Burimet themelore të trashëgimisë sonë kulturore

Kultura është tërësia e veprimeve morale të vendosura në vetëdijen e një shoqërie, e formuar brenda një periudhe kohore të caktuar. Çdo shoqëri ka përvetësuar kultura të ndryshme. Ky ndryshim ka qenë një faktor ndikues në të gjitha sistemet e mendimit të tyre. Nëse do ti hedhim një sy kulturës lindore dhe asaj perëndimore do të shihnim qartë ndryshimet mes tyre, një shikim i hedhur përciptazi do të bënte të mundur arritjen e dallimit midis këtyre dy kulturave sa të ngjashme po ashtu dhe aq të ndryshme.

Baza e kulturës lindore ose ndryshe asaj islame është ndërtuar rreth trinomit njeri-gjithësi-Krijues dhe kështu ka lindur dhe është zhvilluar, por kur shohim kulturën perëndimore shohim që ajo është një trashëgimi e Greqisë së Lashtë ose filozofisë Greke, shihet se kjo kulturë çdo gjë e lidh me marrëdhënien njeri send dhe fenomen, pra e përjashton nga fusha hyjnoren, çdo gjë mundohet ta shpjegojnë me anë të logjikës dhe eksperimentimeve, ndryshe nga kjo kultura islame përveç këtyre komponentëve që u përmendën merr si bazë të palëkundur dhe parësore revelatën hyjnore.

Nëse do të kërkonin të gjenim elementët dallues të këtyre kulturave do mund të përmendim këto; Kultura islame veçohet me një vlerë shumë të madhe e cila nëse do të kërkohej një emërtim për këtë qytetërim do ti vendosnim emrin “Fikh” (Jurisprudencë Islame) ose “Usul’u- Fikh” (Metodologjia e jurisprudencës Islame), sepse kjo degë e shkencës e cila është formuar përbën në vetveten e saj një sistem drejtësie pa të meta i cili është i aftë ti bëjë ballë ndryshimit të kohërave dhe epokave.

Kurse qytetërimeve të tjera do të mund ti cilësonim si më poshtë. Qytetërimi Grek si qytetërimi i filozofisë, ai Mesopotamisë si qytetërimi i Gnosticitetit dhe ai evropian si qytetërimi i teknologjisë dhe shkencës, pra siç shihet këto mund të përmenden si faktorët kryesorë qe mund të përdoren edhe  si emërtime të këtyre qytetërimeve të ndryshme. Shumë sisteme drejtësie janë shkruar dhe stërshkruar në historinë njerëzore si ai Romakëve, Kinezëve…etj, por të tregosh një sistem si ai islam më parë në histori është e pamundur. Nëse do kërkohej një arsye se pse është e tillë, mund të themi se nuk ka asnjë sistem që është i lidhur me një metodologji aq të pasur dhe sfiduese e kohërave sa ajo e Jurisprudencës Islame. Filozofia është zhvilluar si nevojë e dhënies përgjigje të problemeve të asaj kohe dhe është një produkt i logjikës së njeriut. Kurse Metodologjia jurispundeciale në sistemin e drejtësisë Islame gjithmonë në çdo kohë ka luajtur të njëjtin rol. Një sy i hedhur do nxirrte në pah se ç’do sistem drejtësie luan misionin drejtues në shoqëri ndërsa metodologjia jurispundeciale luan një rol udhërrëfyes në këtë udhëtim ndërkohor. Disa nga shtyllat kryesore të këtij sistemi kaq të përpiktë dhe preciz janë:

1) Kitap/ Kurani

Kurani është fjala e shenjtë e Allahut (xh.xh) e cila është një burim i pashtershëm i diturisë në çdo fushë të shkencës dhe të jetës së njeriut. Si një det pafund, ku çdo kush që futet në të arrin të kuptojë diçka, sado e vogël apo e madhe qoftë ajo. Në të ka mësime për shkencëtarë, filozofë,  edukatorë, drejtues shteti dhe deri tek bariu i deleve në mal. Ky është një libër i tillë i cili që në momentin kur është pasqyruar në horizontin njerëzor ruan një freski dhe vitalitet të pandryshueshëm. Me përmbajtjen e tij është i vetmi libër qe mund ta nxjerrë shëndoshë njeriun në bregun e qetësisë dhe lumturisë. Kurani është libri nga ku fikhu i dedukton shumicën e dispozitave të tij.

2) Suneti/ Tradita profetike.

