Ç’është feja?

Feja është e pranishme që me krijimin e ardhjen e njeriut të parë në këtë botë. Këtë  e bëjnë të ditur Kur’ani Famëlartë, hadithet e Muhamedit a.s. dhe të dhënat historike. Historia njerëzore nuk njeh ndonjë popull pa fe ose pa ndonjë lloj besimi. Historia ka regjistruar, po ashtu, se gjatë shekujve pati popuj të varfër, të pashkolluar, të paqytetëruar, por asnjëherë nuk përmend ndonjë popull të pafe ose pa ndonjë lloj besimi.

Në kuptimin leksikor fjala “din”, që në shqip do të thotë fe, mbart disa kuptime ndër të cilat: shpërblim, llogari, adhurim i pranueshëm, ligj, bindje, ndëshkim, etj.

Dijetarët myslimanë e përkufizojnë fenë si “tërësi rregullash dhe parimesh të përcaktuara nga Allahu xh.sh., të cilat kanë për qëllim ngritjen dhe përsosjen e njeriut në çdo aspekt, duke e shtyrë atë drejt të mirës absolute”. Këto tërësi rregullash, të përcaktuara nga Allahu xh.sh., u janë shpalosur njerëzve nëpërmjet Profetëve a.s.

Kur’anin Fisnik bëhet e qartë ekzistenca e fesë bashkë me njeriun e parë. Aty shprehet qartë se Ademi a.s. ishte njeriu dhe njëkohësisht edhe i dërguari e profeti  i parë i ngarkuar me mision nga Allahu xh. sh.

Feja është domosdoshmëri për njeriun, pasi vetëm nëpërmjet saj arrihet njohja e ekzistencës dhe njëshmërisë së Allahut xh.sh. Përmes saj arrihet kthjelltësia shpirtërore duke vepruar në rrugën e Allahut xh.sh., arrihet virtyti më i lartë moral; arrihet harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit; arrihet ndjenja e përgjegjësisë, interesimi dhe dashuria ndaj të gjitha krijesave.

Feja i drejtohet njeriut për të ndriçuar mendjen e tij. Ajo është e nevojshme për njeriun që ai të jetojë i lumtur dhe i qetë, sepse besimi dhe adhurimi i japin atij qetësi shpirtërore dhe njëherazi forcë për të përballuar jetën. Feja mundëson që njerëzit të jetojnë në paqe, harmoni dhe siguri, sepse ajo ndalon të këqijat dhe padrejtësitë; i ndalon krimin, mërinë, gënjeshtrat e mashtrimet dhe, në anën tjetër, urdhëron për dashuri, respekt, për ndihmë të përbashkët, ndershmëri dhe sjellje të mira mes njerëzve. Feja rregullon raportet e njeriut me Krijuesin e tij, por njëkohësisht edhe raportet me krijesat rreth tij. Kërkon që njerëzit të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, të kenë respekt për të drejtat e njëri-tjetrit dhe këshillon jetesën në paqe. Kështu shoqëria fiton qetësi, siguri dhe lumturi.

Feja është e dërguar nga Zoti, por, me kalimin e kohës, njerëzit janë larguar nga feja që ua ka dërguar Zoti dhe kanë formuar besime të ndryshme, të bazuara në mendimet dhe në gjykimet e veta. Si rrjedhojë, kanë lindur besime të ndryshme me burim njerëzor. Nga ky vështrim, fetë ndahen në dy lloje:

1. Fe e shpallur

Feja e shpallur: Nocioni “Fe e shpallur” nënkupton fenë, e cila bazën e ka në shpalljen e transmetuar përmes Pejgamberëve, si p.sh.: Hebraizmi, Krishterimi dhe Islami.

2. Fe jo e shpallur
  1. Fetë jo të shpallura janë fetë e hartuara nga njerëzit, duke u bazuar në idetë e traditat e popujve, si p.sh.: Budizmi, Taoizmi, Zoroastrizmi, etj.

Megjithatë, feja e të gjithë Profetëve është Islami, e me Muhamedin a.s., si Profeti i fundit, feja islame arriti përkryerjen, duke vënë pikën e fundit mbi fenë. Këtë fakt Kur’ani e shpreh kështu:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَ أَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَ رَضِيتُ لَكُمُ الإِسْلامَ دِينًا

Sot përsosa për ju fenë tuaj, e plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide, 5/3)

Postime të ngashme