Çfarë mësimi i dha Lukmani i urtë zotërisë së tij?

Sipas shpjegimeve të shumë dijetarëve, Lukmani (a.s.) ishte një skllav. Ai ishte një njeri me ngjyrë, por që të gjithë e njihnin për urtësinë e tij dhe të gjithë vinin e pyesnin për problemet e tyre. Siç e dimë, ai njihej si Lukmani i urtë. Për urtësinë e tij dhe porositë që ai i përcolli djalit të tij, na flet edhe Zoti i gjithësisë në Kuranin Famëlartë. Madje, në Kuran gjendet një sure e tërë e emërtuar si surja “Lukman”. Zoti deshi që urtësitë e tij të lexoheshin dhe mësoheshin nga të gjithë njerëzit deri në ditën e fundit.

Thuhet se një ngjarje interesante ka ndodhur mes Lukmanit të urtë dhe zotërisë së tij. Ky i fundit e kishte vënë re mirë urtësinë që posedonte Lukmani, prandaj deshi që ta provonte atë dhe të mësonte nga ai edhe më tepër. Një ditë, ai kërkoi prej Lukmanit që të therte një dele dhe t’i sillte atij pjesën më të mirë të mishit të saj. Lukmani e zbatoi urdhrin e të zotit, e theri delen dhe solli porosinë që ai i kërkoi. Pjesa më e mirë e mishit sipas Lukmanit të urtë ishte zemra dhe gjuha e deles.

I zoti e përsëriti sërish kërkesën, por kësaj here kërkoi që ai t’i sillte pjesën më të keqe të mishit. Çudia ishte se Lukmani i urtë i solli sërish të njëjtat pjesë të mishit, zemrën dhe gjuhën. Sigurisht, këtu kishte urtësi që fshiheshin dhe mësime që duheshin marrë. I zoti e pyeti për arsyen e këtij veprimi dhe Lukmani (a.s.) iu përgjigj: “Janë këto dy organe të cilat e zbukurojnë njeriun dhe po të njëjtat të cilat e shëmtojnë atë. Nëse zemra dhe gjuha janë të pastra, atëherë ato e nderojnë të zotin e tyre. Por nëse zemra dhe gjuha janë të prishura, atëherë ato e shëmtojnë njeriun dhe e shkatërrojnë atë.”

Më tepër sesa te thjesht çështja e mishit më të mirë apo më të keq, mësimi qëndron tek ajo që Lukmani deshi të përcillte me veprimin e tij. Në bazë të kësaj historie ne kuptojmë edhe njëherë rëndësinë që merr ruajtja e këtyre dy organeve. Ato janë amanet për ne nga Zoti i gjithësisë dhe ne duhet të përpiqemi që ta ruajmë si duhet këtë amanet. Zemra duhet mbajtur e pastër, në mënyrë që në të të rritet besimi i pastër te Zoti dhe dashuria për të. Nëse zemra jonë do të jetë e ndotur dhe e mbushur me lloj lloj dashurie, atëherë obligimi parësor është pastrimi i saj dhe më pas mbjellja e gjërave që janë vërtet të rëndësishme.

Postime të ngashme