Çfarë është Agjërimi?
“Saum” – صوم – “agjërim”, në aspektin gjuhësor do të thotë: përmbajtje, pengim, frenim, heshtje, ndalim, lënie, largim, braktisje; ndërprerje nga çfarëdo qoftë dhe në përgjithësi.
Ndërkaq, në kuptimin terminologjik të sheriatit, saum – agjërim do të thotë: ndërprerje e ngrënies, pirjes dhe e marrëdhënieve seksuale nga koha e agimit të hershëm e deri në mbrëmje (perëndimi i diellit) me qëllim të bërjes ibadet (adhurim).
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë islame. Ai është bërë farz – detyrim në vitin e dytë të Hixhretit, para Betejës së Bedrit.
Lidhur me agjërimin, Allahu i Gjithëmëshirshëm ka zbritur ajetin:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
“O ju që keni besuar, ju është bërë detyrim agjërimi ashtu siç u qe bërë edhe atyre para jush, ashtu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183)
Pra, shprehja “…kutibe alejkum”, do të thotë se është bërë farz – detyrim për ju. Gjithashtu, Ai ka zbritur edhe ajetin tjetër në të cilin përcaktohet se kur duhet agjëruar, duke thënë:
شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِيَ أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَ بَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَى وَ الْفُرْقَانِ فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ
“Ramazan është muaji në të cilin u zbrit Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe Dallues (i së mirës nga e keqja). E kush prej jush e përjeton këtë muaj, le të agjërojë…” (Bekare: 185).
Me rastin e Haxhit të Lamtumirës, Pejgamberi a.s. ka deklaruar: “O ju njerëz, adhuroni Zotin tuaj, falini pesë (kohët e namazit) tuaj, agjërojeni muajin (Ramazanin) tuaj, vizitojeni shtëpinë e Zotit tuaj, jepeni zekatin e pasurisë tuaj për ta pastruar dhe fisnikëruar shpirtin tuaj, (atëherë) do të hyni në Xhenetin e Zotit tuaj.”
Se agjërimi i muajit Ramazan është farz, është argumentuar edhe me konsensusin (ixhma) e dijetarëve. Në fakt, të gjithë dijetarët, të hershëm e të vonshëm, janë të njësuar se agjërimi i Ramazanit është farz, prandaj, si i tillë, kush e mohon detyrueshmërinë e agjërimit konsiderohet jobesimtar (qafir).