Çdo profet është i ruajtur nga mëkati

Të gjithë profetët janë pa gjynahe. Në jetën e tyre nuk bëhet fjalë për asnjë lloj devijimi. Ata janë njerëz të jashtëzakonshëm, të krijuar në mënyrë të shenjtë e të zgjedhur. Ata nuk janë thjesht të mirë, por elita e të zgjedhurve mes më të mirëve. (Haxhxh 22/75) [1]. Dhe gjatë gjithë jetës së tyre, ata nuk e kanë cënuar as edhe një grimë këtë shenjtëri e këtë veçanti.

Profetët kanë karakter të kulluar, shpirt sublim dhe ndjenja krejtësisht të dëlira. Gjithë reflektimi i të vërtetës së ardhur nga Allahu (xh.xh.), kristalizohet te ata ashtu sikur transmetohet, përjetohet e ndjehet prej tyre në të gjitha përmasat e saj. Ata janë si një burim i kristaltë, si një pikë uji e kulluar, që reflekton e pasqyron të gjitha rrezet e diellit; në zemrat e tyre as drita nuk përthyhet dhe as spektri i saj nuk pëson humbje.

Po, ashtu është; dhe arsyeja e kërkon të jetë ashtu. Sepse profetët ndodhen mes nesh me detyrën e shenjtë të kumtimit… Qëllimi i ekzistencës së tyre është kumtimi. Kështu që ata janë të parët që përballen me normat e me urdhëresat e Zotit… dhe ata i përcjellin këto urdhëresa ashtu siç i marrin. Nëse profetët nuk do të kishin një strukturë të tillë të dëlirë shpirtërore, atëherë nuk do të ishin të suksesshëm në përcjelljen e mesazheve hyjnore, ashtu siç u shpallën nga Zoti. Përndryshe, shpallja hyjnore përplaset në një karakter që e ka humbur kristalitetin, në ndjenja të turbulluara dhe në ndërgjegje të privuar nga dëlirësia, thyhet sikur përthyhet rrezja e dritës dhe shndërrohet sikur shndërrohet ngjyra e dritës; pastaj, merr formë në një botë sipërfaqësore, në muzgun e ndjenjave e mendimeve individuale dhe, dashje pa dashje, e humb origjinalitetin e tjetërsohet. Karakteri origjinal i shpalljes, urdhëresës e vullnetit hyjnor, tjetërsohet e humbet.

Njëkohësisht, profetët kryejnë funksionin e një pasqyre për të na përcjellë misteret e Shenjtërisë dhe të Karakterit Hyjnor. Kjo pasqyrë duhet të jetë detyrimisht e pastër, në mënyrë që të vërtetat që pasqyron në vetëdije, të jenë krejtësisht të sakta.

Njerëzimi i mëson të gjitha normat fetare të besimit, adhurimit dhe veprimit në sajë të profetëve. Njerëzit duhet të shohin te ata fenë dhe besimin në mënyrën më të saktë e më të përsosur, që t’i pasojnë ata e të arrijnë kështu të fitojnë lumturinë edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër… e nëse këta prijës e udhërrëfyes për njerëzimin mund të gabojnë ose mëkatojnë, nuk ka se si të jetë e ligjshme që njeriu t’u bindet atyre. Bindja ndaj profetit është e lidhur drejtpërsëdrejti me nevojën e njeriut për t’u orientuar. Nevoja e njeriut për orientim është në kundërshtim me bindjen ndaj një njeriu që gabon e devijon.

Jo, asnjë profet nuk ka kryer as edhe një gjynah, përkundrazi, secili ka pasur një mënyrë jetese më të bukurën, më të përsosurën, me veprimet e sjelljet që e kanë karakterizuar dhe gjithnjë jetesa e tyre ka qenë në një drejtim të vetëm. Është e vështirë të besohet se dikush, që nuk është për vete i denjë për parajsë, t’ia dalë mbanë të marrë njerëzit për dore e t’i sjellë ata në rrugë të mbarë drejt parajsës. Sepse Zoti i ka dërguar të gjithë profetët me qëllimin që t’i bëjnë njerëzit të denjë për parajsë.

