Çfarë e bëri Hz. Ebu Bekr të qante?

Në kohën e hilafetit të Hz. Ebu Bekr, një ditë, dikush i solli një gotë me ujë të ftohtë për të filluar iftarin. Duke pirë disa gllënjka nga gota, Hz. Ebu Bekr filluan t’i rridhnin lot nga sytë. Filloi të qante me ngashërim aq sa i kishte bërë për të qarë edhe të tjerët rreth tij.

Pas këtij momenti të trishtë disa nga shokët e tij e pyetën: “Çfarë të bëri të qash kaq shumë, o Ebu Bekr?”

Hz. Ebu Bekr u përgjigj kështu: “Një ditë kur isha bashkë me të Dërguarin e Allahut, m’u duk sikur shtynte diçka me duar, sikur t’i thoshte “Largohu prej meje, qëndro larg meje…”

E pyeta: “O i Dërguari i Allahut! Po përpiqesh të largosh diçka, por unë nuk shoh asgjë?!”

Më tha: “Përballë m’u shëmbëllye bota me tërë shkëlqimin dhe madhështinë e saj duke më kërkuar që ta pranoja, kurse unë i thashë të qëndronte larg meje. Duke u tërhequr tutje për në një breg, po më thoshte: “Edhe nëse ti shpëton prej meje, të betohem se ata që do të vijnë pas teje, nuk do të mund të shpëtojnë nga dora ime. Ty nuk munda të të bëj për vete, por të tjerët do të vrapojnë vetë pas meje!”

“Prandaj qava sepse m’u duk sikur bota më bëri për vete me këtë gotë uji të ftohtë.” – tha Hz. Ebu Bekr.

Postime të ngashme