Çfarë është Haxhi?
Një ndër shtyllat themelore të Islamit është edhe Haxhi. Me shprehjen (el-haxhxhu) në aspektin gjuhësor nënkuptojmë: vizitë, kurse në kuptimin terminologjik të sheriatit do të thotë: “vizita e veçantë në vendin e veçantë (Qabe-Arafat) në kohën e veçantë me veprime e nijet të caktuar”.
Nga ky përkufizim kuptohet se Haxhi nuk është vetëm udhëtim i thjeshtë, por ai është udhëtim i veçantë përmes së cilit i bëhet adhurim Allahut xh.sh. Gjithashtu, gjatë kryerjes së Haxhit, patjetër të kryhen detyrimet e caktuara sipas parimeve islame dhe atë në kohën dhe vendin e caktuar.
Meqë Haxhi është adhurim, i cili kryhet në kohë, koha në të cilën duhet të realizohet janë muajt Sheval, Dhulka’de dhe dhjetë ditët e para të Dhulhixhxhes, respektivisht kulmi i tij arrihet më 9 Dhulhixhxhe, kur haxhiu patjetër duhet të jetë në Arafat.
Haxhi është bërë detyrim nga fundi i vitit të nëntë Hixhri. Profeti a.s. Haxhin e bëri vitin e dhjetë, që do të thotë një vit pas detyrueshmërisë së tij dhe kjo për arsye se ajeti Kur’anor, i cili e bëri detyrim Haxhin, kishte zbritur pasi kishte kaluar koha e kryerjes së Haxhit.