Në metodologjinë jurispundeciale tradita profetike është një komponent kryesor që luan një rol kryesor në deduktimin e dispozitave fetare. Sunet do të thotë tërësia e veprave, fjalëve dhe aprovimeve të profetit (a.s). Suneti përveçse një burim legjislativ më vete është dhe komentuesi më i mirë i Kuranit.

3) Ixhma/ Konsensusi 

Ixhma do të thotë bashkimi, përputhshmëria dhe konsensusi i dijetarëve të të njëjtës periudhe kohore për një çështje të caktuar dhe kjo është nga veçantitë e bashkësisë së Muhamedit (a.s). Konsensusi nuk është një punë që mund ta bëjë kushdo, kërkon persona të specializuar që e njohin shumë mirë Kuranin, traditën Profetike bashkë me metodologjitë e tyre. Përgjithësisht konsensusi aplikohet në çështje të kësaj bote dhe jo me çështje të ahiretit. Aplikimi i konsensusit në çështje që bien ndesh me urdhrat hyjnorë është i refuzuar.

4) Kijasi/ Analogjia

Kijasi në kuptimin leksikor do të thotë matja e një gjëje me një gjë tjetër, kurse në kuptimin terminologjik do të thotë  të japësh gjykim për një çështje të caktuar duke e krahasuar atë me një çështje që ka gjykim, e të jenë të ngjashme esencialisht. P.sh. Në Kuran ndalohet pija e verës, por shohim që kanë dalë lloje të ndryshëm pijesh të cilat kanë të njëjtin efekt si të verës, pra efektin dehës,  kështu që me anë të analogjisë çdo pije e cila efekte dehëse është e ndaluar kategorikisht.

5) Istihsan 

Ka kuptimin të pëlqesh apo parapëlqesh diçka. Kurse kuptimi që i japin metodologët është të braktisësh analogjinë duke përzgjedhur gjykimin më të përshtatshëm me tekstet legjislative fetare (Kurani dhe hadithi), ose shkurtimisht të braktisësh më të vështirën për zgjidhjen më të lehtë.

6) Maslahat

Do të thotë mjet apo shkak e cila të dërgon në përzgjedhjen e më të mirës. Maslahati gjithmonë është përdorur nga imamët e shkollave juridike islame si një ndër argumentet legjislative të gradës së dytë. Ndryshe maslahat është disiplina e cila bën të mundur marrjen e një gjykimi i cili është më i dobishëm për njerëzit.

7) Tasavufi

Tasavufi është një ndër disiplinat kryesore e cila është një burim informacioni në fusha si marrëdhëniet ndër njerëzore ato shpirtërore e shumë të tjera si këto. Një ndër përkufizimet e shumtë që i bëhen tasavufit është; në udhe rrëfimin e  kuranit dhe sunetit të arrijmë të jetojmë një jetë sipas asaj hyjnores dhe jo epshit dhe egos.

8) Kelam

Kelam është tërësia e dijeve të cilat janë mbrojtëse të besimit të pastër islam duke e mbështetur me argumente logjike dhe argumente të marra nga revelata hyjnore duke e mbrojtur kështu besimin e njerëzve nga rryma të ndryshme filozofike të cilat me idetë e tyre mund të tronditin besimin e njerëzve. Shkenca e kelamit është një ndër shkenca e cila e ka pasuruar më shumë mendimin islam, duke bërë një gërshetim të logjikes me revelatën dhe filozofisë me tasavufin ose misticizmin islam.

9.10.11) Traditë, Zakoni, Praktika

Traditë është tërësia e rregullave të cilat edhe pse nuk janë ligje janë parë të pranueshme nga njerëzit. Përkufizimi që i bën shkolla hanefite është: tërësia e praktikave të cilat janë të pranueshme si logjikisht po ashtu dhe nga sheriati islam.

Zakoni dhe praktikat ndonëse ndryshe nga tradita mund të jenë të papëlqyeshme ndonjëherë. Prandaj ndonjëherë përdoren dhe termat si zakon i mirë apo zakon i keq.  Arsyeja e futjes së traditës, zakonit dhe praktikave të një shoqërie brenda elementëve të burimeve të kulturës tonë është mos përjashtimi i tyre kur janë në përputhshmëri me fenë, por nëse janë në kundërshtim , atëherë janë të papranueshme dhe të refuzuara.

Përgatiti: Marius Tafani

URTESI.AL

 

Postime të ngashme