Në themel të epërsisë të padiskutueshme të besimit të bazuar në shpalljen hyjnore ndaj gjithë sistemeve e teorive njerëzore, qëndron pikërisht pafajësia e veçantë e profetëve. Po të mos ishte kështu, edhe rezultati do të ishte ndryshe.

Natyrisht që edhe para profetësisë së tyre, profetët kanë pasur idealet e qëllimet e veta individuale… nuk ka asnjë problem në pranimin e këtij fakti. Këtu kemi parasysh edhe dhimbjen shpirtërore të të Dërguarit të Zotit para shpalljes hyjnore, kur kalonte kohë të tëra në malin Nur duke medituar e duke vuajtur për njerëzit; si duket, kjo dhimbje ishte brenda përmasave të idealeve të tij individuale. Vërtet që ai kishte një qëllim, një ideal; njerëzimi duhej shpëtuar me çdo kusht nga kjo kënetë ku po lëngonte. Po ja që caku i potencialit të tij individual mbaronte këtu. Receta për shpëtimin e njerëzimit nuk ishte as e tij dhe as e mendimeve të tij. Ajo recetë do të vinte drejtpërsëdrejti nga Zoti, me anë të shpalljes hyjnore. Këtu është pika ku idealizmi ndahet nga shpallja. Njëri është tërësisht njerëzor, tjetra krejtësisht hyjnore. Ndaj dhe i Dërguari që do t’i dilte zot këtij sistemi hyjnor, duhet të zotëronte një strukturë shpirtërore krejtësisht të ndryshme nga ajo e idealistëve të tjerë, ashtu siç edhe e kishte.

Në këtë pikë dua të përmend edhe diçka. Ashtu sikur profetët janë ndryshe nga idealistët e tjerë dhe kanë një pafajësi totale, ashtu edhe njerëzit që pasojnë një profet dhe janë populli i tij, duhet të kenë një strukturë e një pafajësi të ngjashme. Për mendimin tim, kjo është dhe gjëja që dallon popullin e një profeti nga turmat e tjera!

Pa dyshim, çdokush duhet të ketë një ideal. Njerëzit pa ideale ndjehen pa orbitë, pa qëllime. Një sulltan i fjalës, thotë: “Nëse një ideal sublim nuk ekziston, ose harrohet, ose lihet pas dore, gjithë aftësia e të menduarit përqendrohet te uni”.[2]

Dëlirësia e pafajësia është pjesë e pandarë e qenies së profetëve, është karakteri i tyre, virtyt dhe strukturë themelore e ekzistencës së tyre. Edhe në fytyrën e hënës, edhe në trupin e diellit mund të gjenden ca hije e njolla të zeza, po në shpirtin e një profeti nuk mund të strehohet as hija më e zbehtë e mëkatit.

Nëse një njeri që ka arritur afërsinë e Zotit bën një mëkat, si për shembull, nëse thotë pa dashje një fjalë pa vend, gjatë gjithë jetës ai e vuan këtë thellë në ndërgjegje. Po sikur ta zëmë se një fjalë e tillë, megjithëse larg mendsh, të dalë nga goja e një profeti? Vuajtja e tij nuk do të pushonte deri në Ditën e Ringjalljes.

Kjo është arsyeja që Profeti Ibrahim, edhe Ditën e Gjykimit madje, përjeton sëmbimin e ndërgjegjes për tre fjalitë aluduese[3] të thëna gjatë jetës dhe i përcjell për te Hz. Musa personat që kërkonin ndërhyrjen e tij për shpëtim[4]. Këtu dua të theksoj se aludimi nuk është gënjeshtër, po një mënyrë komunikimi për t’i tërhequr bashkëfolësit vëmendjen drejt një kuptimi jashtë teme.

