Çfarë është helmimi ushqimor?
Helmimi ushqimor është një sëmundje e shkaktuar nga ngrënia e ushqimeve të ndotura nga mikroorganizma të dëmshme si: bakteret, parazitët dhe viruset.
Më së shumti ato gjenden tek mishi i viçit, i pulës, i peshkut dhe te vezët, por mund të përhapen edhe në çdo lloj ushqimi. Madje ato mund të ndotin ushqimin gjatë kohës së ruajtjes së tij nëpër magazina, apo kur ushqimi konsumohet me duar të palara. Helmimi nga ushqimi ndodh më shpesh gjatë stinëve të ngrohta e sidomos në verë, pasi temperaturat e larta favorizojnë rritjen më të shpejtë të baktereve.
Shtimi i baktereve në një numër të mjaftueshëm për të shkaktuar helmim ushqimor ndodh brenda 4-6 orëve, nëse ushqimi nuk ruhet siç duhet.
Prej shenjave që mund të përmendim: dhimbje stomaku, të vjella, temperaturë të lartë, apo edhe diarre me gjak. Këto shenja variojnë nga organizmi i vetë njeriut dhe nga lloji i mikrobit që shkakton helmimin.
Nëpërmjet të vjellave dhe diarresë humbasim shumë lëngje nga trupi dhe shkaktohet dehidratimi. Kujdes të veçantë duan fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.