë të njerëzve që janë në udhën e saj e që i këshillojnë edhe të tjerët dhe i ndihmojnë të ecin në atë udhë. Kuadri që i shërben sot Islamit, ata njerës dritëshpërndarës, me gjuhën e Hz. Mesihut janë quajtur “ushtria e shenjtorëve”.

Po, t’u tregosh të tjerëve për Zotin, për të Dërguarin e Tij, për fenë Islame dhe Kur’anin, t’u përftosh siguri zemrave të lëkundura, t’u frysh sërish në ndërgjegje ndjenjën e ringjalljes njerëzve që kanë humbur çdo lloj mendimi e shprese për jetën tjetër, etj., të gjitha këto janë punë të mira. Profeti ynë thotë: “Shpirti i fesë është këshilla!” Dhe njeriu këshillën e mirë dhe të mirën i do, në radhë të parë, për vete, i nis nga vetja, nga egoja e tij. Në këtë moment duhet theksuar diçka. Shpesh njeriu e ka më të lehtë t’u japë këshilla të tjerëve se sa vetes. Kjo sepse njeriu e ndjen larg veten prej të tjerëve. Për ta ndjerë sa më afër veten ndaj vetes, njeriu duhet të mendojë fëmijët e vet. Sa ç’mund t’ua dojë të keqen fëmijëve, aq duhet t’ia dojë edhe vetes. Ashtu siç mendon vetëm mirë për fëmijët, për të ardhmen e tyre, ashtu duhet të mendojë edhe për veten.

Rënia në mëkat nuk duhet ta çojë njeriun në pesimizëm, nuk duhet ta rrëzojë atë. Përveç rënies në politeizëm, Zoti ka dhënë fjalën se do t’i falë të gjitha mëkatet e tjera. Natyrisht që për këtë është e nevojshme një pendesë serioze me këto kushte:

E para: Nëse mëkati i kryer ka të bëjë me shkeljen e një të drejte të dikujt tjetër, së pari duhet t’i kthehet haku të zotit dhe të kërkohet falja dhe miratimi i tij.

E dyta: Pendesa duhet bërë me vendosmërinë më serioze për të mos u kthyer edhe një herë tjetër më në atë mëkat.

E treta: Mes mëkatit dhe shfaqjes së pendesës për të nuk duhet lënë kohë dhe mundësi për të kryer ndonjë mëkat tjetër. Duhet vepruar me të gjitha mundësitë që pendesa të mos vonojë as pesë minuta madje.

Pendesa ka edhe një dimension tjetër. Mëkati duhet ndjerë në shpirt si një ankth, kurse ndërgjegjja duhet të ndjejë urrejtje, neveri dhe përbuzje ndaj atij mëkati. Nëse njeriu nuk sëmuret e nuk vuan për shkak të mëkatit, edhe sikur të shprehet me gojë si rutinë, kjo lloj pendese s’është pendesë; ajo mbetet thjesht një varg fjalësh të padobishme e një ceremoni.

Së fundi, le të pendohemi me një pendesë serioze, të tronditemi prej çdo gabimi dhe shkarjeje e t’i drejtohemi Zotit duke u përpjekur, gjithashtu, të mbetemi brenda kuadrit të mësimeve e orientimeve të të Dërguarit të Zotit!

[1] Përkatësisht: Iman, tevbe, nasuh.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: