Çfarë është Besimi?

Besim (iman), si kuptim leksikor, do të thotë bindje e fuqishme dhe e palëkundur në qenien dhe drejtësinë e diçkaje. Në terminologjinë islame besimi është identiteti i pranimit të Islamit me gojë, duke qenë ndërkohë i miratuar dhe i vërtetuar me zemër. Pra, për një njeri që e konsideron veten mysliman, është kusht shqiptimi me gojë i fjalës së dëshmisë:

 اَشْهَدُ أنْ لاَإِلَهَ إِلاَّ اللَّهُ وَ أَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَ رَسُلُهُ

 “Eshhedu en la ilahe il’lAllah ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij”, si dhe  pranimi i saj me zemër.

Nuk mund të arrihet dëshmia e plotë e Allahut xh.sh. pa u rrënjosur në zemrën e njeriut parimet kryesore që i përfshin ose që i përmban në vetvete shehadeti. Veprat e njeriut nuk janë diçka tjetër përveçse një lloj aplikimi i parimeve që janë të rrënjosura në zemrën e tij. Në lidhje me thelbin e shehadetit, Enesi r.a. transmeton një hadith nga Pejgamberi a.s., i cili ka thënë:

لَيْسَ اْلإِيمَانُ بِالتَّمَنِّى وَ لاَ بِالتَّحَلِّى وَ لَكِنْ هُوَ مَا وَقَرَ فِى الْقَلْبِ وَ صَدَقَهُ الْعَمَلُ

Nuk është besimi vetëm shpresë dhe stolisje (fjalësh), por besimi është ai që është i rrënjosur në zemër dhe që atë e vërteton puna.

Njeriu është krijuar në atë mënyrë që të mund ta kuptojë se Zoti ekziston dhe se është Një. Në saje të arsyes që i është dhënë, njeriu e pranon ekzistencën e Zotit dhe e beson Atë. Zemra e pranon në brendësi besimin dhe e përforcon atë edhe me arsyen. Besimi nuk arrihet me detyrim apo me frikë. Në Islam besimi është vepra e mendimit, arsyes, ndjenjës dhe dashurisë; është punë e zemrës dhe e mendjes. Allahu xh.sh. thotë në Kur’an: “Nuk ka detyrim në fe” (Bekare: 256). Pra, besimi arrihet me arsye, dashuri, dëshirë e dituri.

Koncepti i përgjithshëm për Zotin, i një besimtari mysliman është: Zoti, Krijuesi i Lartë e i Përjetshëm zotëron vetitë e përsosura: Ai ka Madhështi pa kufi, zotëron Plotfuqi pafund, ka Mençuri dhe Dije absolute. Prandaj, vetëm Allahu e zotëron pushtetin më të lartë, zotëron dije të përsosura dhe gjithëpërfshirëse, Ai bën atë që do dhe asgjë nuk ndodh në qiell e në tokë pa dijeninë dhe pa lejen e Tij. Ai e ka në dorë si jetën ashtu dhe vdekjen, Ai i paracakton fatet e krijesave të Tij, Ai i lartëson disa popuj dhe i nënshtron disa të tjerë. Vendimet që Ai merr dhe veprat që Ai kryen janë plot e përplot me drejtësi si dhe mbartin qindra – mijëra urtësi.

Allahu është i Vetëm! Nuk ka Zot tjetër përveç Tij, i Gjalli, i Përjetshmi. Ai për askënd nuk ka nevojë, nuk ka nevojë për ndihmë e shok që të krijojë botë të reja dhe ta drejtojë gjithësinë. Ai nuk ka nevojë për bashkëshorte apo djalë, sepse është i Përjetshëm, Ai nuk ka as fillim e as fund. Ai nuk ka nevojë për vazhdim fisi, sepse kurrë nuk zhduket. Ai nuk ka nevojë për bëma që do t’ia zbukuronin vetminë,  apo do t’ia vinin në vend Plotfuqinë. Edhe në u mbledhshin njerëzit, e në i parashtrofshin gjithçka që do t’u vinte në mendje, dhe Ai t’ua përmbushte gjithsecilit kërkesën, nga kjo Gjithëfuqia e Tij nuk do të pakësohej as edhe një pikë.

Cilësitë e larta të Allahut i gjejmë të përshkruhen në shumë ajete Kur’anore. Ndër to dallohet “Ajeti i Fronit (Kursij)”, që është ajeti më madhështor i Kur’anit:

اللَّهُ لاَ إِلَهَ إِلاَّ هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ لاَ تَأْخُذُهُ سِنَةٌ وَ لاَ نَوْمٌ لَّهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَ مَا فِي الأَرْضِ مَن ذَا الَّذِي يَشْفَعُ عِندَهُ إِلاَّ بِإِذْنِهِ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَ مَا خَلْفَهُمْ وَ لاَ يُحِيطُونَ بِشَيْءٍ مِّنْ عِلْمِهِ إِلاَّ بِمَا شَاء وَسِعَ كُرْسِيُّهُ السَّمَاوَاتِ وَ الأَرْضَ وَ لاَ يَؤُودُهُ حِفْظُهُمَا وَ هُوَ الْعَلِيُّ الْعَظِيمُ

 “Allahu është një, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij. Ai është i Përjetshmi (i cili nuk vdes kurrë) dhe është Mbajtësi (mbikëqyrësi) i çdo gjëje që ekziston. Atë nuk e kap as kotje dhe as gjumë. Gjithë ç’ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, veç me lejen e Tij, (Allahu) E di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen. Nga ajo që Ai di, të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tij (froni-dija-sundimi) përfshin qiejt dhe tokën, dhe kujdesi i Tij ndaj të dyjave nuk i vjen rëndë, Ai është më i Larti, më i Madhi. (Bekare:255).

Postime të ngashme