Cilat janë veçoritë e profetëve të “ulu’l-azm”-it?

Fjala “ulu” do të thotë pronar, apo zotërues në arabisht. Përveç krahasimit, është shumësi i fjalës “dhû” që mbart të njëjtin kuptim. Për shembull, dhu’l-mal do të thotë “posedues i pasurive”, ndërsa ulu’l-elbab “të zotët e mendjes”.

Ndërsa fjala “azm”, përdoret për të shënjuar kuptime, si: vendosmëri, vullnet, të mos dish të sprapsesh…Kur ia bashkëngjitim fjalës “ulu”, e gjithë fraza bëhet zotëruesit e vendosmërisë dhe vullnetit…Edhe pse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me temën tonë, desha të ndalem pak mbi një ajet që e përmend këtë fjalë. Disa prej interpretuesve të Kuranit kur kanë bërë komentimin e ajetit “Ai (profeti Adem) nuk ishte i vendosur” (Taha: 115) kanë thënë se bëhet fjalë për mungesën e vendosmërisë kundrejt hyrjes në mëkat. Personalisht, nuk mund ta pranoj një shpjegim të tillë rreth një profeti. Zemra nuk ma qas një mundësi të kësaj natyre…Më duket më i përshtatshëm një sqarim si vijon: “Ai kreu një mëkat pa qenë i vetëdijshëm. Por nuk e pati planifikuar apo çuar nëpër mend më herët. Prandaj në këtë pikë nuk bëhet fjalë për mungesë rezistence, apo vendosmërie…”

Ndërsa për sa u përket Profetëve të Vendosmërisë së Lartë, Kurani shpjegon: “Kujto kur patëm marrë besën nga çdo i dërguar: nga Ti, nga Nuhu, Ibrahimi, Musai dhe Isai, i biri i Merjemes. Ne lidhëm me ta besë solemne.” (Ahzab: 7) Pra, i nënkuptuar me përemrin “Ti”, Zotëria i Zotërinjve, Hz. Muhamed (pqmT), Hz. Nuh (pqmt), Hz. Ibrahim (pqmt), Hz. Musa (pqmt) dhe Hz. Isa (pqmt).

Çdo i dërguar u përket dimensioneve profetike, veçse rruga e këtyre profetëve ka qenë veçanërisht e kushtueshme dhe e mbushur me sprova tepër të zorshme. Nëse do të analizoheshin me kujdes tregimet që përmenden në Kuran rreth jetës së tyre, do të kuptohej mjaft qartë se përse atyre u është thënë Zotërinj të Vendosmërisë së Lartë. I Dërguari i Allahut (pqmT) nuk pati nxjerrë asnjëherë nga goja qoftë edhe një fjalë ankese apo kritikuese ndaj Kaderit për shkak të atyre njerëzve që i kishin sjellë veç vuajtje e mundime. Patjetër, ja tek del fitimtar në Bedër, veçse Uhudi sikur pati kërkuar që ta shtypte me gjithë peshën e vet prej mali. E teksa kthehej prej Uhudit, nuk u ishte drejtuar me asnjë fjalë që mund të merrej si qortim shokëve të vet, të cilët nuk e patën ruajtur siç duhet delikatesën në bindje ndaj urdhrave të tij dhe qenë bërë shkak në këtë mënyrë që të përjetonin një lloj disfate. Rënia dëshmor e Hamzait të nderuar i kishte ardhur shumë e hidhur, por megjithatë edhe në këtë rast pati ditur ta varroste pikëllimin e tij në kraharor.

Ai kishte një shqetësim të brendshëm, të vazhdueshëm: udhëzimin e njerëzve për tek e drejta. Dhe ishte shumë i dhënë pas kësaj çështjeje. Aq sa, kishte mbërritur në një gjendje të thuash se do të shkatërronte veten për këtë kauzë. Një situatë të tillë na paraqet edhe ajeti kuranor që e paralajmëronte Atë (s.a.s.) kështu: “A mos vallë do ta vrasësh veten nga pikëllimi nëse ata nuk besojnë në këtë fjalë?” (Kehf: 6) Vazhdimisht jetonte në horizontet e tejkalimit të vetes për hesap të së drejtës që përfaqësonte. Në jetën e tij nuk u linte vend hatërmbetjeve, inateve, zemërthyerjeve. Ç’i kishte rënë për pjesë gjithnjë e pat përballuar me vendosmërinë më të madhe!

Sikur të endte me vite të tëra një pëlhurë të hollë, të cilën përnjëherësh, një dorë nga e padukshmja zgjatej e ia bënte fërtele sa hap e mbyll sytë! Dhe Ai (a.s.) sërish ia niste punës pa nxjerrë zë, thurte pa prá…

Ç’është e drejta, një cilësi e tillë i përfshin të gjithë profetët. Vetëm se, ashtu sikurse mes profetëve ka që u përkasin gradave të ndryshme, edhe fatkeqësitë dhe belatë me të cilat janë ndeshur ata nuk priten të jenë të njëjta. E njësoj mund të shprehemi edhe për popujt e tyre.

Sa kuptimplote është një thënie e të Dërguarit të Allahut për këtë çështje! I qe hapur perdja e së fshehtës dhe i qenë treguar të gjithë profetët. Kusurin le ta dëgjojmë nga fjalitë e derdhura nga buzët e Tij të bekuara: “Pashë nga ata profetë që nuk kishin asnjë nga populli i tyre pas vetes. Ndërsa disa të tjerë kishin nja 3-4 pasues. Pastaj pashë një popull të tërë që po afrohej dhe pyeta: -A është ky populli im?

-Jo, – më thanë. Ky është populli i Musait.

Në vazhdim, pashë një popull shumë herë më të madh dhe m’u njoftua se ai ishte populli im.”

Duhet reflektuar, një profet punon e stërmundohet gjatë gjithë jetës dhe kur vjen puna i jep lamtumirën kësaj bote pa hasur në asnjë fytyrë mirëdashëse që ka ketë kuptuar. Disa prej tyre i kanë besuar veç disa vetë. Sikur ne të ishim sprovuar me diçka të tillë, nuk ma do mendja se do ishim në gjendje ta rimerrnim veten.

Ibrahimin e nderuar e patën çuar duarlidhur gati ta hidhnin me katapultë. Pas pak do ta lëshonin mes flakëve që të kallnin datën teksa lartoheshin drejt qiellit si dallgët e një oqeani. Një engjëll i kërkon leje, përpëlitet që ta ndihmojë. Porse ai nuk u shmang një grimëçast nga të mbështeturit tek Zoti dhe përsëriste: “Allahu më mjafton mua, sa Mbrojtës i mirë që është Ai!”

Hz. Nuhu, si rezultat i drithërimave përgjatë shumë shekujve, sërish mezi arriti të hipte në anije me një grusht njerëzish, ndërsa s’mundi ta merrte me vete as të birin. Ç’tablo e dhimbshme duhet të jetë për një baba që është njëherazi profet! E gjithë kjo është shumë e vështirë të perceptohet nga ne, madje e pamundur.

Isai (a.s.) ishte ende te të tridhjetë e tre vjetët kur kërkonin ta vrisnin. Po ta zgjaste paksa kokën jashtë do të shihte shpatat e mprehura gati për ta copëtuar. Prapëseprapë ai qëndron i vendosur në kauzën e tij dhe nuk ngurron për asnjë moment.

Po, ata janë nga më të përzgjedhurit e njerëzve që e kanë përkapur sekretin e “mua më mjafton Allahu” dhe më të zotët në këtë pikë. Nëse gjithë ç’ka krijuar Zoti me mëshirën dhe bamirësinë e Tij do të çmohej në tërësi me vlerën e qumështit, për profetët do duhej të thoshim se ata përbëjnë ajkën! Kështu e pat manifestuar Zoti edhe Fuqinë e Vullnetin e Tij ndër ta…Dorëzimi i thellë dhe vendosmëria që nuk njeh venitje janë cilësi të pandashme prej tyre. Për këtë arsye janë quajtur edhe “Ulu’l-azm”. Sipas gradës, te çdo profet dhe shenjtor ka vendosmëri. Porse kjo veçori është ekskluzive dhe në trajtën më të përkryer tek profetët që sapo i përmendëm me emra më sipër.

Postime të ngashme