Edhe ai, edhe gjithë profetët e tjerë, e kanë ndërgjegjen po kaq të ndjeshme dhe të mbyllur përballë çdo mëkati.

Gjatë shtjellimit të kësaj teme, qëllimi ynë ishte të shpjegonim pafajësinë e ismetin e të Nderuarit Muhamed. Po që të gjithë profetët, me shprehjen e të Dërguarit të Allahut, janë Ebnau allat[5] – bijtë e të njëjtit baba. Ata janë të gjithë bij të rritur e të edukuar në strehën e të njëjtit baba. Për këtë arsye nuk do të kalojmë pa prekur qoftë edhe shkurtimisht, atributin ismet te të gjithë profetët. Veçanërisht do të ndalemi te ato personalitete të jashtëzakonshëm e shpirtra të lartë, të cilëve u është hedhur baltë e janë paraqitur shumë ndryshe nëpër librat e shenjtë të mëparshëm, tashmë të deformuar dhe tepër larg nga origjinali, si dhe do të shtjellojmë veçanërisht personalitetet e tyre nën rrezet e Kur’anit Famëlartë, duke nxjerrë në pah shpifjet e gënjeshtrat që u janë mveshur.

Por tema jonë kryesore, ashtu siç e theksuam edhe më lart, është Profeti Muhamed (a.s.), ismeti i tij dhe pafajësia e virtyti i tij.

Çdo profet, pa përjashtim, është i virtytshëm e i mbrojtur nga mëkati. Ndërsa i përzgjedhuri Muhamed (a.s.) është më i virtytshmi i të virtytshmëve, më i pastri i të pastërve; i tërë karakteri i tij është brumosur me reflektimet e të Vërtetës Hyjnore dhe në pasqyrën e kulluar të shpirtit të tij është pasqyruar çdo çast shëmbëlltyra e atributeve të Zotit. Pa dyshim që një karakter i tillë specifik dhe një shpirt i tillë i mbushur me ndjenjë, do të ishte më i Virtytshmi i të Virtytshmëve. Për një çështje sublime e të veçantë, Allahu (xh.xh.) ka zgjedhur posaçërisht njerëz të veçantë, që janë të aftë të mbajnë mbi shpatulla rëndesën e asaj çështjeje; këta janë profetët. Zoti, në lidhje me misionin e tyre të dallueshëm, i ka ruajtur e mbrojtur profetët në mënyrë të veçantë. Kjo nënkupton pajisjen e tyre me atributin e pafajësisë –ismet– dhe ruajtjen e pozicionimin e tyre në horizontin më të largët prej mëkatit. Natyrisht, sepse profetët janë të detyruar ta ruajnë në çdo çast atë pozitë të lartësuar e të përsosur, në mënyrë që t’i prijnë e t’i tregojnë rrugë gjithë njerëzimit. Çdo cep i pelerinës së tyre duhet të jetë larg njollave e papastërtive, në mënyrë të tillë që sytë e atyre që janë vënë pas atij prijësi dhe kanë hyrë nën udhëheqjen e tij, të mos shohin në drejtime të tjera. Profetët janë udhërrëfyesit e dorëzanët e udhëtimit të njerëzimit drejt Allahut (xh.xh.) dhe drejt miratimit të Tij. Por aprovimi i Allahut (xh.xh.) e kënaqësia e Tij nuk mund të jenë pranë mëkatit, qoftë ai edhe më i vogli e më minimali. Kështu, është e pamundur që dikush që ndodhet vetë larg miratimit të Zotit, të udhëheqë të tjerët drejt Tij. As që mund të bëhet fjalë për diçka të tillë. Ndaj dhe mundësia që ndonjëri profet t’i afrohet mëkatit, thjesht nuk ekziston.

 

[1] Muslim, Fedail 1; Tirmidhi, Menakib, 1.
[2] Bediuzzaman, Fjalët, Vetëtimat

 

 

 

 

 

 

 

 

Postime të ngashme