Bukuritë që premton besimi!

Deri më sot janë thënë shumë gjëra në lidhje me bukuritë që besimi i fal njeriut, qoftë gjatë kësaj jete, qoftë gjatë asaj tjetrës, duke qëndruar gjerë e gjatë në të gjitha çështjet që i prijnë qenies njerëzore drejt shpëtimit. Për shembull, kur e sheh gjithësinë një njeri që beson, atij çdo gjë brenda saj i duket nga një mik dhe bashkëudhëtar i përzemërt. Asisoj që ai nuk e përjeton asnjëherë kurbetin e rrugëtimit pa një bashkëudhëtar me vete. Njëkohësisht, vetëm falë dritës që ai i përfton jetës sajë këtij besimi, ai zë ta shohë të ndriçuar, si të shkuarën ashtu edhe të ardhmen; sepse sipas tij, as e shkuara nuk është një varrezë e frikshme, e as e ardhmja një gropë varri sterrë e zezë.

Patjetër, është e natyrshme që njeriu të ndjejë frikë dhe shqetësime nga më të ndryshmet në lidhje me të ardhmen, mirëpo drita dhe shpresa që besimi i fal atij, e ndihmon që t’i flakë tej të gjitha këto frikëra. Një njeri që e ka të ngulitur besimin e tij në themele të shëndosha e kupton mjaft mirë se asnjë prej këtyre frikërave nuk është ndonjë gjë për të cilën nuk gjendet një zgjidhje, e kësisoj ai gjen mundësi që të largohet prej këtyre vuajtjeve dhe dhimbjeve.

Mos vallë ka frikë prej errësirës së botës së varrit dhe jetës së atjeshme? Besimi për të fillon të kryejë funksionin e një drite. Mos vallë ka frikë nëse do të mund ta kalojë dot urën e Siratit? Besimi për të kthehet në Burak, me të cilin ai arrin ta kalojë atë fluturimthi. Mos vallë shqetësohet për përfundimin e tij? Besimi për të është rruga më e sigurt që të çon drejt Xhenetit. Mos vallë i frikësohet shumë fundit të tij? Besimi për të është streha më e mirë për t’u mbrojtur prej Xhehenemit. Po, në këtë rrugëtim të gjatë që ka nisur, besimi për njeriun është sikur një udhërrëfyes dhe mësues që i qëndron përherë në të majtë dhe në të djathtë, për t’i falur siguri dhe besim për çdo gjë që mund t’i bëjë gjasë në të ardhmen.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: